EmailFacebookKontakt
Dëshmorët Pavli e Juliana
Dëshmorët Pavli e Juliana

Kur perandori Aurelian (270-275), hyri si i tërbuar në qytetin e Ptolemaidës në Siri, Pavli, një i ri i krishterë, i cili ishte bërë anagnost, doli para njerëzve me shenjën e Kryqit të vizatuar në ballë. E arrestuan menjëherë dhe e çuan para perandorit, ku deklaroi me vendosmëri se nuk i trembej askujt tjetër, përveç ndëshkimeve të përjetshme të ferrit dhe asgjë nuk mund ta zmbrapste nga besimi i tij, i cili sjell jetën e përjetshme. E varën në një shtyllë dhe xhelatët filluan t’i shqyenin mishrat. Motra e shenjtorit, Juliana, shkoi te tirani dhe e qortoi për mizorinë e padrejtë. Ushtarët e kapën edhe atë i bënë të njëjtat tortura dhe më pas i mbyllën bashkë në një burg të errët. Shenjtorët i ndihmoi hiri i Perëndisë, dhe të dy dolën të paprekur nga torturat. Ata madje arritën të kthenin në besim edhe xhelatët, Kodratin dhe Akakin, të cilëve menjëherë u prenë kokat me urdhër të perandorit.

Atëherë Perëndia ndriçoi qelinë e tyre me dritë të shkëlqyeshme dhe i ngushëlloi, duke u paraqitur një tryezë të mbuluar me gjellë të zgjedhura. Pas tri ditësh, Stratoniku, ushtari që ishte ngarkuar t’i rrihte me shkop, ngurroi ta bënte nga keqardhja që ndjeu për vajzën e brishtë. Por ajo i tha me ton të prerë: “Mos ngurro, Stratonik, që të kryesh detyrën tënde; nuk kam frikë nga asgjë, sepse kam me vete Krishtin, që i bën goditjet e tua të buta si ledhatime!”. Stratoniku i hodhi mjetet e torturës para perandorit, duke thirrur: “Po, i madh është Perëndia i të krishterëve!”. Menjëherë e arrestuan edhe atë dhe e vranë, duke marrë kështu kurorën e martirit.

Ndërsa Pavlin e kamxhikonin, Julianën, pasi shpëtoi nga kafshët helmuese dhe nga tortura të tjera, e çuan në një shtëpi publike; por një engjëll e mbrojti dhe askush nuk guxoi t’i afrohej, kështu që mbeti e pacenuar, duke rrezatuar shkëlqimin e virgjërisë.

Atëherë tirani urdhëroi t’i hidhnin në një gropë me zjarr dhe t’i mbulonin me gurë. Por, befas, një stuhi me shi të zjarrtë shpërtheu mbi perandorin dhe nëpunësit e tij. Aureliani u tremb dhe dha urdhër që t’i nxirrnin shenjtorët nga gropa, por pa hequr nga mendja planet makabre. Pasi i morën edhe një herë në pyetje, tirani urdhëroi që t’u prisnin kokat shenjtorëve dhe trupat t’ua hidhnin si ushqim qenve e bishave. Por asnjë bishë nuk guxoi t’u afrohej dhe pas një jave të krishterët i morën lipsanet e shenjta dhe i varrosën me nderim.