EmailFacebookKontakt
Dëshmor Nikita Goti
Dëshmor Nikita Goti

Shën Nikita lindi në mbretërimin e Konstandinit të Madh (viti 330), në krahinën pranë derdhjes së Danubit. Ai ishte got nga origjina, por falë përkujdesjes së prindërve të tij të përshpirtshëm dhe mësimeve të marra nga episkopi i atij vendi, Theofili (që shkëlqeu në Sinodin e Nikesë për mbrojtjen e Orthodhoksisë), u rrit në besim, në dashurinë e Perëndisë dhe me zellin për të kthyer në besim bashkëkombësit e tij. Pasi studioi letrat greke, ai ishte i pari që shkroi gjuhën e Gotëve dhe që përktheu Shkrimin e Shenjtë.

Populli i Gotëve atëherë ishte i ndarë në dy grupime, armiq midis tyre. I pari kishte në krye Fritigjenin dhe tjetri Athanarikun, që ishte me të vërtetë çnjerëzor dhe i pabesë. Fritigjeni, duke mos arritur dot ta mposhtte, siguroi aleancën e perandorit romak, Valensit, i cili i dërgoi një legjion që i zmbrapsi ushtritë e Athanarikut me simbolin e Kryqit në flamurët e tij. Por pak kohë më vonë, Athanariku mori përsëri pushtetin dhe me mllef ndaj të krishterëve nisi një persekutim shumë të ashpër kundër tyre.

Nikita ishte ndër të parët që u arrestua, sepse fama e tij si predikues i palodhur i Ungjillit ishte e njohur ndër të gjithë. E teksa ai refuzonte të mohonte Krishtin, e torturuan keq, por pa rezultat. Ai e pohonte më me forcë besimin dhe dashurinë e tij për Shpëtimtarin. Më në fund atë e hodhën në zjarr dhe kështu e dha shpirtin e tij te Perëndia, duke marrë kurorën e fitores. Lipsanet e tij të shenjta u zbuluan në mënyrë të mrekullueshme pas shumë vitesh, nga shfaqja e një ylli. Ato u transferuan në Mopsueste dhe pastaj në Venecie.