Pyetja kryesore që mësuesi i ligjit i mbrojtur i parashtroi Iisuit ishte: “Dhe kush është i afërmi im”. Por Zoti, me paravolinë e Samaritanit të mirë, e vë pyetjen në një kuadër tjetër, të ndryshëm. Pyetja e bashkëbiseduesit të tij ishte se cili është objekti i dashurisë, kush duhet të konsiderohet “i afërm”. Krishti me anën e paravolisë pyet se kush veproi si i afërm, domethënë ia kushton vëmendjen subjektit të dashurisë: “cili nga këta të tre të duket se u bë i afërm?..”. Bën pra kundërpyetjen dhe zgjeron pamasë horizontin mbi problemin e diskutueshëm.
Çlirimi nga çdo ndërvartësi racore-fetare.
a) “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”, ishte një porosi e vjetër për judenjtë. Por pika kritike për të cilën ka pasur shumë diskutime, ka qenë se kush duhet të quhet i afërm. Në bazë të Ligjit judaik koncepti “i afërm” shpesh herë ishte i turbullt dhe i kufizuar. Për shembull, disa mësues ligjesh pretendonin se është e paligjshme që të ndihmosh një grua pagane në dhimbjet e lindjes, sepse prej saj ka për të lindur një fëmijë tjetër pagan. Për Farisejtë, populli i thjeshtë, i pashkolluar, nuk konsiderohej “i afërm”. Nga ana tjetër, Essenjtë shikonin si të afërm gjithë ata që i përkisnin komunitetit të tyre dhe predikonin urrejtjen kundër çdo “pjellje të errësirës”.
Po ta shohim nga këndvështrimi sjelljen e priftit dhe të Levitit, do të duhet që t’ju japim atyre disa lehtësira. Nga do ta dinin ata atë që “kish rënë në duart e kusarëve”, për ta konsideruar të afërm? Prifti shpejtoi të largohej nga vendi i krimit jo vetëm nga frika e kusarëve, por edhe nga dyshimi se njeriu që kishte para tij qe tashmë i vdekur dhe, për pasojë, duke iu afruar do të infektohej dhe kështu nuk do të kishte mundësinë që të kryente detyrat e tij priftërore në tempull.
Leviti, paksa më kurajoz, iu afrua të plagosurit, por sapo konstatoi gjendjen e tij, mbizotëroi në qënien e tij ndjenja e vetëruajtjes. Siguria e tij rrezikohej; ajo merrte përparësi. Në analizë të fundit, nuk është vetëm frika ajo që e frenon; është i tërë sistemi i të menduarit, brenda të cilit ka mbirë dhe zhvilluar shpresëtaria e tij.
b) Zoti, me rrëfimin e paravolisë, konceptin (kuptimin) “i afërm” e çliron nga ndërvartësitë gjeografike, racore, fetare. Mësuesi i ligjit judas kërkon caqet e kuptimit “i afërm” dhe Krishti thekson se nuk ka kufinj në detyrën e dashurisë. I afërm është çdo njeri që gjendet në nevojë, pa dallim kombësie, race, besimi fetar, klase shoqërore dhe përgjegjësie për gjendjen e tij. Ajo që është me rëndësi është njeriu, si ikonë e Perëndisë. Dhe problemin thelbësor nuk e përbën se kush “është” i afërm, por ajo se si do të bëhemi të afërm për çdo njeri që ka nevojë për ndihmë. Fjala nuk është për një kuptim statik – cilët janë, por për një kuptim dinamik – cilët bëhen të afërt.
Paravolia e samaritanit të mirë (Luk. 10:25-37):
25. Dhe ja, njëfarë dijetari i ligjeve u ngrit për ta ngacmuar, e i tha: Mësuese, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e amëshuar? 26. Dhe ai i tha: Çfarë është shkruar në ligj? Ç’lexon aty? 27. Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: “Të duash Zotin, Perëndinë tënde, me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd, dhe me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd, si veten tënde”. 28. Dhe Iisui i tha: Drejt u përgjigje; bëj këtë e do të jetosh. 29. Por ai, duke dashur të shfajësohej, i tha Iisuit: Dhe cili është i afërmi im?
30. Dhe Iisui, duke iu kundërpërgjigjur, i tha: Një njeri po zbriste nga Jeruzalemi në Jeriho dhe ra në dorë të kusarëve, të cilët, si e zhveshën dhe e plagosën, ikën, duke e lënë gjysëm të vdekur. 31. Dhe, rastësisht, nëpër të njëjtën rrugë po zbriste një prift, dhe kur e pa atë kaloi tutje në anën tjetër. 32. Kështu edhe një Levit, si arriti në atë vend dhe e pa, kaloi tutje në anën tjetër. 33. Por, një Samaritan që ishte në udhëtim, arriti pranë tij; dhe kur e pa, i erdhi keq. 34. Dhe, si iu afrua, ia lidhi plagët, duke u hedhur sipër vaj dhe verë; pastaj e vuri mbi kalin e tij, e çoi në një bujtinë, dhe u kujdes për të. 35. Dhe ditën tjetër nxori dy dinarë, ia dha bujtinarit, e i tha: Kujdesu për të; dhe ç’të shpenzosh më shumë, kur të kthehem, do ta jap unë. 36. Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve? 37. Dhe ai u përgjigj: Ai që tregoi mëshirë për të. Iisui i tha: Shko, e bëj edhe ti kështu.
