EmailFacebookKontakt
Oshënar Klaudi, episkop i Bezansonit
Oshënar Klaudi, episkop i Bezansonit

Lindi më 607 dhe ishte bir i guvernatorit të Bezansonit. Megjithëse që i ri ishte ushqyer me jetët e shenjtorëve, u bë ushtarak. Në moshën 20-vjeçare e braktisi ushtrinë tokësore për të hyrë në rreshtimin e Krishtit. U pranua nga kleri i katedrales së Bezansonit, i cili në atë kohë jetonte si në një manastir, duke ndjekur rregullin që sapo kishte shkruar episkopi i tyre, shën Donati. Shumë shpejt u bë modeli i priftërinjve dhe u caktua nga episkopi të jepte mësim në shkollën e katedrales.

Pas 12 vjet jetë asketike, ai u bë murg në manastirin e Kondatit, të themeluar nga shën Romani (28 shkurt), që bashkë me manastirin e Lukseilit ishin ndër më të famshmit në atë kohë. Ushqehej me rrënjë bimësh, flinte në kushte të mjerueshme. Igumeni i propozonte të merrte vendin e tij, por shenjti gjithnjë refuzonte. Pas vdekjes së tij (644), me dëshirën e vëllezërve shën Klaudi u bë igumen i manastirit. Me ndihmën e mbretit Klovis II, dhe me mbështetjen e gruas së tij shën Batildës (30 janar), shenjti mori një ndihmë të madhe për vëllazërinë dhe zgjerimin e manastirit. Ndoqi rregullin e shën Benediktit.

Pas vdekjes së episkopit të Bezansonit, Gjervazit, populli dhe klerikët u grindën për zgjedhjen e pasuesit. U lutën dhe dëgjuan një zë nga qielli që propozonte shën Klaudin si bari të tyre. Nuk pranoi, por më vonë iu bind vullnetit të Perëndisë dhe të popullit. Jetonte me asketizmin e një murgu, duke u dhënë me zell edhe në detyrat e një episkopi. Pas 7 vjet si episkop, pasi pa që kleri e neglizhonte disiplinën e vendosur, ai hoqi dorë nga froni episkopal dhe u kthye në manastirin tij (693). Jetoi atje për 6 vjet në paqe dhe fjeti më 6 qershor 699.

Në shekullin e 12-të, trupi i tij u gjend i paprishur dhe shumë mrekulli ndodhën me lipsanin e tij. Për fat të keq, më 1794 një pjesë e lipsanit të tij u dogj nga revolucionarët.