EmailFacebookKontakt
Lajme

Vizita historike e Kryepiskopit të Shqipërisë z. Joan në Shkodër; një dëshmi e gjallë e Harmonisë Fetare dhe Dialogut Vëllazëror

22/12/2025

Vizita e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij Imzot Joanit në qytetin e Shkodrës shënoi një moment të veçantë dhe me rëndësi të thellë shpirtërore, institucionale dhe shoqërore, duke u vlerësuar gjerësisht si një nga vizitat më të suksesshme dhe më domethënëse të tij, brenda vendit, deri më tani.
Kjo vizitë e parë në këtë qytet me histori të pasur kulturore dhe fetare përbën një dëshmi të qartë të rolit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në forcimin e bashkëjetesës, dialogut dhe paqes shoqërore. Gjatë qëndrimit të tij, Kryepiskopi Joan kremtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën Orthodhokse “Lindja e Krishtit”, ku besimtarë të shumtë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë. Në fjalën e tij baritore, ai foli rreth fragmentit të Ungjillit të ditës, për të Dielën e Paraetërve (Gjenealogjia e Zotit Krisht), duke theksuar rëndësinë e rrënjëve shpirtërore, të trashëgimisë së besimit dhe të vazhdimësisë së traditës, si themel i identitetit të krishterë dhe i jetës shpirtërore të çdo besimtari. Ndër të tjera, Kryepiskopi Joan theksoi: “Ne kemi përgjegjësi, jo vetëm për jetën tonë, por dhe për jetët e njerëzve që janë rrotull nesh. Mos i dëgjoni shpeshherë teoritë që kanë dalë sot në botën moderne: Është jeta ime; Bëj çfarë dua; Është trupi im, bëj çfarë dua. Jeta, e para nuk është jotja, është një dhuratë nga Perëndia dhe e dyta, nuk është vetëm jona, sepse jeta e një fëmije prek jetën e prindërve, jeta e prindërve prek jetën e një fëmije. Ne jemi të pandarë nga njëri – tjetri, prandaj dhe nëse bëhemi egoist vetëm për veten, atëherë do të bëhet kjo botë që shohim sot. Të gjithë vetëm për vete, dhe të gjithë kanë mbetur vetëm, dhe një qenie njerëzore nuk mund të jetë e mbushur plot, duke qenë vetëm, ne jemi pjesë e një komuniteti. Edhe nëse do të jemi vetëm fizikisht, përsëri jemi pjesë e një komuniteti më të gjerë dhe Zoti erdhi pikërisht për ta ringritur këtë gjë. Mesazhi i Krishtlindjes është pikërisht kjo, që Krishti hapi rrugën për restaurimin e gjithsecilit nga ne, që do të thotë gjithsecili nga ne duhet të fillojë të pastrojë zemrën e tij, të mos mbajë dëshira dhe mërira në zemër, të mos ketë smirë për të tjerët, të mos ketë inate për njerëzit që janë rrotull tij. Dhe jo vetëm thjesht që duhet t’i gëzojë ata, por duhet të përpiqet dhe t’i ndihmojë. Nga mënyra se si sillemi me të afërmit tanë, varet dhe e ardhmja jonë”.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Atë Aleksandër Petani i uroi mirëseardhjen Fortlumturisë së tij Imzot Joanit, në emër të komunitetit Orthodhoks të Shkodrës dhe e vlerësoi këtë vizitë historike. Ai u kujtoi besimtarëve se një nga personat që mundësoi ndërtimin e kishës në Shkodër ishte Kryepiskopi Joan. Ai bëri të mundur që brenda 24 orëve të sigurohej trualli ku sot gjendet kisha “Lindja e Krishtit” në Shkodër, dhe ndërtimi më pas u realizua nga i lumuri dhe i përndritshmi Kryepiskopi Anastas.
Në vazhdim të vizitës, Kryepiskopi Joan, i shoqëruar nga Atë Aleksandri dhe Atë Nikolla, zhvilloi një takim zyrtar në Bashkinë e Shkodrës, ku u mirëprit nga Kryetari i Bashkisë, z. Benet Beci dhe Nënkryetarja e këtij institucioni znj. Teuta Qyteza.
Gjatë këtij takimi, Kryetari i Bashkisë e njohu Kryepiskopin tonë me projektet e reja zhvillimore që po ndërmerr institucioni vendor, si dhe me rëndësinë e veçantë që ka ruajtja e harmonisë fetare në jetën e qytetit. Nga ana e tij, Kryepiskopi Joan theksoi se kjo frymë harmonie, mirëkuptimi dhe vëllazërie ndërfetare është një pasuri e çmuar, jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, dhe se ajo duhet ruajtur e kultivuar me përgjegjësi për të mirën e brezave të sotëm dhe të ardhshëm.
Një tjetër ndalesë me peshë dhe rëndësi të veçantë ishte vizita në Myftininë e Shkodrës, ku Kryepiskopi Joan zhvilloi një takim mjaft miqësor dhe vëllazëror me Myftiun e Komunitetit Mysliman në Shkodër, z. Muhamed Sytari. Takimi u karakterizua nga respekti i ndërsjellë dhe nga vullneti i përbashkët për të forcuar më tej dialogun ndërfetar dhe bashkëpunimin në shërbim të paqes, solidaritetit dhe vlerave njerëzore. Myftiu i nderuar i Shkodrës përgëzoi zgjedhjen e imzot Joanit si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si një pasues i denjë i Hierarkut të shquar Kryepiskopit të lumur Anastas. Ai gjithashtu vlerësoi urtësinë dhe mesazhet që Fortlumturia e tij, Imzot Joani shpërndan për besimtarët dhe veçanërisht rreth temave të fundit për dashurinë ndaj vendit dhe familjes. Të dy udhëheqësit shpirtërorë vunë theksin te dialogu, bashkëpunimi dhe vëllazërimi. Kryepiskopi Joan theksoi se bashkëpunimi dhe harmonia me komunitetet fetare është me rëndësi edhe për sigurinë kombëtare.
Vizita e Kryepiskopit Joan u përmbyll me ndalesën në Kishën Katedrale Katolike të Shkodrës, një akt domethënës që përforcon mesazhin e unitetit, respektit dhe të bashkëjetesës midis komuniteteve fetare. Kryepiskopi Joan u mirëprit në një atmosferë vëllazërore nga Dom Vlash Palaj, famullitari i Kishës “Shën Shtjefni” në Shkodër.
Këto vizita dëshmuan edhe një herë se Shkodra mbetet një model i rrallë dhe i çmuar i harmonisë fetare, ku dallimet nuk ndajnë, por pasurojnë jetën shoqërore dhe shpirtërore.
Kështu, kjo vizitë e Kryepiskopit Joan u vlerësua si një ngjarje me ndikim të gjerë dhe pozitiv, që përforcon rolin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si urë dialogu dhe mirëkuptimi, duke e vendosur Shkodrën dhe Shqipërinë në hartën e vlerave universale të paqes, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Media Ngjallja 22.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse