
Shën Efrosina jetoi gjatë sundimit të Theodhosit të Ri (rreth vitit 410). Ishte bija e Pafnutit, një egjiptian tepër i pasur, i cili, pas vdekjes të së shoqes, mbeti vetëm me këtë fëmijë. Kur i erdhi ora për ta martuar, Efrosina i preu flokët pa dijeninë e të atit, veshi rroba burrash dhe u nis për në një manastir murgjish, duke u shtirur si eunuk me emrin Smaragd. Nga dëshira e madhe për t’u bashkuar me Krishtin, u dha me zell në betejat e asketizmit, kaq mirë sa për pak kohë ishte e pamundur të dyshoje se ajo pamje e dobësuar dhe ai trup i tharë ishin të një vajze të brishtë.
Shkëlqeu për 38 vjet si gur i çmuar në mes të Jerusalemit qiellor që ishte manastiri. Fillimisht qëndroi për disa kohë në shërbim të një jerondi në bindje dhe përulësi. Por djalli, i tërbuar kur shikonte një vajzë të re jo vetëm nuk u rezistonte gjithë sulmeve, por edhe nuk i mposhti gjithë dobësitë e natyrës së saj, nxiti disa murgj të kishin zili për virtytin e saj dhe të skandalizonin të tjerët me bukurinë dhe nurin e natyrës së saj, që përpjekjet asketike nuk kishin arritur t’ia fshihnin. Atëherë, ajo u tërhoq në një qeli, e vetmuar, pa dalë kurrë prej saj, e tëra e drejtuar nga Perëndia dhe çdo ditë vinte re ngjitje të reja shpirtërore në zemrën e saj.
Më pas, pas 38 viteve jetë u sëmur. Të tërhequr nga fama dhe shenjtëria e saj, të shumtë ishin ata që i erdhën pranë, ndër të cilët edhe Pafnuti ende i pangushëlluar për humbjen e së bijës. E sigurt tashmë se për të kishte ardhur koha të shkonte në banesat qiellore, duke dashur t’i sillte të atit një ngushëllim në mbylljen e ditëve të saj, ajo i tregoi atij se kush ishte, e këshilloi t’i linte manastirit trashëgiminë që i kishte lënë së bijës dhe të përgatiste varrimin e saj.
Pastaj, dorëzoi shpirtin te Perëndia në një paqe të thellë. I befasuar, Pafnuti ra përtokë si i vdekur. Erdhi në vete dhe si kuptoi se ishte mëkat të vajtoje për ata që kishin ikur nga kjo jetë me dhimbje për të fituar jetën e përjetshme, lotët e tij u kthyen në gëzim. Braktisi çdo gjë që e mbante të lidhur me botën dhe u bë murg në gjurmët e së bijës, duke u bashkuar kështu me gëzimin e të zgjedhurve. U tërhoq në qelinë që kishte jetuar e bija dhe, pas dhjetë vitesh jetë të virtytshme e të pëlqyeshme për Perëndinë, fjeti edhe ai në paqe.
* * * *