
Shën Efthimi, me origjinë nga Uzares, në kufi me Likaoninë, u dërgua nga prindërit e tij në Aleksandri për të ndjekur studimet. Pas disa vjetësh, kur u kthye në atdhe, veshi rrobën murgërore në një manastir të krahinës së tij, ku tregoi një sjellje aq shembullore në përulësi, bindje dhe në virtytet e tjera, saqë shumë shpejt u bë dhjak e për pak kohë prift.
Fama e diturisë dhe e virtytit të tij u përhapën kudo, ndaj u thirr nga besimtarët e Kishës së Sardës për të marrë detyrën e episkopit që ishte duke vdekur. Me gjithë kundërshtimin e tij, murgu i shenjtë iu nënshtrua vullnetit hyjnor dhe u bë ikonë e Krishtit, një bari plot zell për shpëtimin e grigjës së tij. Shërbëtor i të gjithëve, dhe jo zotëri i tyre, ai u mësonte me autoritet fjalën e Perëndisë dhe shkëlqente në zellin e tij për t’u përkujdesur për të varfrit.
Në vitin 787, kur perandoresha Irini dhe biri i saj Konstandini mblodhën Sinodin VII Ekumenik në Nikea, për të dënuar armiqtë e ikonave të shenjta, shën Efthimi ishte midis 367 etërve dhe shkëlqeu me autoritetin e tij, për shkak të njohurisë së thellë të traditës kishtare. Gjatë mbledhjes së 4-t, ishte ai që shpalli përcaktimin zyrtar për nderimin e ikonave të shenjta. Ai luajti një rol parësor vendimtar gjatë këtij sinodi dhe fitoi mbështetjen dhe mirëbesimin e perandorit Konstandin VI dhe u ngarkua prej tij me shumë misione zyrtare gjatë mbretërimit të këtij të fundit (780-797).
Gjatë mbretërimit të Niqiforit I (802-811), mitropoliti i Sardës, i ofroi strehë një vajze që donte të arratisej nga të sajtë, të cilët donin ta martonin kundër dëshirës me një prej dinjitarëve të oborrit dhe e mbuloi me mbrojtjen e Skimës së padhunueshme murgërore. I tërbuar dhe plot inat, pretendenti shkoi dhe u ankua pranë perandorit, duke e quajtur veten të gënjyer dhe duke i bërë akuza të rreme episkopit. Kështu perandori vendosi ta largonte nga mitropolia e tij dhe e dërgoi në internim në ishullin Patelaria. Efthimi qëndroi aty për shumë vjet, i nënshtruar ndaj keqtrajtimeve të barbarëve dhe në vitin 814 u thirr në Konstandinopojë, për të pësuar mundime të tjera. Perandori Leon V Armeni (813-820), i cili ndërmori një persekutim tjetër kundër ikonave të shenjta, e thirri dhe donte ta detyronte që të bashkohej me partinë e tij.
Por, kur pa refuzimin energjik të shenjtorit dhe këmbënguljen e tij në pohimin e besimit të vërtetë, e internoi në qytetin e Asonit. Edhe në këtë sprovë të re, Efthimi e ruajti të plotë gëzimin që po vuante për emrin e Krishtit, tek i Cili kishte vendosur tërë shpresën e tij. Pas vdekjes së Leonit, u rithirr në Konstandinopojë dhe u paraqit te perandori i ri, Mihail II (820-829), në shoqërinë e një pohuesi tjetër të njohur të ikonave të shenjta, të shën Methodit (kujtohet më 14 qershor).
Pa pasur frikë për fuqinë kërcënuese të sovranit dhe i rrëmbyer prej zellit hyjnor, njësoj si të profetit dikur, Efthimi thirri përpara perandorit ikonoklast: “Ai që nuk nderon Zotin tonë Jisu Krisht, të paraqitur në ikonë sipas natyrës së tij njerëzore, qoftë i mallkuar”. I tërbuar nga zemërimi për shkak të një fyerjeje të tillë, perandori urdhëroi menjëherë internimin e ri të shenjtorit në kepin Akritas, në skajin e Detit të Zi, ku u mbajt në burg për 3 vjet në një qeli të ngushtë dhe me erë të keqe. U thirr më pas në Bizant për t’u shfaqur përpara perandorit Theofil (829-842), i cili ishte armik i përbetuar i ikonave të shenjta. Pohuesi i shenjtë i besimit tregoi të njëjtin qëndrim të patrembur dhe duroi pa u trembur 400 të rrahura me shkop. Pasi perandori e mori përsëri në pyetje, shenjti e qortoi për pabesinë e tij me të njëjtin guxim, ndaj e rrahën më egërsisht me kamxhik të bërë me lëkurë bualli, saqë trupi i tij u bë tërë plagë dhe u fry si kacek. I flakur në një bodrum të errët, sikur të ishte kafshë, i lumuri mbijetoi edhe 8 ditë të tjera në vuajtje të tmerrshme, pastaj e dha më në fund shpirtin te Perëndia, si një luftëtar trim që përmbushi detyrën e tij, më 26 dhjetor 831.
Lipsani i vyer i shën Efthimit kreu menjëherë mrekulli të shumta dhe shërime. I nderuar për shumë shekuj në Konstandinopojë, më pas lipsanin e transferuan në Hersona (Krimeja e sotme), pas marrjes së kryeqytetit nga turqit (1453). Më pas e transferuan fshehtazi në Kile, pranë Kalqedonisë. Gjatë dëbimit të popullisë greke të Azisë së Vogël, në vitin 1922, banorët e Kilesë e morën me vete në Greqi kafkën e shenjtorit, si thesarin e tyre më të vyer dhe ndërtuan më pas në Pire një kishë, ku nderohet edhe sot me shumë besim.