EmailFacebookKontakt
Dëshmor Fileti dhe familja
Dëshmor Fileti dhe familja

Martiri i shenjtë Fileti dhe familja e tij jetonin me përkushtim, nën sundimin e Adrianit (117-138). U arrestuan dhe u nxorën para perandorit, i cili si nuk mundi t’u përgjigjej fjalëve që Shpirti i Shenjtë i frymëzonte Filetit, e dërgoi te komandanti ushtarak i Ilirikut, Amfiloku. Ky urdhëroi që shenjtorët t’i vinin mbi këmbalec dhe t’i godisnin me shpata druri. Duke parë durimin e tyre mbinjerëzor, sekretari i gjyqit, Kronida, besoi te Krishti dhe e rrëfeu me guxim. I burgosën së bashku, dhe gjatë natës, një engjëll u dha zemër për martirizimin.

Në mëngjes, Amfiloku urdhëroi t’i hidhnin në një kazan me vaj të përvëluar dhe rrëshirë të shkrirë; por, kur lënda preku trupat e shenjtorëve, menjëherë ngriu. Para kësaj mrekullie besoi edhe vetë Amfiloku dhe thirri: “O Zoti Jisu Krisht, eja më ndihmo!”. Atëherë një zë hyjnor iu përgjigj: “Lutja jote u dëgjua, eja, ngjitu deri tek unë!”.

Kur mësoi këto ngjarje, Adriani vendosi të shkonte vetë atje. Me të mbërritur, i mbushur me tërbim i hodhi të gjashtë martirët në një kazan, që e lanë të vlonte për shtatë ditë. Por shenjtorët dolën të pacenuar prej tij dhe perandori u detyrua të kthehej në Romë i turpëruar dhe i pafuqishëm.