Po mbushen dalëngadalë dy vjet që kur në qytetet dhe fshatrat tona njerëzit filluan sërish t’i drejtojnë sytë nga tempujt e Zotit.
Kaq e pati, fryma e Urrejtjes, e Terrorit! Me ardhjen e Demokracisë, frika mbaroi! Si gjithë besimtarët e tjerë, edhe ata orthodhoksë morën në dorë kishat, i zbrazën nga plehrat e sendet e kota të një kohe të çmendur, dhe po ia kthejnë qëllimit për të cilin i patën ndërtuar të parët tanë: Adhurimit të Perëndisë.
Le ta përjetojmë thellë këtë moment, le t’i shmangemi asaj mënyre të rëndomtë të menduari që i zbeh gjërat, e cila jo vetëm ndryshimin rrënjësor të dhjetorit ’90 e quan ndërrim regjimesh të thjeshtë, por edhe rigjallërimin e fesë, këtë ripërtëritje shpirtërore të njeriut, mund ta konsiderojë vetëm një kthim tek një zakon i mëparshëm, dhe kaq.
Ngjarjet historike marrin drejtim të mbarë nga pjesëmarrja e vazhdueshme dhe aktive e qytetarëve. Sot ajo është e diferencuar. Ka nga ata që rrinë të vakët, gati spektatorë të pandieshëm dhe përbëjnë një masë amorfe, e cila e ndihmon shumë pak ecjen e shoqërisë. Por ka të tjerë që këtë kthesë të papritur në Demokraci, e ndjejnë thellë, dhe me një lehtësim të madh shpirtëror, falenderojnë Zotin pa pra për lirinë e rifituar. Këta i përkasin kategorisë vërtet pozitive shoqërore, sepse vuajtja, sado e madhe, duke i pasuruar shpirtërisht, i bën të gatshëm të lënë mënjanë rivalitete e inate të djeshme për hir të harmonisë që do na çojë në një të nesërme më të mirë për të gjithë. Ata e duan Drejtësinë, por janë dhe shpirtgjerë ndaj gjynahqarëve të vegjël rrotull tyre, të cilët i konsiderojnë pak a shumë, si bashkudhëtarë e bashkëvuajtës.
Ekziston, më në fund, një kategori e tretë, më problematike, e atyre që e kaluara e hidhur i ka dëmtuar rëndë, mbasi vështirësitë e saj i kanë përjetuar jo me durim e përvuajtësi, si prova të dërguara nga Zoti, por me një zemërim e armiqësi në rritje kundrejt tërë atyre që (drejt o gabim), këta i konsiderojnë shkaktarë të atyre vuajtjeve.
Dihet se ai që hidhërohet tepër, tej mase, nga mungesat e dështimet personale, zhvillon një armiqësi për gjithkënd, po ashtu edhe ai që vuan tej mase për suksesin e pamerituar të tjetrit. Në këtë kategori të pakënaqurish që përziejnë drejtësinë me hakmarrjen, hyjnë edhe ata që gjatë shtrëngimeve të regjimit të djeshëm kanë lëshuar nga dinjiteti i vet, dhe sot për të kompensuar disi, kërkojnë t’ua hedhin të tjerëve përçmimin që i mundon.
Nga sa u tha, del se njeriun nuk mund ta çmojmë drejt duke e shikuar nga përkatësia klasore, fetare o krahinore, racore ose kombëtare: kudo gjejmë të mirë e të këqinj. Nëse duhet vendosur një kriter, mund të themi se vlejnë vetëm vetitë personale. Vetëm ai që ka dashuri e që beson mund të ndërtojë, jo ai që dyshon, që urren.
