
Zoti ka thënë se Mbretëria e Qiejve i ngjan dhjetë virgjëreshave. Kjo është vërtetuar në praktikë nga dhjetë gratë e shenjta të kremtuara në Kishë, të cilat jetuan të veshura me rroba burrash dhe praktikuan asketizmin në manastiret e burrave. Shën Theodhora, e cila jetoi në Aleksandri në kohën e perandorit Zenon (474-491), është njëra nga këto gra të shenjta. Ajo ishte martuar me një njeri të devotshëm e të respektuar që quhej Pafnut; por një ditë, e shtyrë nga djalli, ajo shkeli kurorën. Shumë shpejt, pas këtij mëkati, ndërgjegjja e saj u rëndua aq shumë, saqë nuk guxoi më të shkonte në shtëpi, por ndjeu një dëshirë të fortë për pendim. Kështu, e veshur si burrë dhe duke e quajtur veten Theodhor, kërkoi të pranohej si rishtare në një manastir që ndodhej aty pranë. Igumeni, duke menduar se ishte një eunuk dhe se ishte fort e vendosur të ecte në rrugën e pendimit, e pranoi menjëherë në manastir dhe e veshi me rrobën engjëllore.
Për dy vjet me radhë, shën Theodhora tregoi një zell të zjarrtë në betejat asketike. Ajo bënte të gjitha punët e krahut në manastir dhe i kalonte netët me lot e me lutje të zjarrta, që Zoti ta falte mëkatin e saj dhe ta rivendoste përsëri në hirin e pastërtisë. Mënyra e saj e jetesës i ndihmonte vëllezërit tej mase, por edhe e egërsoi djallin, kur pa prenë e tij t’i shpëtonte nga duart. Ky armik i egër i së mirës nuk mund ta pranonte këtë, prandaj ndërseu disa murgj xhelozë që të shpifnin për Theodhorin, duke e përgojuar për një grua nga një fshat aty pranë. Madje ata i sollën edhe një fëmijë, se ishte gjoja pjella e tij nga lidhja e paligjshme që kishte. Theodhori qëndroi i heshtur përpara akuzuesve të tij. Ajo nuk e zbuloi identitetin e saj të vërtetë dhe e pranoi sa kishte ndodhur si një ndëshkim i ardhur nga Perëndia. U përjashtua nga manastiri për shtatë vjet dhe e mori fëmijën me vete sikur të ishte i saji. Jetoi në një kasolle të vogël aty afër, në varfëri të thellë, duronte vapën e verës dhe të ftohtin e dimrit së bashku me tundimet e shumëfishta të djallit, derisa plotësoi vitet e përjashtimit nga manastiri dhe u bashkua me vëllazërinë sërish.
Kur u kthye në manastir, Theodhora i shtoi agripnitë, kreshmët dhe lutjet, duke treguar një bindje dhe durim akoma edhe më të madh se më parë. Ajo e mori fëmijën me vete, duke i mësuar atij të fitonte virtytet e shenjta ungjillore dhe lutjen e pandërprerë, kështu që ai u bë biri i saj shpirtëror i vërtetë sipas frymës. Fjeti në paqe pasi i dha porositë e fundit. Atë çast, avai i manastirit pa në një vizion një grua të veshur në rroba të shndritshme, të ngritur në ajër në korin e të drejtëve dhe të shenjtorëve. Atëherë e kuptuan se si qëndronte e vërteta dhe se sa shumë të gabuar kishin qenë, duke lavdëruar Perëndinë, i Cili kishte kryer një mrekulli aq të madhe. Ajo u pastrua nga pasioni trupor nëpërmjet betejës së fortë që kreu në manastir, madje duke ua kaluar edhe murgjve më të sprovuar në lutje dhe asketizëm, në papasionshmëri dhe pastërti engjëllore.