Prej 1 deri më 10 shtator një delegacion i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm, Z. Aleko Dhima, mori pjesë në tubimin e Asamblesë së 10-të të Konferencës Evropiane të Kishave (KEK). Këtu morën pjesë rreth 1000 delegatë e të ftuar të tjerë nga kishat protestante, katolike, orthodhokse, ungjilliste, Luteriane.
Në fillim të punimeve, në një ceremoni të veçantë, u bë pranimi, si anëtare e barabartë me të gjitha kishat e tjera, i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në fjalimin e rastit sekretari i përgjithshëm i KEK-ut, Z. Zhan Fisher, duke folur për Kishën tonë, tha se kjo ishte Kisha që doli më e shkatërruar nga epoka e komunizmit, më e varfër dhe me më probleme se të gjitha kishat e tjera të Evropës Lindore.
Në këtë ceremoni, para 1000 delegatëve dhe të ftuarve të tjerë, anëtarëve të rinj iu dhurua pllakati me simbolin e kësaj organizate ndërkombëtare të kishave. Këtë eveniment me rëndësi të kësaj organizate e përshëndetën përveç delegatëve të tjerë dhe ministri i kulturës i Republikës Çeke e Sllovake, Roman Kovaç, i cili në fjalën e tij i uroi veçanërisht Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të rimëkëmbet sa më shpejt dhe të ecë paralel me të gjitha kishat e tjera simotra.