EmailFacebookKontakt
Dëshmore Theodhuli dhe shokët e saj; Eladhi, Voithi, Evagri, Makari
Dëshmore Theodhuli dhe shokët e saj; Eladhi, Voithi, Evagri, Makari

Në fillim të persekutimit të madh e të tmerrshëm të Dioklecianit dhe Maksimianit (298), guvernator Pelagji u dërgua në qytetin e Anazarbës (Dioqesari), në Kiliki, për të ndëshkuar të krishterët. Theodhuli u kap dhe u nxor para gjyqit, ku deklaroi se ishte e krishterë. E varën nga flokët te një qiparis, ndërkohë që ia shponin edhe gjinjtë me maja hekuri të skuqura, pastaj e çuan në tempullin e idhujve për ta sakrifikuar.

Por shenjtorja, e fuqizuar nga lutja, e përmbysi statujën e Adrianit, e cila u bë copë e thërrime. Pelagji, i frikësuar nga kjo ngjarje, i premtoi asaj se do të bëhej i krishterë, nëse do ta kthente statujën e perandorit në gjendjen e saj fillestare. Kështu ndodhi, dhe qeveritari, i nxitur nga të dërguarit e tjerë të tiranit, nuk dinte më ç’të bënte.

Sekretari i gjyqit, Eladhi, mendoi ta dorëzonte vetë ai në tortura shenjtoren, që të bindej e të sakrifikonte më pas. I ngulën 5 gozhdë në veshë, në ballë dhe në gjoks, por durimi mahnitës i Theodhulës dhe fytyra e saj e paqësuar nga lutja kthyen edhe Eladhin, dhe të nesërmen ai doli para gjyqit, duke rrëfyer Krishtin si Perëndi të vërtetë.

Ia prenë kokën bashkë me Voithin, i cili sapo ishte kthyer në besim nga shenjtorja. Pelagji i tërbuar urdhëroi ta shtrinin Theodhulën mbi një skarë të zjarrtë, duke derdhur mbi të lëndë djegëse. Meqenëse ajo nuk pësoi asgjë, mbeti e paprekur, e hodhën në një furrë të ndezur, ku dorëzoi shpirtin e saj te Zoti, e shoqëruar nga dy martirë të tjerë të lavdishëm: Evagri dhe Makari.