EmailFacebookKontakt
Lajme

Thesare për jetën, jo thjesht një stendë në Panair!

13/11/2025

Me bekimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Joan, në Panairin e Librit 2025, është vendosur Stenda me botime të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ajo ndodhet te Pallati i Kongreseve dhe do të jetë aty nga 12-16 nëntor. Në të gjenden mbi 170 tituj librash theologjikë, historikë, kulturorë, të cilët transmetojnë përvojën shumëshekullore të Besimit të Krishterë Orthodhoks në vendin tonë që në kohët apostolike deri më sot.  
Libra që udhëzojnë për jetën në familje, rritjen e fëmijëve dhe njohjen e vetes pasurojnë stendën e Kishës sonë. Në stendë do të gjeni libra dhe broshura me mësime të çmuara për jetën nga njerëz që jetuan sipas mësimeve të Ungjillit të Shenjtë, shenjtorët, që nga shekujt e parë deri të koha e sotme. Mësimet e tyre e drejtojnë lexuesin të jetojë me urtësi dhe të ecë në rrugën e virtytit. 
Kisha jonë, duke njohur mirë nevojën që ka vendi ynë për mësimet e Ungjillit të Shenjtë dhe shembullin e jetës së shenjtorëve, që prej viteve të para të Ringritjes të saj pas regjimit komunist disponon shtypshkronjën “Ngjallja”. Ajo boton libra me tematika të shumëllojshme që i vijnë në ndihmë lexuesit të çdo moshe dhe përballjes së tij më çështjet bashkëkohore.   
Për 33 vjet me radhë ajo boton çdo muaj gazetën “Ngjallja”, e cila sot numëron 385 botime, revistën për fëmijë “Gëzohu” dhe libra për fëmijë me metodologji bashkëkohore të mësimdhënies. 
Stenda me botimet e Kishës Orthodhokse, përveç paraqitjes së librave, inkurajon leximin si një zakon i mirë për njeriun, sepse leximi sjell rritje në njohuri, pastrim në mendje, rritje në dashuri, rritje shpirtërore.
Shën Isaak Siriani  mëson që këmbëngulja në lexim pastron mendimet dhe sjell ëmbëlsi në zemër; leximi e kënaq edhe e gëzon shpirtin. Shën Joan Gojarti nxit ta zhytim mendjen dhe zemrën në libra shpirtërorë dhe do të jemi gjithmonë të mbushur, sepse leximet shpirtërore na japin një themel në Perëndinë.  
Në Lutjen për lexim kërkojmë që jo vetëm t’i çmojmë ato gjëra që janë shkruar, por që t’i zbatojmë, që duke lexuar jetën, veprën dhe fjalët e shenjtorëve, të mos mëkatojmë, por që ato të shërbejnë për restaurimin, ndriçimin dhe shenjtërimin tonë, për shpëtimin e shpirtit dhe trashëgiminë e jetës së përjetshme.
Kështu, duke pasur në mendje mësimet e shenjtorëve, botimet e Kishës sonë do të realizojnë qëllimin e tyre duke ndihmuar çdo njeri që i lexon dhe përpiqet t’i zbatojë ato që shkruhen në to. Pra, stenda e Kishës sonë është stendë me thesare për jetën, nuk është thjesht një stendë në Panair!
Ana Baba
Zyra e Botimeve të Kishës Orthodhokse

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse