Padyshim një ndër personalitetet e shquara të studimit të artit bizantin dhe pasbizantin në vendin tonë është edhe Theofan Popa. Merita e tij në këtë drejtim do të ishte e jashtëzakonshme dhe do të përfshinte jo vetëm kërkimin dhe evidentimin e afreskeve, ikonave, mbishkrimeve apo objekteve të tjera kishtare, por edhe botimin e studimeve të shumta rreth tyre. ‘’Theofan Popa mbetet një prej themeluesve dhe etërve të parë të shkollës shqiptare për evidentimin dhe studimin e artit bizantin dhe pasbizantin, e artit që përbën, ndoshta, një prej vlerave më të spikatura e identifikuese të trashëgimnisë historike e kulturore të popullit shqiptar gjatë mesjetës, madje edhe gjatë tërë historisë së ekzistencës së tij’’, shkruajnë rreth figurës së tij studjuesit Kristaq Balli dhe Lorenc Glozheni (1). Por cili ishte Theofan Popa, njeriu i palodhur i kërkimeve dhe studimeve të artit kishtar?! Sipas një jetëshkrimi të shkurtër, ai lindi më 3 nëntor 1914 në lagjjen ‘’Kala’’ të Elbasanit. Pas përfundimit të shkollës fillore në vendlindje, Theofan Popa, do të kryente Seminarin Teologjik “Joan Teologu” në Manastir, për të vijuar me studimet e larta në Fakultetin Teologjik të Universitetit ‘’Kapodistria’’ të Athinës. Pas diplomimit në vitin 1941 do të kthehej në Shqipëri, ku do të fillonte punën si mësues i gjuhës latine në Liceun e Korçës dhe më pas në Normalen e Elbasanit (2). Pas Çlirimit, Popa, do të transferohej në Tiranë pranë Kryesisë së Kishës Ortodokse si predikues, ndërsa në vitin 1945 ai do të ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lidhjes së Teologëve dhe Seminaristëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (3). I larguar prej Kishës nga ndërhyrjet politike të kohës, Theofan Popa, do të punonte për disa kohë në ministrinë e Kulturës dhe të Financave, ndërkohë në vitin 1949 do të angazhohej përfundimisht si punonjës në Institutin e Shkencave. Pranë këtij institucioni, dhe më pas në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Arkivin e Shtetit, Popa, do të zhvillonte një punë të gjerë dhe të gjithanshme kërkimore (4). Gjatë kësaj kohe ai do të botonte librat ‘’Piktorët mesjetarë shqiptarë’’ (1961), ‘’Ikona dhe miniatura mesjetare në Shqipëri’’ (1974), si dhe një sërë shkrimesh studimore kryesisht në revistat shkencore: ‘’Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore’’ dhe ‘’Studime Historike’’. Një meritë e jashtëzakonshme e tij do të ishte mbledhja dhe grumbullimi i ikonave të kishave ortodokse të Shqipërisë, si dhe vënia nën mbrojtje e këtyre objekteve të kultit si monumente kulture (5). Theofan Popa do të ndërronte jetë më 30 dhjetor 1985 në Tiranë, pas një periudhe të gjatë përndjekjeje dhe persekucionit nga diktatura komuniste (6). Me rënien e regjimit vepra e tij do të vlerësohej nëpërmjet një sërë botimesh. Kështu, në vitin 1998, Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë, do të botonin librin e tij ‘’Mbishkrime të kishave në Shqipëri’’, i cili do të pasohej në vitin 2006 nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, të cilat do të botonin një tjetër libër: ‘’Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri (shek. VI-XV)’’ (7). Ndërkohë, puna e palodhur e Theofan Popës do të shtrihej në një rrafsh më të gjerë dhe shumëplanësh. Si specialist i Sektorit të Historisë së Mesjetës në Institutin e Shkencave, ai do të kishte fatin të bashkëpunonte ngushtë me kolegen Viktori Puzanova. Të dy së bashku do të zbulonin në vitet 1951, 1953 dhe 1956, tre nga kolosët e ikonogafisë shqiptare: