EmailFacebookKontakt

MESAZH PËR KRISHTLINDJEN — Kapërcimi i rrugëve pa krye

Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë, Lindja e lindjeve dhe ne që ishim në errësirë e në hije gjetëm të vërtetën, se me të vërtetë nga Virgjëresha lindi Zoti.

Shumë të dashur vëllezër dhe motra të mia,

Para afro tre vjetësh ishte e pakonceptueshme që në Shqipëri do të mund të mblidheshim për të kremtuar Krishtlindjen. Kishave tona as që mund t’u afroheshim dot; ishin të rrënuara, të bëra gërmadha ose të shndërruara në depo, muze, ofiçina, madje edhe në stalla. Cilindo që do të guxonte të shprehte hapur besimin e tij te Perëndia, e priste internimi ose burgu. Errësirë dhe vdekje në shpirtrat, vështirësi dhe rrugë pa krye për besimtarët. Por ja që “na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë”. Në skutat hermetike prej çimentoje të ndërtesës ateiste u krijuan të çara, Dielli i Drejtësisë lindi përsëri në tokën e stërmunduar të Shqipërisë dhe dritë shprese filloi të shkëlqejë në zemrat e të përhapet në jetën shoqërore. “Krishti lindet, lavdërojeni”.

Natyrisht, një mori problemesh e brejnë vendin dhe shumë rrugë pa krye dalin para nesh. Por festa e madhe e Krishtërimit që po kremtojmë sot, i referohet pikërisht kapërcimit të rrugëve pa krye. “Perëndia u shfaq i trupëzuar” (1 Tim. 3:16); “Ky mister është i madh” dhe paralajmëron kapërcimin e asaj që është e paarritshme për mundësitë njerëzore.

Iisu Krishti lindi midis nesh në radhë të parë për të na shpëtuar nga rrugët e mëdha pa krye të qënies njerëzore, nga mëkati dhe nga vdekja. Perëndia “Zbrazi Veten dhe mori formë shërbëtori” (Fil. 2:7); erdhi me një mënyrë të përulur, për të dërrmuar nxitësit e mëkatit, që janë egoizmi me të gjitha pasojat e tij, makutëria, mendjemadhësia, fuqia në dukje dhe luksi. Emri Iisu do të thotë pikërisht “Shpëtimtar”. Erdhi që të na shpëtojë nga mëkati, nga padija, nga mjerimi, nga prishja dhe të na drejtojë në gjirin e Perëndisë At, e të na lidhë me Të.

Iisu Krishti lindi jo thjesht që t’i japë njerëzimit një doktrinë të lartë. Ai mori natyrën njerëzore që të mbetet me ne. Prandaj emri i tij është gjithashtu “Emanuel”, që do të thotë “Perëndia me ne”. “Fjala u trupëzua për njeriun që të hyjnizohet”. Në këtë frazë të Anastasit të Madh koncentrohet mesazhi i Krishtlindjes. Krishti erdhi që t’u dhurojë atyre që me të vërtetë e besojnë Atë dhe që i ofrojnë grazhdin e shpirtit të tyre jo thjesht jetë më të mirë, por një jetë të amshuar. Kjo, që po kremtojmë sot, përbën përsa i përket thjeshtësisë, një kapërcim të madhërishëm të së pamundurës. Perëndia u bë njeri për t’i udhëhequr njerëzit në hyjnizim.

Këto të vërteta, që shpalleri me Lindjen e Shpëtimtarit, e kalojnë pengesën e logjikës së vendosur njerëzore dhe çelin horizonte të reja për të ardhmen e njeriut. Ato zbulojnë vlerën e pallogaritshme të tij dhe mundësitë e dhëna nga Hyjnia, që ai ka fituar pas Lindjes së Perëndisë-njeri.

“Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë”. Por madje, duke marrë natyrën njerëzore, Krishti jetoi te vërtetën e ashpër të jetës njerëzore dhe që foshnjë akoma, përballoi skamjen, mërgimin, përndjekjen. Ardhja e Atij që do të bëhej zgjidhja e tragjedisë njerëzore, ishte e lidhur me pengesa njerëzore të vogla e të mëdha: me skandalizmin e mbrojtësit të tij Iosif, e pastaj me indiferentizmin e banorëve të Vithleemit për t’i dhënë strehë, më vonë me përndjekjen maniake të Irodhit dhe mërgimin e tij në Egjipt.

