Të dielën 22 nëntor, Fort i Lumturi, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, dha Meshë Hyjnore në Kishën Kryeëngjëlli Mihail në Gjirokastër. Në këtë Meshë Imzot Anastasi hirotonisi dhjakonin Mihail Masho në prift. Në predikimin e shenjtë të kësaj meshe krahas të tjerave Kryepiskopi Anastas theksoi:
Vizioni, lutja dhe përpjekja jonë është të shohim sa më shpejt klerin e ri dhe të aftë shqiptar të meshojë në Kishat tona.
Mbasditen e së dielës në kinoteatrin e qytetit të Gjirokastrës Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë të rrethit organizoi një takim të gjerë të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastas, me intelektualët e këtij rrethi. Ligjërata e Imzot Anastasit pas një analize teologjike të termave përbërës të emrit Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, paraqiti veprimtarinë e deritanishme të Kishës, problemet kryesore të saj në stadin e tanishëm, si edhe mundësitë e zhvillimit perspektiv të saj në të cilat është përqëndruar aktualisht e gjithëpërpjekja e Kishës sonë.
Mesazhin qëndror të ligjëratës së Kryepiskopit e përbën thirrja drejtuar intelektualëve që “të marrin pozita përgjegjësie e inisiativa, të venë në përdorim dijet, përvojën dhe autoritetin e tyre në përpjekjen rindërtuese të Kishës sonë”.
Si ligjërata ashtu edhe përgjigjet që Kryepiskopi u dha pyetjeve të drejtuara, gjetën admirimin e aprovimin e pjesëmarrësve.
Ky aktivitet mbresëlënës pati jehonë të madhe në rrethet intelektuale, dhe gjeti një pasqyrim të plotë si në shtypin lokal, ashtu edhe në radion lokale për të cilën Kryepiskopi dha edhe një intervistë.