c) Zoti, me përshkrimin e Tij apokaliptik nuk zgjeron thjesht kuptimin “i afërm”, por Ai bën, njëkohësisht, një kritikë të ashpër në mendësinë fetare të kohës së vet, duke parashtruar drejtpërdrejt edhe një pyetje tjetër të thekur: Kush e ka ndjesinë për ta kuptuar në mirë vullnetin e Perëndisë, për të zbuluar domethënien më të thellë të porosisë për dashuri ndaj të afërmit? Kush, më në fund, i përmbahet ligjit? Ata që merren zyrtarisht me tipikun liturgjik dhe fetar, priftërinjtë dhe levitët apo një i huaj, jashtë ndërhyrjes judaike orthodhokse, si Samaritani, që bashkënjeriun e tij e sheh me sy të pastër dhe me një zemër ndjenjash spontane, pa paramendime fetare dhe racore? A nuk është ai që u përgjigjet në praktikë nevojave të të afërmit të panjohur dhe anonim?
Sa i ri, por edhe sa i vështirë për t’u pranuar ishte ky mesazh i Krishtit, vërtetohet edhe nga fakti që edhe sot akoma nuk pushoi së qenuri stimulues.
Admirim ndaj Samaritanit dhe imitim i Levitit?
Teorikisht, në pikëpamje mendore pajtohemi me këtë dimension të ri të kuptimit të të “afërmit”, që përcaktohet në paravolinë e Samaritanit të mirë. Por në fakt, ç’ndodh në praktikën e jetës? Për fat të keq, këtu vihet re shpesh një skizofreni e veçantë fetare: e admirojnë Samaritanin e mirë dhe imitojnë padashje dhe “për vijueshmëri” – priftin dhe levitin, si klerikët ashtu edhe laikët. Po ta ngacmojmë sadopak mendimin tonë do të na kujtohen shumë gjëra edhe nga sjellja jonë, por edhe nga qëndrimi i të tjerëve.
Pra, problemi kritik në jetën tonë është se si nga pajtimi mendërisht me mesazhin e paravolisë së sotme do të avancojmë në bindjen e qënësishme. Nga pranimi semplist i “dashurisë ndaj të afërmit” në përjetimin e saj faktik. Për të ardhur në ndihmë kësaj le të shohim disa karakteristika të dashurisë, ashtu siç zbulohen këto në sjelljen e heroit të thjeshtë të paravolisë.
E para, që buron spontanisht nga fragmenti ungjillor, është se dashuria fillon me një pjesëmarrje aktive personale, se nuk mbetet në një ndjenjë fisnike të thjeshtë e të përcaktuar. Samaritanit i dhimbset dhe kujdeset për udhëtarin gjorë. Vrapon drejt tij i paftuar. Ai nuk merret me ligësinë që kanë bërë kusarët apo me indiferentizmin dhe mosbindjen që treguan të tjerët. Për vete, ai bën detyrën e tij.
Çështja thelbësore nuk është ç’bëjnë apo ç’nuk bëjnë të tjerët, por si sillemi ne në situata të caktuara konkrete.
Elementi i dytë, bazë, është se dashuria kushton. Eshtë një heqje dorë e dhimbshme nga ato gjëra që kemi të drejtë për t’i gëzuar – paraja, koha, planet tona, gjërat e nevojës së parë. Samaritani vonohet në rrugën që kishte nisur, ecën më këmbë, vë në dispozicion të të plagosurit çdo gjë që kishte. Të mirën dashuria nuk e lë përgjysëm. Në qoftë se shpesh herë jemi të paaftë për ta imituar atë, kjo vjen nga që do të donim të ushqenim një dashuri me kompensim. Ai që vendos të tregojë dashuri, duhet të jetë i vendosur që të privohet nga disa të drejta dhe të mira të tij.
E treta, dashuria nuk kushtëzohet me shkëmbime kompensuese. Ajo është e çliruar nga ankthi i pohimit të mirënjohjes. Ajo nuk vepron, që të duket, që të lavdërohet. Samaritani të mirën e bën në shkretëtirë, pa pritur ndonjë gjë në shkëmbim të saj. Këtu qëndron madhështia e paanshme, një pavarësi spirituale.
Së fundi, dashuria është forcë e paqme, më e fuqishme edhe se vdekja. Nuk po i referohem vetëm në shpëtimin e të plagosurit, por kryesisht në mposhtjen e frikës së vdekjes. Samaritani ecën i qetë, me vendosmëri, me burrëri, duke mos marrë parasysh vdekjen. Sepse “dashuria e përjashton frikën”. Me këtë fitore mbi çdo lloj frike, njeriu fiton një ekuilibër të brendshëm të thellë dhe një pjekuri unikale.
“Cili nga të tre të duket se u bë i afërm i atij që ra në duart e kusarëve?” pyet secilin prej nesh Zoti në çastin solemn të Meshës hyjnore. Përgjigjen e di truri ynë: “Ai që bëri përdëllim mbi të”. Por kjo nuk është e mjaftueshme. “Ecë edhe ti dhe bëj kështu”. Jetoje përgjigjen me jetën tënde personale, e cila do të fillojë menjëherë pas Liturgjisë, në rutinën e përditshme. Jeto me një pjesëmarrje personale në dhimbjen e të afërmit, të çdo të afërmi, me një dashuri që kushton, që nuk kërkon njohje shpërblimi, me një dashuri të paqme dhe të vendosur, të aftë për të mposhtur vdekjen.
+ Anastas