EmailFacebookKontakt

Deklarate e klerikeve te kishes orthodhokse autoqefale te shqiperise

Ne klerikët shqiptarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale, të indinjuar nga veprimet keqdashëse kundër Kishës sonë pas fronëzimit më 2 gusht të Fort të Lumturit Kryepiskopit tonë Anastas, deklarojmë:

1. Ne meshtarët e Kishës Orthodhokse, predikuesit e Ungjillit të Krishtit që kemi marrë mbi supe të udhëheqim si barinj shpirtërorë besimtarët e famullive tona, i rezervojmë vetes bashkë me dashamirësit orthodhoksë të drejtën e administrimit të përgjegjshëm të punëve në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

2. Këtë të drejtë ne e ushtrojmë pa asnjë ndërhyrje ose presion nga ndonjë grup ose Kishë jashtë shtetit, as edhe nga ndonjë ndikim brenda shtetit. Më të moshuarit prej nesh kemi hequr të zinjtë e ullirit nga persekutimi i egër ateist, ndërsa ne më të rinjtë pranuam hirotoninë me vendimin që t’ia kushtojmë gjithë jetën shërbimit të Kishës dhe të besimtarëve tanë.

Mbështesim plotësisht Deklaratën e Këshillit të Përgjithshëm Kishëtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të 13 gushtit dhe duke shtuar nënvizojmë se me zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në postin e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, asnjë episkop nga Kishat e tjera Orthodhokse fqinje apo të largëta gjeografikisht në bazë të së Drejtës Kanunore të Kishës Orthodhokse, nuk mundet të ndërhyjë më në enoritë Orthodhokse në Shqipëri.

3. Në mënyrë të veçantë theksojmë se veprimet e Kryesisë së Kishës dhe Patrikanës Ekumenike për zgjedhjen dhe fronëzimin e Kryepiskopit është në pajtim me Kanunet tona kishëtare dhe nuk cënojnë interesat e shtetit dhe të kombit, përkundrazi ngritja dhe përparimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me në krye Fort të Lumturin Imzot Anastas, ierark që gëzon vlerësim të veçantë në botën kishëtare ndërkombëtare, siguron njohjen e Kishës sonë në mbarë botën dhe mbron Autoqefalinë duke u bërë faktor stabiliteti.

4. Mungesa e kandidatëve të përshtatshëm shqiptarë për episkopë dhe nevoja e domosdoshme për Kishën tonë që të ekzistojë dhe të njihet si e barabartë mes të barabartave me Kishat e tjera të botës, na nxiti që të pranojmë zgjidhjen e urtë të zgjedhjes dhe të fronëzimit të një ierarku orthodhoks të autoritetit ndërkombëtar të cilit i njohëm shumë mirë nga afër ndershmërinë, kulturën, jetën, vetsakrificën dhe aftësitë e tij të shumanshme.

5. U drejtojmë thirrje gjithë besimtarëve orthodhoksë shqiptarë, si edhe besimtarëve myslymanë dhe katolikë dhe të besimeve të tjera të respektojnë vendimin e Kishës sonë të pavarur.

Gjithashtu, u drejtohemi autoriteteve qeveritare, me frymën e re të demokracisë dhe duke u bazuar në dokumentat ndërkombëtare mbi lirinë fetare, të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në vendimet tona kishëtare. Njëkohësisht, kërkojmë që mjetet e informacionit masiv të shmangin njëanshmërinë kur trajtojnë çështjet kishëtare. Sqarojmë se vetëm Kryesia e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka kompetencën të informojë dhe të sqarojë për punët e saj.

6. Si meshtarë të Zotit, ne falemi vazhdimisht për paqen e botës, për Presidentin, Qeverinë, ushtrinë dhe për gjithë popullin e Shqipërisë, me shpresën dhe besimin te Perëndia se çdo gjë do të mirëkuptohet për mbarëvajtjen e Kishës dhe të kombit.

Tiranë, 25 gusht 1992