
Shumë kohë para Mishërimit të Krishtit, Kryeengjëlli i madh Mihail tregoi shumë herë dashamirësinë dhe kujdesin e tij vigjilues për njerëzit. Kur kaloi nga Frigjia për të shpallur Ungjillin, apostull Joani profetizoi një vizitë të ardhshme të princit të Kryeengjëjve, Mihailit, në një vend të quajtur Keretopa. Shumë kohë më pas, në këtë vend buroi në mënyrë të çuditshme një burim që shëronte çdo sëmundje. Një nga besimtarët, vajza e të cilit ishte shëruar nga ky ujë, në shenjë mirënjohjeje ndërtoi një kishë të bukur kushtuar Kryeengjëllit Mihail.
Nëntëdhjetë vjet më vonë, vendoset në këtë kishë për t’u ushtruar një djalosh me emrin Arkip nga Hierapolisi. Dashuria dhe zelli i tij për Perëndinë ishin kaq të mëdha sa filloi të bënte mrekulli. Por djalli ziliqar e nxiti xhelozinë e paganëve përreth vendit, të cilët si e kishin rrahur disa herë Arkipin, u përpoqën një natë ta bllokonin burimin; por më kot, sepse Kryeengjëlli ishte i pranishëm atje, por i padukshëm, dhe i pengonte. Por përsëri ata nuk hoqën dorë, madje tentuan t’ia ndryshonin rrjedhën lumit që ai ta përmbytte kishën dhe besimtarët që shkonin atje. Por nuk arritën dot. Një herë tjetër, ata ndryshuan rrjedhat e dy lumenjve që rridhnin më lart se kisha, por Kryeengjëlli Mihail iu shfaq të lumurit Arkip, e qetësoi dhe si një shtyllë zjarri qëndroi para ujërave të vrullshme që ishin gati të gëlltitnin kodrën. Me shkopin e tij goditi kodrën dhe shkëmbi u ça duke hapur një grykë ku kaloi uji. Që nga kjo kohë, lumi u thith nga shkëmbi dhe vendi quhet Chonae (hon), për lavdi të Perëndisë dhe të mbrojtësit tonë Mihail.