Askush nuk e di përveç Perëndisë dhe ndërgjegjes së secilit, sesi kemi dalë nga prova e gjatë e Tiranisë. Pasi nga ata që braktisën jo vetëm kishën fizike, atë që e reduktuan në 2-3 ikona dhe një kandil, mund të rezistonte në intimitetin e shtëpive, por tradhtuan edhe atë të padukurën, që secili e ruan me besim e durim në thellësinë e ndërgjegjes së vet. Ka pasur nga ata që rezistuan, duke meshuar e duke vizituar kisha fshehtas, por pati të tjerë, që duke harruar se jeta e tyre është në dorën e Perëndisë, patën frikë të tepëruar dhe hynë me të gjitha fuqitë e tyre në luftën e klasave, që të dilnin sa më të mirë me Pushtetin zyrtar e duke u distancuar me zell nga ata që ishin të “liq” për të…
E tërë kjo kohë ka qenë një shfaqje e dhimbshme e dobësisë njerëzore. Por edhe pse na brejnë, na zemërojnë e na neverisin ato kujtime, duhet përpjekur për ta kuptuar secilin në mjerimin e vet. Vetëm Perëndisë i takon të gjykojë. Veçse orvajtja për të dhënë mend, kur ke në aktiv disa përvoja të tilla, krejt negative, është e papranueshme. Eshtë e papranueshme që pa njohur Historinë dhe praktikën e Kishës në mënyrë të plotë, të japësh zgjidhje të gatshme, e të dekretosh faje e merita djathtas e majtas. Akoma më pak e lejueshme është të marrësh qëllimisht fragmente të vërtetash, ose dhe fakte të ndryshuara, për të sajuar me to tablo të ngutura historike, vetëm që të përligjësh disa paragjykime të ngurtësuara. Këto tregojnë dëshirë për të ndaluar, për të prishur, jo për të ndërtuar.
Fusha e keqkuptimeve është e gjerë. Ekziston mendimi se lutja është një fakt personal, ndaj feja mund të ekzistojë pavarësisht nga tempulli. Me këtë injorohet qëllimisht ose nga padije, se të mbledhurit e besimtarëve në kishë, përbën kushtin biblik që lutja të gjejë rrugën për tek Perëndia, dhe ky është etimologjikisht kuptimi i ekklesias. Kjo lutje, e zgjeruar në kufinj universalë, përbën nocionin e Kishës së Përgjithshme e Apostolike, që përmendet në Simbolin e Besimit.
Në këtë vështrim, Kisha, megjithëse numerikisht më e ngushtë se Shoqëria ose Shteti, ndikon moralisht mbi ta me ligjësitë e saj të dashurisë e paqes. Kurse ligjësitë e tyre ajo kurrsesi nuk mund t’i futë në brendësi të saj sepse kjo do të alternonte thelbin e saj.
Cili njeri i kishës do të adoptonte kritere jo kishtare për të rregulluar punët e kishës, dhe nuk do të dilte pastaj shkelës jo vetëm i traditës por edhe i Ungjillit? Ka vetëm një ligjësi: Të ruhet fryma e Krishtit, që kisha të mbetet Trupi i Tij.
Shumë e keqkuptojnë kishën kur shohin tiparet e saj tokësore, meqë ka administratë, përdor paranë, mban lidhje me pushtetin temporal etj. Një tjetër keqkuptim lind kur i veshin Kishës një lloj “konformizmi”, meqë në shërbesat e saj lutet për pushtetin e kohës (mbret o president), për ushtrinë etj, dhe meqë besimtarët janë zakonisht më të bindurit e qytetarëve. (Madje Kisha i lutet për autoritetin, edhe kur ky nuk i bën mirë detyrat ndaj Zotit e njerëzve). Ajo nuk e bën këtë për konformizëm, por sepse e di fort mirë që arbitri i gjithçkaje është Zoti, dhe është nëpërmjet tij që mund të ndriçohet mendja edhe e një tirani, ashtu si mund të errësohet ajo e një të miri! Kisha është krijesa e amëshuar e Zotit, dhe detyra e misioni i saj është lutje e vazhdueshme. Fjala e Krishtit: “Duaje armikun tënd”, e vendos atë tërësisht jashtë ligjësive tokësore. Ajo i mëson besimtarët të zbatojnë edhe këtë porosi të vështirë, që çon në paqe, me anën e kërkimit tek tiparet e çdo njeriu të shembëlltyrës së Perëndisë. Në qoftë se besimtarët nuk do ta zbatonin këtë porosi, në qoftë se nuk do të bënin përpjekje në këtë drejtim, atëhere fytyra e gjithsecilit prej njerëzve do të na ngacmonte me tiparet e një rivali në luftën për ekzistencë, dhe nuk do të vononte çasti që do të shihnim tek ajo vetëm tiparet e armikut, që duhet luftuar e zhdukur. Atëherë telat me gjemba dhe bunkerët nuk janë larg.
Kisha është një institucion i Dashurisë për Perëndinë dhe njerëzit, dhe vetëm me dashuri mund të jetojë e të lulëzojë.
LEKA TASE