EmailFacebookKontakt

Problemet e orthodhoksisë shqiptare u takon t’i zgjidhin vetë besimtarët orthodhoksë

Nuk pranojmë që në punët e brendshme të fesë sonë të ndërhyjnë fetë e tjera edhe aq më tepër individë të caktuar, sidomos ata që nuk i përkasin fesë sonë. Jemi një fe që kemi respekt për të gjithë fetë e tjera që ushtrohen në Shqipëri. Po kështu duam që edhe ne të na respektojnë të tjerët dhe të mos përzihen në punët tona, sepse kohët e fundit po flitet shumë në shtyp nga persona keqdashës në mënyrë shumë tendencioze kundër Kryepiskopit tonë, Hirësisë së tij Anastas, vetëm e vetëm pse është me kombësi greke. Atëherë, sipas logjikës së këtyre njerëzve edhe Papa, që është me kombësi polake, nuk duhet të qëndrojë në Romë dhe as imzot Ivan Diaz nuk mund të jetë arqipeshkv i katolikëve shqiptarë. Por puna qëndron në faktin se disa njerëz, me qëllime të caktuara duan të futin përçarje në fenë tonë, por qëllimet e tyre të mbrapshta nuk do të realizohen kurrë përpara forcës së madhe që ka feja jonë, e cila i ka rezistuar të gjitha kohëve. Megjithë persekutimin e madh dhe shkatërrimin e pashembullt që pësoi nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës ajo mbeti e gjallë dhe u rrit në zemrat e besimtarëve dhe falë punës shembullore, zotësisë, urtësisë dhe mençurisë së Kryepiskopit tonë që përkrahet nga qindra mijë besimtarë orthodhoksë të vërtetë shqiptarë, si dhe nga orthodhoksët e gjithë botës. Kisha jonë Autoqefale po i ngre kryet gjithmonë lart edhe më lart dhe po rimëkëmbet me fizionominë shqiptare, prandaj nuk lejojmë që emri i këtij kleriku të nderuar të merret nëpër gojët e këqia, si gjoja i padëshiruar për orthodhoksët e vendit tonë. Por ne u themi të gjithë atyre që nuk na duan dhe përpiqen të krijojnë përçarje kombëtare: Jemi ne orthodhoksët, që vendosim për këtë, prandaj na lini rehat në punën tonë, sepse dimë ta dallojmë të mirën nga e keqja. Tek ky person nuk shohim veç të mirë, pra e keqja jeni ju.

Madje, në një gazetë shkruhet se Kryehirësia e Tij Anastasi “pati paturpësinë të marrë pjesë në 70-vjetorin e Autoqefalisë së Kishës Shqiptare organizuar në Korçë, dhe se besimtarët korçarë u treguan tolerantë që pranuan në këtë festë demonin ogurzi të megallidesë” – vëreni me ç’fjalor rrugësh flet autori i nderuar, por gabohet. Populli i kulturuar i Korçës e ftoi vetë, u gëzua dhe e konsideroi nder dhe respekt ardhjen dhe marrjen pjesë të Fortlumturisë së Tij Anastas në këtë ceremoni.

Ju kujtojmë edhe njëherë zotërinj, që ne nuk kemi qenë dhe as jemi kundër fesë islame, të cilën e respektojmë dhe do ta respektojmë vazhdimisht, po ashtu edhe fenë katolike, me të cilat feja e jonë ka bashkëjetuar miqësisht, duke u bërë kështu një mjet i unitetit kombëtar që është kaq i dëshiruar veçanërisht në ditët tona. Ne kurrë nuk jemi bërë zëdhënës të një lufte fetare dhe mos kujtoni se si pakicë që mund ta pandehë dikush, feja jonë mund të mposhtet a të zhduket. Nuk na merrni dot nëpër këmbë, sepse jemi një fe shumë e fortë, jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës, dhe si shoqatë e Bashkimit të Orthodhoksëve të Shqipërisë Fan S. Noli po ju lutemi që ta ndërprisni luftën kundër orthodhoksisë dhe ta lini rehat Kryepiskopin tonë Anastasin, që po punon me devotshmëri për forcimin e autoritetit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për derisa të zëvendësohet denjësisht nga një tjetër me kombësi shqiptare.