Onufrin, David Selenicën dhe Nikollën e Onufrit (8). ‘’Theofan Popa, si studjues i zellshëm dhe sistematik, i vuri në shërbim, në gradën më të lartë të mundshme, njohuritë që kishte fituar nga studimet dhe përvoja’’, shkruan për këtë rast akademiku grek Ioannis Vitaliotis (9). Pikërisht artikulli i parë i botuar prej tij ‘’Piktor Kostandini prej Shpati’’, në vitin 1955 në revistën ‘’Buletin për shkencat shoqërore’’, do të prezantonte përpara publikut piktorin e shquar miniaturist Kostandin Shpataraku (10). Po kështu, artikujt me studime të shkruara përgjatë viteve 1955-1960 për Onufrin, Nikollën e Onufrit, Kostandin Shpatarakun, Kostandin dhe Athanas Zografin, Çetirët, etj, do të përfshiheshin në librin e tij të botuar në vitin 1961: ‘’Piktorët mesjetarë shqiptarë’’ (11). Ndërsa, në vitin 1974 ai do të botonte në shqip dhe frëngjisht librin e dytë, ‘’Ikona dhe miniatura mesjetare në Shqipëri’’. Do të ishte pikërisht ky botim që do ta bënte të njohur për rrethet shkencore dhe publikun ndërkombëtar (12). ‘’Deri në vitin 1975, Popa do të botojë 23 studime kryesisht për pikturën murale, ikonat e drurit, kodikët e dekoruar me miniature dhe për mbishkrimet’’, shkruan Ioannis Vitaliotis në shkrimin e tij: ‘’Studimi i pikturës bizantine dhe pasbizantine të Shqipërisë gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit (1945-2015): Një rishqyrtim kritik’’ (13). Theofan Popa ishte i pari në Shqipëri që, së bashku me Viktori Puzanovën dhe më vonë me Dhorka Dhamon, e vendosën ikonografinë e artit kishtar në Shqipëri në kuadër të studimeve ndërkombëtare të fushës, do të theksonte në aktivitetin për vlerësimin e figurës së tij nga Akademia e Shkencave, historiani dhe studjuesi Konstantinos Giakoumis (14). Por Theofan Popa, nuk do të mjaftohej vetëm me studimin e epigrafisë, afreskeve dhe ikonave kishtare. Ai do të trajtonte me shumë sukses edhe tema të tjera dhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. I tillë ishte edhe studimi, ‘’Gllavenica e lashtë dhe Ballshi i Mallakastrës’’, botuar në vitin 1964 në revistën ‘’Studime historike, ku ai do të përcaktonte vendodhjen e Gllavinicës mesjetare në Ballsh të Mallakastrës. Ndërsa në kumtesën e titulluar, ‘’Shkolla e Korçës dhe tradita e saj në pikturën kishtare’’, mbajtur në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, në vitin 1969, Popa, do të formulonte tezat për ekzistencën e dy shkollave të ikonografisë shqiptare: Beratit dhe Korçës (15). Ndërkohë, kryevepra e këtij kolosi të studimeve të artit kishtar konsiderohet padyshim libri, ‘’Mbishkrime të kishave në Shqipëri’’. I botuar post mortum në vitin 1998, në të paraqiten 1000 mbishkrime të përkthyera dhe të identifikuara të kishave, manastireve, apo shpellave eremite që gjenden brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë vëllim, materialet ndahen duke ndjekur rendin kronologjik sipas zonave të mitropolive kryesore të dikurshme kishtare, të shoqëruara edhe me sqarimet përkatëse, hollësitë dhe citimet bibliografike (16). Ndërkohë, Theofan Popa, do të përjetonte me dhimbje edhe vitin e mbrapshtë 1967, kur shteti komunist, ndërmori një nga veprimet e tij më të paprecedentë: ndalimin e fesë dhe mbylljen e institucioneve fetare. ‘’Atë kohë, Theofani së bashku me kolegë të tjerë, Gani Strazimirin, Aleksandër Meksin dhe Pirro Thomon, duke ndier përgjegjësinë historike, reaguan menjëherë dhe fort për ndalimin e shkatërrimit të mëtejshëm të monumenteve kishtare me vlerë, duke arritur të shpëtojnë thuajse të paprekura rreth 