EmailFacebookKontakt
Shenjtërimi i Kishës (Bazilikës) Ngjallja, Jerusalem
Shenjtërimi i Kishës (Bazilikës) Ngjallja, Jerusalem

Si falënderim për mbylljen shumë të suksesshme të Sinodit të Nikeas, shën Konstandini i Madh dëshironte të shikonte ndërtimin e një Kishe në Golgotha, ku u krye Shpërblimi i botës. Makari, episkopi i Jerusalemit, i tregoi atij vendin që kujtohej në traditën e krishterë, i cili ishte mbuluar nga një argjinaturë kur Adriani e zgjeroi qytetin (135 pas Krishtit). Ata gërmuan atje dhe gjetën Varrin e Shenjtë dhe veglat e Pësimit, dhe aty sipër ngritën një ndërtesë madhështore.

Përurimi i Kishës u bë më 13 shtator 335, që kjo e kremte të zëvendësonte festën pagane të Jupiterit të Kapitolit. Bukuria e Bazilikës së ndërtuar në vendin më të adhuruar, u kthye në simbolin e fitores së krishterimit dhe ishte një model për çdo kishë të krishterë. Etërit e Shenjtë e kanë zgjedhur të kremten e kësaj dite për t’u ngazëlluar shpirtërisht me psalme, himne dhe këngë shpirtërore, për Ngjalljen e krijesës së dukshme të kryer nga Krishti, në të Cilin të gjitha gjërat u bënë të reja dhe janë përuruar rishtazi.