EmailFacebookKontakt
Oshënar Joan Kreshmuesi
Oshënar Joan Kreshmuesi

Shën Joan Kreshmuesi u lind dhe u rrit në Bizant gjatë mbretërimit të perandorit Justin II (565-578). Ishte gdhendës dhe që i ri tregoi një dashuri të madhe për Perëndinë dhe për virtytin. Shumë herë kishte pasur zbulime profetike mbi përgjegjësinë që Perëndia po i përgatiste. Fama e virtytit të tij arriti deri te patriarku Joan III Skolastiku. Ai e dorëzoi në dhjak në radhët e klerit të Konstandinopojës dhe e emëroi përgjegjës për shpërndarjen e lëmoshës tek të varfrit. Duke imituar Krishtin e mëshirshëm, Joani shpërndante pa llogaritur, pa bërë dallime mes të denjëve dhe të padenjëve. Të gjithë ata që afroheshin tek ai merrnin me bollëk. Kur patriarku Eftiki ndërroi jetë, në prill të vitit 582, Joanin e detyruan të pasonte në fronin e tij.

Përgjatë 13 vjetëve si patriark, nuk e la asketizmin dhe ashpërsinë e jetës, madje i vunë edhe epitetin “Kreshmues”, sepse ushtrohej shumë në kreshmë. Tregohet se një herë qëndroi gjashtë muaj pa pirë ujë. Ushqehej vetëm me sallatë dhe pak pjepër, rrush ose fiq. Nuk shtrihej për të fjetur, por qëndronte i mbledhur kruspull. Dashuria e tij për të varfrit ishte aq e madhe, saqë i shpenzoi të gjitha fondet dhe i kërkoi perandorit një hua për të plotësuar nevojat e bamirësisë. Kur ndërroi jetë, më 595, perandori urdhëroi rimbursimin e kredisë që i kishte marrë hua shenjtori, por patriarku nuk kishte gjë tjetër në qeli përveç një palltoje të vjetër leshi dhe një mbulese të hollë.

Gjatë gjithë jetës së tij, shën Joani bëri shumë mrekulli: shëroi një të verbër të lindur me anë të Kungatës së Shenjtë, qetësoi furtuna me lutjen e tij, zmbrapsi barbarë që kërkonin të sulmonin qytetin, shëroi gra shterpa etj. Për grigjën e vet ai nuk ishte vetëm bariu i mirë (Jn. 10:11), ndërmjetuesi dhe kryeprifti, por edhe ikona e gjallë e përkujdesjes së Perëndisë, i Cili jep me mbushulli tek të drejtët dhe mëkatarët.