120 kisha dhe manastire’’, shkruan historiani dhe studjuesi Andi Rëmbeci, në kumtesën e tij: ‘’Theofan Popa, një jetë kushtuar studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore’’ (17). Po kështu, ai do të ndërhynte me autoritetin e njohësit dhe studjuesit të këtyre vlerave të papërsëristshme të kulturës sonë që të shpëtoheshin sa më shumë objekte të tilla kulti (18). ‘’Ndërmjet viteve 1967-1975, Theofani u mor me grumbullimin e ikonave dhe të objekteve luturgjike kishtare duke i shpëtuar ato nga shkatërrimi. Duke shkuar fshat më fshat dhe kishë më kishë … ‘’, shkruan në këtë rast studjuesi Andrea Llukani (19). Një punë të tillë ai e mori përsipër i vetëm duke grumbulluar dhe regjistruar ikona dhe objekte të tjera nga kishat dhe manastiret e Shqipërisë. Do të ishin rreth 10 000 ikona të tilla që do të vendoseshin më vonë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, Muzeun Kombëtar të Ikonografisë ‘’Onufri’’ në Berat, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, etj (20). Ndërkohë që një drejtim tjetër i punës së Theofan Popës do të ishte edhe angazhimi me kohë të pjeshme pranë Arkivit Qëndror Shtëtëror. Këtu, ai ku do të hartonte edhe ‘’Katalogun e kodikëve mesjetarë të Shqipërisë’’, përfshirë në vitin 2003 në vëllimin ‘’Kodikët e Shqipërisë’’, si dhe ‘’Pasaportën e kodikëve të fondit 488’’. Gjatë punës që do të kryente në këtë institucion, Theofan Popa, do të realizonte edhe studimin, ‘’Miniaturat e kodikëve të Shqipërisë’’, i cili do të botohej në vitin 2006 me titullin: ‘’Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri (shek. VI-XV)’’ (21). Pikërisht këtu ai do të trajtonte me mjeshtëri jo vetëm miniaturat e kodikëve mesjetarë të Shqipërisë, por edhe mozaikun e paraklisit të amfiteatrit të Durrësit, si dhe pikturat murale të shpellave eremite dhe kishave ortodokse të Shqipërisë (22). Por fatkeqësisht për një periudhë të gjatë të jetës së tij, Theofan Popa, do të përndiqej nga Sigurimi i Shtetit, i cili do ta kishte si objekt përpunimi dhe hetimi që prej vitit 1949. Janë një sërë dokumentash të dosjes së tij formulare me nr. 3328, që i përkasin Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat dëshmojnë një veprimtari të tillë (23). Ai përndiqej me akuzën se ‘’propagandonte pikëpamje fetareve’’ dhe ‘’zhvillonte veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe propagandës kundër partisë dhe pushtetit popullor’’ (24). Në vijim të kësaj fushate, më 29 janar 1978 do të organizohej për të një mbledhje publike, ndërkohë që një ditë më parë ishte arrestuar i biri, student, me akuzën ‘’agjitacionit dhe propogandës’’. Po kështu, me urdhër të organeve të diktaturës do të bëhej edhe denigrimi i figurës së tij si studjues dhe intelektual i shquar, nga ana e kolegëve dhe institucioneve në të cilat kishte punuar. Në vijim të persekucionit ndaj familjes, të shoqen dhe të bijën, do ti hiqnin nga puna për ti dërguar si punëtore krahu në prodhim (25). Por pavarësisht këtyre goditjeve, Theofan Popa, do të mbetej ashtu siç e ka përcaktuar bashkëkohësi dhe kolegu Pirro Thomo: “Konseguent deri në fund në bindjet e tij” (26). Në këtë klimë duke mbajtur një qëndrim stoik dhe të paepur, me forcën që i jepte besimi i krishterë ortodoks, ai do të ndërrohte jetë më 30 dhjetor 1985. Ndërsa, regjimi komunist do të shëmbej së afërmi, figura e Theofan Popës do të ridimensionohej duke marrë vlerësimin e merituar. Krahas botimeve të veprave të mbetura në dorëshkrim nga institucionet më të rëndësishme shkencore të vendit, nëpëmjet