EmailFacebookKontakt

Ringjallja e objekteve të kultit

Në Shqipërinë e vitit 1944, pothuajse, popullsia e besimit orthodhoks, sipas shtrirjes, ishte më shumë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, përfshirë edhe një bashkësi në Shkodër dhe një pakicë në fshatrat e krahinës së Gollobordës (Dibër). Në këto treva ndodheshin edhe objektet e tjera të Komunitetit Orthodhoks: rreth 800 kisha e rreth 70 manastire, një pasuri shumë e madhe për një vend të vogël si Shqipëria, gjë që është tregues i shkallës së lartë të qytetërimit dhe të respektimit të besimeve fetare. Pas kësaj erdhën vitet e regjimit komunist, që, edhe kur e toleruan fenë, i lanë këto objekte të bëheshin gërmadha e më pas (pas 1967), shumë prej tyre i shkatërruan apo u ndërruan destinacionin, (kisha e Shën Prokopit kthyer në restorant, të tjera në depo etj). Si është gjendja sot?

Në janar-shkurt të vitit 1991 filloi në vendin tonë veprimtaria fetare me hapjen e Kishës Katedrale të Tiranës për Pashkën e Madhe të atij viti, më 31 mars. Më pas filluan tempujt për shërbesat fetare. Fillimisht ajo u krye në baza vullnetare nga besimtarët, pa pagesë, kurse materialet bliheshin me ato shumë pak ndihma dhe dhurata që u bëheshin kishave. Ndërsa, që me riorganizimin e KOASH në muajin gusht 1991, iu kushtua një vëmendje dhe rëndësi e posaçme dhe rindërtimeve e ndërtimeve, si dhe personelit të domosdoshëm teknik.

Me organizimin e Zyrës së Shërbimit Teknik, e cila u krijua nën kujdesin e Kryepiskopit, Imzot Anastasit, në 15 qershor 1992, investimet dhe ndërtimet erdhën duke u shtuar në sasi dhe në cilësi realizimi. Kështu, vetëm për rikonstrukturimin e Kishës Katedrale të Tiranës janë shpenzuar deri tani 1.650.000 lekë të reja, të investuara në sipërmarrje me një ndërmarrje private ndërtimi. Ndërsa nga vetë Zyra e Shërbimit teknik u kryen punimet e veshjes së kubesë me tjegulla tip bizantine, (që zbatohet për herë të parë), punim që ka vlerën e realizuar 100.000 lekë.

Po kështu është vepruar në Kishën e Shën Kollit në Kavajë me sipërmarrjen e ndërtimit të kësaj rrethi, për realizimin e investimit me vleftë rreth 2.000.000 lekë. Punimet e bazamentit të betonit, me sipërfaqe rreth 220 m, të kësaj kishe u kryen me sipërmarrje nga NN Industrial në Fier, me vlerë 145.000 lekë, ndërsa punimet e jashtme, me vleftë rreth 55.000 lekë u kryen nga Zyra e Shërbimit Teknik. Vetëm për rrethimin e jashtëm me kangjella hekuri për këtë kishë, me vlerë 2.500 lekë, janë realizuar deri tani 500.000 lekë, kurse pjesa tjetër do të realizohet brenda vitit ’92. Gjithashtu, ka filluar puna në Kishën e Shën Kollit të qytetit të Kavajës.

Vëmendje të posaçme po i kushtohet qytetit të Selenicës të Vlorës për ndërtimin e Kishës së Shën Thanasit, për të cilën kanë përfunduar projektet dhe nga fundi i muajit nëntor do të fillojë puna për realizimin e fazës së parë prej 300.000 lekë (ndërsa e faza e dytë do të vazhdojë në vitin 1993). Puna kryesore e zyrës është përqendruar në Tiranë, pasi edhe vështirësitë dhe pagesat janë hajatet e Kishës. E gjithë administrata e KOASH, si dhe Zyra e Shërbimit Teknik, nuk kanë asnjë ambient pune dhe të gjithë mblidhen dhe punojnë nëpër shtëpitë. Pra, ishim të detyruar të zgjidhnim këtë rrugë, me punime që kapin vlerën 1.250.000 lekë. Ato do të realizohen në sipërmarrje me NN Industriale Nr. 1 Tiranë.

Përveç sa më sipër, aktivitetin e saj zyra e ka shtrirë edhe në rrethet e Durrësit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës, duke dhënë ndihmesën e saj modeste në zgjidhjen e problemeve të ndryshme teknike dhe financiare, duke mos lënë në asnjë rast pasdore edhe punën projektuese, pasi për objektet e kultit orthodhoks na mungon eksperienca dhe zbatimi i tyre në praktikë.

Në sajë të kujdesit dhe interesit të Hirësisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili është angazhuar totalisht për ringjalljen e besimit dhe objekteve të Komunitetit Orthodhoks, shpresojmë se do të gjejmë përkrahje dhe ndihmë nga specialistët e ndërtimit. Kjo për zbatim dhe projektim, duke u dhënë vendin dhe ngarkesën që u takon instituteve të projektimeve dhe zyrave të urbanistikës, bashkëpunim i cili ka filluar nga zyra jonë në disa rrethe.

Përfundojmë këto shënime informuese, duke shpresuar që në të ardhmen e afërt, me ndihmën e Zotit, të fillojmë të shohim rezultatet e para të punës për ndërtimin dhe riparimin e kishave dhe e manastireve. Që të mundim kështu të justifikojmë sadopak përpara Zotit dhe besimtarëve dëshirat e tyre për ringjalljen e fesë, e cila shihet e fuqishme sidomos në brezin e ri.

Ing. Petrika Shalësi
Përgjegjës i Zyrës së Shërbimit Teknik të KOASH