
Shën Fokai ishte edhe ai nga Sinopa, por jetoi në një periudhë më të vonshme se ajo e shën Fokait të lartpërmendur. Punonte si kopshtar dhe e kishte zakon ta ndante prodhimin e tokës së tij të vogël me të varfrit. Por më shumë ai kujdesej për kopshtin e shpirtit të tij, që të kishte sa më shumë lule shpirtërore.
Guvernatori i qytetit dëgjoi për shërbëtorin besnik të Krishtit dhe dërgoi ushtarët që ta vrisnin. Kur ata mbërritën në shtëpinë e tij, shenjtori i mikpriti me bujari dhe i gostiti, pa i lënë të kuptonin se kush ishte. Kur i pyeti se përse kishin ardhur deri aty, ushtarët iu përgjigjën se kishin ardhur për Foka kopshtarin që t’i prisnin kokën. “Unë jam ai që kërkoni”, u tha Fokai pa asnjë shenjë frike në fytyrë. “Zbatoni urdhrat që kini marrë!”. Ushtarët u habitën tej mase nga vendosmëria e tij dhe u mërzitën për faktin se duhet të vrisnin atë që i kishte bujtur. Ata donin të ktheheshin dhe t’i thoshin guvernatorit se kishin kërkuar për Fokain dhe nuk e kishin gjetur asgjëkund. Por shenjtori nuk e pranoi një ide të tillë. Gërmoi varrin e tij dhe iu kërkoi atyre të mos e vononin vrasjen. Kështu ata i prenë kokën, duke e ofruar si një sakrificë të pëlqyeshme te Zoti.