EmailFacebookKontakt

Filloi mësimet shkolla Teologjike – ieratike në Durrës

Para një viti qe gati e paimagjinueshme një shkollë fetare orthodhokse. Dy vjet më parë qe një ëndërr, madje, edhe hapja e një kishe. Regjimi ateist kishte luftuar aq fort kundër besimit, sa dikush kishte frikë edhe të shpresonte. Por, me ndihmën e Zotit, që ka fuqinë të hapë çdo derë të mbyllur, pak nga pak akulli u shkri dhe moti i mirë po i ngroh sërish zemrat e besimtarëve.

Një shenjë e kësaj pranvere të besimit është dhe hapja e Shkollës Teologjike – ieratike Orthodhokse në Durrës. Fillesa e tij është në kursin e zhvilluar në muajt e parë të vitit, prej nga u seleksionuan kuadrot e parë të kishës për dhjakë, priftërinj apo studime jashtë vendit. Mbi bazën e atij kursi, më 9 nëntor filluan mësimet e seminarit. Ai do të vazhdojë deri në maj, i frekuentuar nga 35 nxënës, të seleksionuar nga kursi i mëparshëm dhe po aq të rinj.

Drejtor do të jetë at Ilia Ketri nga diaspora e SHBA, dhe mësimet do të zhvillohen nga pedagogë shqiptarë dhe teologë të huaj, të ftuar për të mbajtur leksione për kurse të veçanta.

Çelja e mësimeve u bë me një ceremoni të thjeshtë, ku mori pjesë edhe Kryehirësia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastas, i cili drejtoi ritin e ajazmës (bekimit të ujit), për të bekuar mbarëvajtjen e mësimeve. Gjithashtu Imzot Anastasi u foli nxënësve për misionin e KOASH, rolin që ata do të kenë në ringjalljen e saj dhe ndoqi një orë mësimi.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i KOASH, z. Aleko Dhima, pedagogë që do të japin mësim në seminar etj.