
Shën Fileteri jetonte në Nikomedi në kohën e persekutimit të Dioklecianit (304). Biri i Tacienit, prefektit, ai u arrestua me gjithë të krishterët e tjerë dhe u soll përpara gjyqit perandorak. Diokleciani u habit tej mase kur pa ecjen e tij krenare dhe flokët që shkëlqenin si ar në diell. Atij iu duk se pa përpara tij një prej perëndive të Olimpit ose një prej heronjve të mitologjisë. Pyetjeve të tij Fileteri trim iu përgjigj pa hezitim, se ai ishte nxënës i Shpëtimtarit Krisht dhe, përpara kërcënimeve dhe fjalëve blasfemuese të tiranit, ngriti sytë në qiell dhe i kërkoi Perëndisë të shfaqte fuqinë e Tij. Menjëherë ndodhi një tërmet i shoqëruar me bubullima të mëdha, që përhapi panik ndër paganët dhe shoi furrën e përgatitur për shenjtorin. Diokleciani, atëherë e liroi me nderime të mëdha.
Në vitin 305, kur Maksimiani mori pushtetin dhe drejtonte persekutimet, shën Fileteri u mor përsëri në pyetje dhe u dënua të rrihej me thupër. I torturuar për vdekje, ai qëndroi përsëri më këmbë, i mbështetur nga fuqia e Krishtit, duke pritur me padurim të vuante edhe tortura të tjera. I pacenuar në mënyrë të mrekullueshme nga kafshët e egra dhe duke i shpëtuar prerjes së kokës me anë të një ndërhyrjeje të Perëndisë, ai u internua më pas në ishullin e Marmarasë (Prokonisis) ku edhe pse me pranga, kreu të gjitha llojet e mrekullive për popullin dhe i përmbysi idhujt vetëm me një fjalë. E transferuan në Nikea.
Kur shkoi aty, statujat e një tempulli të famshëm pagan ranë përtokë dhe u bënë copa kur ai u afrua. Atëherë guvernatori i qytetit, bashkë me 6 ushtarë të tij dhe një numër të madh paganësh u bënë të krishterë. Shenjtori vazhdoi të kryente mrekulli të shumta dhe shkoi në malin Sigrianion në krahinën e Kizikës (Helesponti), ku jetonte konfesori i guximshëm i Krishtit dhe mrekullibërësi i famshëm Efvioti. Sapo Fileteri nisi të ngjitej në mal me shokët e tij, bashkë me guvernatorin dhe 6 ushtarët, Efvioti, i lajmëruar nga një engjëll, erdhi vetë për t’i takuar dhe i përqafoi me dashuri, si vëllezër dhe shokë luftërash. Pasi kaloi 7 ditë në qelinë e Efviotit, shën Fileteri e dha shpirtin e tij te Perëndia, dhe 7 shokët e tij e ndoqën në banesat e përjetshme, 11 ditë më vonë.