EmailFacebookKontakt
Oshënar Leoni i Katanias
Oshënar Leoni i Katanias

Ky yll i ndritshëm i Orthodhoksisë dhe imitues i apostujve jetoi në kohën e valës së parë të persekutimit kundër ikonave të shenjta (760). Ishte nga një familje fisnike dhe u ngjit në të gjitha shkallët e priftërisë, derisa u bë episkop në Ravena, qyteti i tij i lindjes. Fama si shërbyes besnik i Krishtit u përhap përtej kufijve të dioqezës dhe u zgjodh episkop i Katanias, në Sicili. Kur shkoi në këtë qytet, puna e parë ishte pastrimi i grigjës së tij nga ndotja e herezive dhe e mbeturinave pagane. Në vendin ku më parë ndodhej një tempull pagan, që ai e kishte shkatërruar me anë të lutjes, ndërtoi një kishë dedikuar Dyzet Martirëve të Sebastës. Shenjti ishte energjik dhe i paepur për çështjet e besimit, por i dhembshur dhe i dashur për të varfrit, jetimët dhe të dëshpëruarit, për të cilët, siç thotë apostulli, bëhej çdo gjë për të gjithë njerëzit, për të arritur shpëtimin e tyre.

Në ato ditë e tërë Sicilia ishte e trembur nga Heliodori, një magjistar me një fuqi të jashtëzakonshme, të cilën e kishte marrë me anë të një pakti me satanin, marifetet dhe kurthet e të cilit ishin për popullin e Sicilisë më të rrezikshme sesa flakët e Etnas. Prefekti i alarmuar i shkroi perandorit, që e urdhëroi ta arrestonte magjistarin. Prefekti e zbatoi urdhrin, por magjistari, me anë të ndihmës së djallit, u zhvendos menjëherë në Konstandinopojë, bashkë me ushtarët që e ruanin. Kur e dënuan me vdekje, ai u zhduk nga qyteti në mënyrë të mistershme, sikundër kishte thënë: “Mirupafshim, perandor, do të shihemi në Katania!”. E arrestuan përsëri në Katania dhe e çuan sërish në Konstandinopojë. Kësaj radhe ai e zhyti qytetin në errësirë, duke shuar të gjitha dritat dhe zjarret. I dënuari me vdekje solli vdekje dhe zi buke në qytet dhe, ndërsa po bëheshin gati ta ekzekutonin, iu zhduk sërish nga sytë.

Në Katania, shën Leoni bëri ç’kishte në dorë për të konvertuar magjistarin, por më kot. Një ditë, Heliodori erdhi në kishë gjatë Liturgjisë Hyjnore, duke hingëllitur si mushkë, duke u tallur me Misteret e Shenjta dhe duke i bërë thirrje episkopit e priftërinjve të vallëzonin për besimtarët. Shën Leoni, pasi u lut, doli nga altari me veshjen episkopale. Ai e shkatërroi fuqinë magjike të Heliodorit kur e mbështolli me omoforin e vet. Prefekti urdhëroi që skllavi i djallit të digjej i gjallë dhe episkopi u fut në turrën e druve bashkë me Heliodorin, dhe kur flaka nisi të lartësohej, doli së andejmi i paprekur, madje as rrobat nuk ishin përzhitur, ndërsa magjistari mjeran u shkrumbëzua.

Më vonë, perandori e ftoi Leonin në Konstandinopojë dhe ai shpërndau në qytet mrekullitë e hirit hyjnor, për lavdinë e Perëndisë dhe për turpin e demonëve, paganëve dhe heretikëve. Ai i ktheu një të verbri shikimin, ngriti një të paralizuar dhe ngushëlloi të pikëlluarit, jo vetëm gjatë pjesës tjetër të jetës së tij tokësore, por edhe më vonë, me anë të lipsaneve të tij të shenjta, që ndodhen në kishën e themeluar prej tij për nder të shën Luçisë.