EmailFacebookKontakt
Omologjet Andoni i Selanikut (ish i Durrësit)
Omologjet Andoni i Selanikut (ish i Durrësit)

Shën Andoni ishte i afërm i shën Theodhorës së Selanikut (5 prill) dhe vëllai i Katerinës, igumenes së manastirit ku shën Theodhora la bijën e saj, Theopistin. Që në rini përqafoi jetën murgërore dhe u formua në theologji. U hirotonis episkop i Durrësit para se perandori ikonoklast Leo V të lëshonte dallgën e dytë të persekutimeve (815).

Shën Andoni pati të njëjtin zell për besimin ashtu si vëllai i tij në Krishtin, shën Theodhor Studiti. Pasi i përbuzi argumentet e heretikëve në një fjalim mbajtur para perandorit, e torturuan dhe e internuan. Kur Mikaili II erdhi në pushtet, më 820, e thirri nga internimi.

Pas 20 vjetësh, me restaurimin përfundimtar të Orthodhoksisë (843), ai u bë kryepiskop i Selanikut; por, pas pak muajsh, i lodhur nga privimet e internimit, fjeti në paqe, më 2 nëntor 844. Trupi i tij, i cili u gjet i paprishur, u varros në një kishëz pranë bazilikës së shën Dhimitrit.