
Ky i ri i Kishës u lind më 1866, në një familje të varfër në një fshat të Tambovit, provincë në Rusi. Që në fëmijëri pati një zell të madh për Perëndinë dhe vendosi ta ndjekë Atë kur tha: “Kur të rritem do shkoj të kërkoj Perëndinë në gjithë skajet e tokës”. Tregimet e asketëve dhe të shenjtorëve ndezën në zemrën e tij flakën e dashurisë për Perëndinë dhe duke u lidhur më kujtimin e Tij filloi të aspironte në jetën monakale. Por pak nga pak e humbi këtë zjarr dhe filloi të bënte një jetë të zakonshme si shumë të rinj, madje arriti në një çast sa për pak vrau një prej rivalëve të tij. Kjo ngjarje e ndihmoi të vinte në vete.
Disa ditë më vonë, në gjumë pa një ëndërr sikur një gjarpër hyri në gojën e tij dhe dëgjoi zërin e Nënës së Zotit t’i thoshte me butësi: “Ashtu si ky gjarpër po të neverit, ashtu edhe mënyra jote e të jetuarit nuk më pëlqen!”. I tronditur nga ky zbulim, ai ndërroi tërësisht drejtimin e jetës së tij dhe i udhëhequr nga një pendim i flaktë nuk mendonte veçse për Malin e Shenjtë dhe Gjykimin e fundit.
Më 1892, sapo mbaroi shërbimin ushtarak, u nis për në Malin e Shenjtë dhe filloi rishtarinë në manastirin e shën Pandelimonit, i cili ishte shumë i lulëzuar në atë kohë dhe numëronte afro dy mijë murgj. Nga rrëfimi i parë e i përgjithshëm mësoi se të gjitha mëkatet i ishin falur dhe rishtari i ri, i rrëmbyer nga gëzimi, harroi pendimin e thellë dhe kështu ra shumë shpejt në mendime mishtore. Pa përvojë në këtë luftë kundër mendimeve, u provua ashpër dhe u tundua nga mendimi për t’u kthyer në botë dhe të martohej. Por ati i tij shpirtëror e këshilloi që kurrë të mos pranonte sugjerime të tilla të mendimeve të liga dhe t’i largonte me lutjen e Jisuit kur këto i shfaqeshin në mendje.
Gjatë 45 viteve në manastir, shërbëtori i Perëndisë nuk pranoi asnjë mendim të keq dhe duke u kujtuar përherë për dashurinë e Perëndisë dhe për butësinë e Shpirtit të Shenjtë, ai kurrë nuk u zemërua. Filloi të mësonte shumë nga jeta shpirtërore nga ritmi i rregullt i jetës monakale, studimi teorik, iu përkushtua me zell lutjes së Jisuit pa pushim, detyrave dhe bindjes duke hequr dorë nga vullneti i tij dhe mbi gjithçka tjetër gjithë natën lutej dhe flinte deri një apo dy orë me intervale. Kishte mbushur vetëm tri javë në manastir, kur lutej para ikonës së Nënës së Zotit dhe lutja hyri në zemrën e tij dhe që atëherë ajo buronte vetë pa asnjë përpjekje vetjake, vazhdimisht.
Në këtë hir që Perëndia u jep zakonisht fillestarëve, pasoi një betejë e furishme kundër mendimeve ndërhyrëse nga demonët, të cilët herë-herë i thoshin se ishte shenjtor dhe herë të tjera e nxisnin në dëshpërim. Një natë qelia e tij u mbush me një dritë që shkëlqente, e cila depërtoi deri në trupin e tij, por kur ndjeu se ndjenja e pendimit e kishte braktisur, e kuptoi se u bë viktimë e iluzionit satanik.
Kaluan disa muaj dhe arriti në kulmin e dëshpërimit dhe qëndroi gjatë ulur mbi shtratin e tij i hidhëruar. Gjatë shërbesës së Mbrëmësores, ndërsa thoshte lutjen e Jisuit “Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, kij mëshirë për mua mëkatarin”, duke parë ikonën e Krishtit, papritur u pushtua nga një dritë e madhe, e këndshme dhe e paqshme. Këtë herë pa Krishtin e gjallë, i cili e shikonte me butësi e gëzim, duke e mbytur gjithë qenien e tij me një dashuri që transportonte shpirtin në soditjen e Perëndisë.
