
Kur Zoti dhe Perëndia, i Vetëmlinduri Bir dhe Fjalë e Perëndisë, do të zbriste nga lartësitë e Qiellit për t’u zënë në mënyrë të panjollë në barkun e Nënës së Shenjtë të Perëndisë, Ai deshi ta vërtetojë dhe ta paralajmërojë këtë mrekulli të mrekullive me një tjetër mrekulli, të ngjashme me këtë, por jo e njëjta.
Kështu, që të tregonte se Joan Pagëzori do të ishte Pararendësi i Krishtit në gjithçka, gjashtë muaj para se Kryeengjëlli Gabriel të vizitonte Nënën e Perëndisë, ai shkoi dhe iu shfaq kryepriftit Zaharia ndërsa po shkonte në të Shenjtat e të Shenjtave për të ofruar sakrificën e temjanit. Zaharia ndjeu frikë të madhe kur pa engjëllin, por Gabrieli e siguroi atë duke i thënë:
“Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, edhe gruaja jote, Elisabeta, do të të lindë djalë, dhe do ta quash emrin e tij Joan. Edhe ti do të kesh gëzim e ngazëllim; dhe shumë njerëz do të gëzohen për lindjen e tij. Se do të jetë i madh përpara Zotit… dhe me Frymë të Shenjtë do të mbushet nga barku i së ëmës” (Lluk. 1.13-15).
Zaharia dhe gruaja e tij ishin të dy të moshuar, kështu që ata dyshuan, për një çast, të vërtetën e fjalëve të engjëllit. Por kur do Perëndia, kapërcehet rregulli i natyrës. Në këtë mënyrë, Gabrieli i tha se do të ishte pa gojë derisa të lindte fëmija, dhe kjo si një ndëshkim, për ta mësuar atë të përdorte gjuhën vetëm për të lavdëruar Perëndinë.