
Lindi rreth vitit 300 në Egjipit. Prindërit e tij ishin njerëz të virtytshëm, besimtarë dhe i kishin edukuar të shtatë fëmijët e tyre me moralin e krishterë. Pas vdekjes së të atit, për të u përkujdes nëna e tij. Përkujdesja për fëmijët shpeshherë i shkaktonte trishtim nënës së tij, derisa një natë iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit, i cili i tha: “Perëndia, ati i jetimëve, më dërgoi të të them se nuk duhet të trishtohesh për përkujdesjen e bijve të tu, sepse nuk je vetëm. Për ta përkujdeset edhe Perëndia. Mos u trishto, pra, por përkushtoja një nga bijtë e tu Perëndisë, nëpërmjet të cilit do të lavdërohet emri i Tij i tërëshenjtë”.
Dhe, duke mbajtur për dore Paisin, engjëlli i tha: “Ky është i pëlqyeshëm te Perëndia”. Këtë pa në ëndërr nëna e Paisit dhe, pasi lavdëroi Perëndinë, ia përkushtoi djalin e vogël Atij. Megjithëse ishte ende shumë i ri, zemra e Paisit digjej nga dashuria për Perëndinë dhe nga dëshira për t’u bërë murg. Jerond Pamvoi e pranoi me gëzim Paisin, i cili shumë shpejt përparonte në virtyt, kreshmonte, bënte agripni dhe për vite të tëra, sipas porosisë së jerondit, nuk i ngriti sytë për të parë fytyrë njeriu.
Pas vdekjes së jerondit, mbeti vetëm Paisi dhe Joani, i cili shkroi edhe jetën e shën Paisit. Joani, duke parë dëshirën e madhe të shenjtit për të bërë jetë asketike, i tha: “Le t’i lutemi Perëndisë të na tregojë dëshirën e Tij”. Pas një lutjeje të nxehtë, Perëndia i shfaqi Paisit dëshirën e Tij, e cila ishte të ndërtonte një manastir ku të lavdërohej emri i Perëndisë. E gjithë shkretëtira të mbushej me asketë, që të lavdërohej emri i Zotit.
Të shumta ishin grackat që djalli përgatiste për të rrëzuar Paisin, por nuk ia arriti qëllimit. Më në fund, i mundur thoshte: “Pais, nuk mund të të bëj asgjë. Po shkoj të luftoj me të tjerë, sepse ti më munde”. Pasi dëgjuan për famën e shenjtit, të shumtë ishin ata që linin botën dhe vinin në shkretëtirë për t’u bërë murgj. Por Perëndia nuk e la vetëm në shkretëtirë këtë pishtar të shndritshëm, por, duke dashur që të ndriçonte edhe të tjerë me dritën e mësimit të tij dhe t’i udhëhiqte në shpëtim, e urdhëroi të dilte edhe jashtë shkretëtirës për të forcuar dhe vëllezërit e tjerë, për t’i bërë ata imitues të virtytit të tij.
Pasi shkëlqeu me virtytet e tij, në një moshë shumë të thyer, Perëndia e ftoi shën Paisin në lumturinë e përjetshme.