Në themel të doktrinës së krishterë orthodhokse janë parimet e Ungjillit të shenjtë të Krishtit: të paqes, të pajtimit e të mirëkuptimit me të gjithë, pa asnjë dallim e paragjykim, të çdo natyre qofshin; fetare, kombëtare, krahinore, racore a partiake. Janë ato parime që udhëheqin sot tërë botën e krishterë, që janë bazat e qytetërimit bashkëkohor, të zhvillimeve të vrullshme përpara, të sotme e të ardhme.
Duke lajmëruar epokën e re të shpëtimit të njerëzimit nga mëkati i Adamit dhe i Evës, Zoti Perëndia jonë, Iisu Krishti, me veprën dhe fjalën e Tij hyjnore, të perëndishme, themeloi doktrinën kristiane e na la Dhiatën e Re, testamentin e ri të Perëndisë së Trinishme, ato parime bazë që udhëheqin Kishën e shenjtë apostolike orthodhokse të Tij dhe gjithë komunitetin orthodhoks shqiptar.
Në jemi për paqe e mirëkuptim. Eshtë një nga traditat më të bukura që ka shqiptari ajo e mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve fetare. Eshtë fakt pozitiv historik që këto komunitete kanë shkuar gjithmonë mirë bashkë, në paqe e harmoni, kanë hyrë e kanë dalë midis tyre, si miq e shokë, si të barabartë; kanë luftuar së bashku dhe kanë mbrojtur njëri-tjetrin kundër armiqve të përbashkët, kanë respektuar dhe kanë nderuar ndjenjat dhe besimin e tjetrit. Kështu ndodh edhe sot e gjithë ditët.
A nuk duhet ta çojmë më tej këtë traditë të bukur? Në fakt populli me urtësinë dhe mençurinë e tij të madhe, kështu ka vepruar dhe kështu vazhdon të veprojë. Këtë do dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Por ka njerëz, të cilëve nuk u pëlqen kjo gjendje dhe kërkojnë të hedhin benzinë e zjarr njëherësh, të përçajnë kombin mbi baza fetare, çka do të çonte në një tragjedi të re kombëtare, edhe më të keqe se kolera komuniste që sapo kaluam. Pa paqe, pa mirëkuptim e tolerancë në çdo sferë të jetës, aq më tepër të asaj shpirtërore e fetare, nuk mund të shkohet drejt Evropës ku duam të hyjmë. Lufta që po zhvillohet sot kundër KOASH-it, Këshillit të saj të Përgjithshëm e klerit orthodhoks në përgjithësi, me pretekste nga më absurdet e më të palogjikshmet, është një luftë e paprincip e keqdashëse, që ndjell përçarje e armiqësi ndaj komunitetit të krishterë orthodhoks e rrjedhimisht midis feve e komuniteteve fetare. Dhe është po ajo frymë djallëzore që më 1967 filloi luftën së pari kundër Kishës sonë Orthodhokse, – fakt ky tashmë i njohur botërisht e zyrtarisht, me shkatërrimin e kishës së Shënavlashit në Durrës, – flakët e së cilës pastaj u përhapën mbi të gjitha fetë e institucionet e tjera fetare, pa përjashtim.
Ne nuk duam ta marrim parasysh luftën që zhvillohet kundër nesh, për më tepër kur ajo bëhet pa argumente, me sharje e zhargone rrugësh, prej njerëzish të paedukuar e të pakulturuar. Blasfemi të tilla nuk mund t’i bëjnë asgjë Kishës sonë, e cila është themeluar dhe ekziston në Shqipëri prej dymijë vjetësh. Sepse Zoti Perëndia jonë, Krishti, të cilit ne ia lëmë në dorë gjykimin për këdo, na mëson të falim dhe armiqtë tanë. Kjo nuk është dobësi, por shpirtmadhësi kristiane. Perëndia na ndihmoftë!