Por kujdesi hyjnor, ishte i pranishëm në çdo çast të jetës së Iisut, të porsalindur, duke vepruar pa hje. Në kapërcimin e rrugës së parës pa krye kontribuoi, fillimisht, gjakftohtësia dhe butësia e Iosifit, i cili, “duke qenë i drejtë” nuk nxitoi të bënte veprime, por me durim kërkoi të gjente të vërtetën; madje edhe qetësia e së Tërshenjtës, siguria se Perëndia do të jepte zgjidhje.

Për kapërcimin e rrugës pa krye, që shkaktoi indiferentizmi i banorëve të Vithleemit nuk u ndërtua asnjë pallat. Ngrohtësinë e domosdoshme e ofruan njerëzit e shenjtë që ishin pranë Tij, kafshët, qumështi i pakët, barinjtë që u lajmëruan në mënyrë të mrekullueshme. Së fundi, në rastin e kërcënimit nga Irodhi nuk u bë asgjë fantasmagorike. Një lajmërim në kohë dhe ikja në një vend të sigurt.

Këto hollësira në tregimet e Krishtlindjeve zbulojnë diçka nga mënyra me të cilën shfaqet mbrojtja e Perëndisë mbi njerëzit e Vet. Për kapërcimin e mbrapështive të përditshme dhe të rrugëve pa krye në jetën tonë, Ai përdor kombinime të qeta, të mrekullueshme.

“Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë”. Këtu në Shqipëri, për herë të parë sivjet, pas shumë dekadash deliri ateist, Krishtlindjet bëhen prapë festë zyrtare, festë e vendit. Vështirësitë dhe shqetësimet nuk pushojnë të na bëjnë presion. Por tani ka një ndryshim thelbësor. Shumica dërrmuese e popullit e ka kuptuar se problemet e mëdha që janë akumuluar, nuk do të zgjidhen me përbuzjen e vjetër vetëdashëse ndaj Perëndisë, me qëndrim arrogant, që e çuan vendin në tragjedinë e sotme, por me besim te Perëndia, me ndriçimin dhe fuqinë e Tij.

Veçanërisht për ne të krishterët, Iisu Krishti, Lindjen e të cilit kremtojmë sot, mbetet shpresa, gëzimi, fuqia jonë, “porta” nëpërmjet së cilës hapen kalime në muret e mbyllura nga problemet dhe rrugët pa krye të çdo natyre qofshin. Duke u frymëzuar dhe ndriçuar për rimëkëmbjen e Kishës sonë, për riorganizimin e shoqërisë sonë, duke i mbajtur sytë te Iisui Perëndi-njeri, i cili garanton kapërcimin e gjithçkaje që për nga mundësitë njerëzore është e paarritshme.

Sa më shumë që lidhemi me Të, sa më në thelb qëndron Ai në zemrën tonë me hirin e mistereve të Kishës së Tij, aq më shumë do të shohim që vështirësitë e ndryshme personale, familjare dhe shoqërore të mposhten me ndërhyrjet mrekulliberëse të Perëndisë. Dhe së fundi, të gjithë ata që jetojnë “në Të”, me veprimin e Shpirtit të Shenjtë, bëhen edhe ata vetë faktorë për kapërcimin e rrugëve pa krye në mjedisin e tyre, çajnë edhe ata kalime e rrugë paqeje dhe pajtimi dhe aty ku të gjitha duken të mbyllura: të mbyllura nga ashpërsia dhe sëmundja e egoizmit njerëzor; të mbyllura për arsye të dyshimit të lig dhe të meskinitetit, të mbyllura nga urrejtjet dhe ekseset luftënxitëse.

Me gjithë zemër uroj që besimi se “Na vizitoi që lartazi Shpëtimtari ynë” – Perëndia e së vërtetës, e fuqisë dhe e dashurisë – të ndriçojë përditë mendjen tonë, të ngrohë zemrat tona dhe të udhëheqë veprimet tona, duke hapur rrugë nëpër pengesa të shumta të pakalueshme që ngrihen para nesh. Kapërcimi i rrugëve pa krye mbetet mesazh qendror i Krishtlindjeve dhe përvojë personale e të gjithë atyre që jetojnë me Krishtin.

Tiranë, Krishtlindje 1992

+ Anastas
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.