
Në moshën 12-vjeçare humbi prindërit, që ishin zyrtarë. Pas kësaj ai e dha lëmoshë pasurinë e tyre dhe emigroi nga Samosata e Eufratit të veriut, më në jug, në Edesën e Sirisë, ku u arsimua dhe u pagëzua.
U bë murg, pasi që fëmijë ushtrohej me rreptësi dhe lutej me lotë, ishte serioz, gjumëpakë dhe kreshmues deri në tepri. Tashmë hante një herë në javë, si dhe në festat.
Arriti kulmet e theologjisë, ndaj e hirotonisën prift të Antiokisë, ku jepte mësim në shkollën që themeloi. Zotërues i hebraishtes bëri me zell shpjegimin e Dhiatës së Vjetër, duke larguar në mënyrë tepër orthodhokse spekullimet e heretikëve. Në rrugë e shikonin vetëm ata që donte ai.
Maksimiani (286-305) urdhëroi dhe u arrestua sapo një prift heretik i tregoi vendin e tij të fshehtë. Duke e çuar tek mbreti në Nikomedi (në veriperëndim të Azisë së Vogël), rrugës bindi në Kapadhoki mohues të Krishtit që të ndërronin mendje dhe të martirizoheshin.
Për pendimin e “të rënëve” (domethënë e atyre që ishin konvertuar në idhujtarë për shkak të përndjekjeve), punoi gjithë jetën me sukses, duke vepruar me fjalë dhe letra pothuajse 3000. Meqenëse figura dhe gojëtaria e tij të bënin për vete, perandori komunikoi me të nga larg, nëpërmjet një të treti! Pasi i dolën huq premtimet, filluan torturat.
Shenjtorit ia shtrembëruan këmbët në “drurin” e torturës dhe i mbërthyen në shpinë copa tjegullash majëmprehta. Megjithëse qëndroi 14 ditë i pangrënë në burg, nuk shijoi sakrifikimet e idhujve. Kështu, ditën e Theofanisë, ashtu siç e kishin braktisur si gati për të vdekur, meshoi duke përdorur gjoksin e tij si Tryezë të shenjtë! E mbanin nxënësit e tij. Më pas u dukën gardianët.
Thirri tri herë “Jam i krishterë” dhe dha shpirt sipas disa të tjerëve merrte ende frymë kur e hodhën në det.
Mbas 14 ditëve u shfaq dhe lajmëroi një bindësin e tij, kështu që ai bashkë me të tjerë nxituan në një vend të bregut të detit, që i kishte treguar.
Atje një delfin shumë i lodhur solli trupin e tij të plotë, që mbante erë miro dhe menjëherë ngordhi. Dora e djathtë u gjend më vonë e zgjidhur nga guri që i kishin lidhur. Në varrin e tij shën Elena (21 maj) ndërtoi një kishë.
E himnizoi bashkëvendasi i tij, Shen Joan Gojarti (Krisostomi) i hyjshëm (13 nëntor). Lukian (greqisht dhe latinisht) do të thotë i ndritshëm.
* * * *