Më pas shenjtori thoshte se në Frymën e Shenjtë ai kishte njohur pa asnjë dyshim vetë Zotin Jisu Krisht, i cili iu shfaq duke i bërë të njohur Hirin e Tij në gjithë përsosmërinë e Tij. Kur vizioni u zhduk, shpirti i tij pati një etje të pashuar për dashurinë e Krishtit, aq sa ditë e natë e kërkonte duke thirrur: “Shpirti im pret Zotin dhe e kërkoj Atë me lot. E si mund të mos të kërkoj? Sepse Ti i pari më gjete. Më dhe të jetoj në Frymën e Shenjtë dhe shpirti im të dashuroi”.
Nga dëshira e tij për t’u lutur pa pushim, ai kërkoi të jetonte në Rusikonin e vjetër, një vend ky i cili varej nga manastiri dhe jetonin asketë me jetë të ashpër. Por mori një të ftohur dhe gjatë gjithë kohës vuante nga dhimbje të forta koke dhe këto i konsideronte si një ndëshkim për mosbindjen e tij. Një vit më vonë ai u thirr nga manastiri për të kryer funksionin e ikonomit. Kishte në përgjegjësi më shumë se 200 punëtorë, por kurrë nuk e la pas dore asketizmin.
Në mëngjes shkonte në punishte për të ndarë punët dhe më pas shkonte në qeli e lutej me lot për punëtorët, familjet e tyre dhe botën e tërë. Lutja e tij e zjarrtë sulmohej nga demonët, të cilët i sugjeronin mendime krenare. Luftoi me këtë luftë për gati 15 vjet, i ngushëlluar ngandonjëherë nga hiri.
Gjatë njërës prej këtyre netëve, ndërsa një demon iu shfaq para ikonës së Krishtit me qëllim që ai ta nderonte, Siluani kërkonte ndihmë tek Zoti dhe Krishti iu përgjigj me këto fjalë: “Shpirtrat krenarë vuajnë gjithmonë nga demonët”. “Cilat duhet të jenë mendimet e mia, Zot, që shpirti im të përulet?”- kërkoi Siluani. “Mbaje mendjen në ferr dhe mos u dëshpëro!”- iu përgjigj Perëndia.
Me këtë fjalë Ai i zbuloi se çdo përpjekje asketike duhet të çojë drejt përulësisë së Krishtit, i cili ka thënë: “Mësoni nga Unë, sepse jam i butë dhe i përulur nga zemra” (Mat. 11:29) dhe kjo përulësi është rruga mbretërore e cila të çon në lutjen e pastër dhe në papasionshmëri.
Që atëherë, hiri i Perëndisë banonte gjithmonë tek Siluani, duke i siguruar paqen dhe përmbajtjen e çdo lëvizje të shpirtit. Shenjti thoshte se kur e linte mendjen të dilte nga zjarri i ferrit, atëherë të gjitha mendimet merrnin fuqi dhe vinin. Me këtë dhuratë të përulësisë hyjnore, Krishti i mbushi zemrën me dashuri për të gjithë njerëzit, për Adamin e tërë dhe me lot të zjarrtë Siluani lutej pa pushim për botën, veçanërisht për të fjeturit dhe ai mësonte se kriteri bazë i njohjes së të vërtetës është dashuria për armiqtë. Lidhur me këtë, ja se çfarë shkruan: “Të lutesh për njerëzit është njësoj sikur të derdhësh gjak”.
Ky murg i përulur athonit, i cili jetoi gjithë jetën e tij në thjeshtësi, në martirizimin e të luturit për botën, i la Kishës, si një profet i ri, mesazhin e krishterë dhe rrugën e sigurt që të çon në shpëtim. Siluani e kaloi jetën e tij duke e mbajtur botën me lutje dhe duke iu përgjëruar Zotit që të gjithë njerëzit ta njihnin Atë nëpërmjet Hirit të Shpirtit të Shenjtë. Duke përfunduar vrapimin këtu në tokë, ai fjeti në paqe më 24 shtator 1938.