EmailFacebookKontakt

Shenja e kryqit

I tërëmiri Perëndi na dhuroi shumë gjëra. Por një nga dhuratat e Tij më të mëdha është shenja e Kryqit.

Me Kryqin bekojmë misteret e dëlira.

Me Kryqin hapim Parajsën.

Me Kryqin dëbojmë demonët dhe i djegim.

Por, së pari, ne duhet të kemi duart tona të pastra e të panjollosura nga mëkatet.

Dhe vetëm kështu, me bërjen e shenjës së kryqit, mund të dëbohet dhe të digjet djalli. Por, në qoftë se vetë jemi të ngarkuar me mëkate, atëherë kryqi që bëjmë nuk zihet (nuk ka vlerë).

Pra, vëllezër të mi, qoftë kur hani, qoftë kur pini verë ose ujë, qoftë kur shëtitni ose punoni, kryqi të mos ju mungojë kurrë.

Dëgjoni, o të Krishterë të mi, se si duhet të bëhet kryqi dhe çfarë domethënie ka. Ungjilli i Shenjtë thotë:

Trinia e Shenjtë, Perëndia, lavdërohet në qiell nga ëngjëjt. Por ti nuk mund të ngjitesh në qiell që t’i falesh Atij. Dhe atëherë ç’duhet të bësh?

Bashko të tre gishtërinjtë e dorës tënde të djathtë. Vendose dorën tënde në kokë (në ballë) dhe thuaj:

Ashtu si ju, o ëngjej, lavdëroni Trininë e Shenjtë në qiell, kështu edhe unë, si shërbëtor i padenjë, e lavdëroj dhe i falem Trinisë së Shenjtë. Dhe këta tre gishtërinj, siç janë të ndarë janë dhe të bashkuar. Kështu edhe Trinia e Shenjtë – Perëndia. Janë tri fytyra, por vetëm një Perëndi.

Pastaj e zbret dorën tënde nga koka dhe e vendos në bark, duke thënë: Të falem dhe të adhuroj, Zoti im, sepse pranove dhe u trupëzove në barkun e hyjlindëses për mëkatet tona.

Vendose pastaj dorën tënde në supin e djathtë, duke thënë: Të lutem, Zoti im, të më falësh dhe të më vendosësh në të djathtën Tënde bashkë me të drejtët. Vendose në vazhdim në supin e majtë, duke thënë: Të lutem, Zoti im, mos më vendos nga e majta ku janë mëkatarët.

Pastaj, duke u përkulur thellë deri në tokë, thuaj: Të lavdëroj, Perëndia im, të lutem dhe të adhuroj, sepse siç zbrite ti në varr dhe në ferr, kështu do të zbres edhe unë.