shkrimeve dhe aktiviteteve promovuese publiku i gjerë do të njihej edhe me profilin e plotë të tij. Do të ishin një sërë miqsh, bashkëpunëtorësh, bashkëkohësish apo studjuesish të ndryshëm, që do të prezantonin figurën e tij intelektuale, si një njeri shumëdimensional, me një natyrë humane, poliglot, studjues i shquar, shkencëtar i sakrificës, etj. Ashtu siç do të theksonte edhe miku dhe bashkëpunëtori i tij Dhimitër Beduli: ‘’Teolog dhe studjues i denjë i kishës dhe i kombit’’ (27). Ndërkohë më 3 maj 2024, Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, do ti akordonte diplomën ‘’Nderi i Akademisë’’, me motivacionin: ‘’Theofan Popa, shpëtuesi, kataloguesi, mbrojtësi dhe studiuesi i trashëgimisë kishtare të Shqipërisë’’ (28). Një akt i tillë do të përbënte një prej vlerësimeve më të larta ndaj figurës së tij.
* Titulli është marrë nga motivacioni i vlerësimit të Theofan Popës nga Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në vitin 2024, me diplomën ‘’Nderi i Akademisë’’.
******
1-K. Balli-L. Glozheni, Theofan Popa dhe disa gjetje e konfirmime të reja për pikturën e vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi nën dritën e veprës së tij shkencore, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 291
2-A. Rëmbeci, Theofan Popa, një jetë kushtuar studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, Punëtorë të shquar të Albanologjisë, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”- Akademia e Studimeve Albanologjike, Dhjetor 2019, f. 192; A. Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, Botimet “Trifon Xhagjika”, Tiranë 2019, f. 13
3-Andrea Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, Botimet “Trifon Xhagjika”, Tiranë 2019, f. 13
4-Po aty, f. 15, 30; I. Vitaliotis, Studimi i pikturës bizantine dhe pasbizantine të Shqipërisë gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit (1945-2015): Një rishqyrtim kritik, Monumentet, 54, Tiranë 2016, f. 118-120; A. Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për muzeologjinë shqiptare, Dritëhije, 1, Tiranë 2018, f. 78
5-Andi Rëmbeci, Theofan Popa, një jetë kushtuar studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, Punëtorë të shquar të Albanologjisë, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”- Akademia e Studimeve Albanologjike, Dhjetor 2019, f. 193-194
6-Po aty, f. 193; A. Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, Botimet “Trifon Xhagjika”, Tiranë 2019, f. 30
7- Th. Popa, Mbishkrime të Kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998; Th. Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri (shek. VI-XV), ASH të Shqipërisë-IH-DPA, Tiranë 2006
8-Theofan Popa, Piktorët mesjetare shqiptarë, MAK, Tiranë 1961, f. 37-38, 63
9-Ioannis Vitaliotis, Studimi i pikturës bizantine dhe pasbizantine të Shqipërisë gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit (1945-2015): Një rishqyrtim kritik, Monumentet, 54, Tiranë 2016, f. 120
10-Theofan Popa, Piktor Kostandini prej Shpati, Buletin për Shkencat Shoqërore, Nr. 1, 1955, f. 211-214
11-Theofan Popa, Piktorët mesjetare shqiptarë, MAK, Tiranë 1961, f. 37-122
12-Andrea Llukani, Dosja e Teologut Theofan Popa, Global Chalenge, Akademia Diplomatike Shqiptare, IV, 2, Tiranë 2017, f. 95
13-Ioannis Vitaliotis, Studimi i pikturës bizantine dhe pasbizantine të Shqipërisë gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit (1945-2015): Një rishqyrtim kritik, Monumentet, 54, Tiranë 2016, f. 119
14-https://akad.gov.al/nderohet-ne-akademi-theofan-popa-shpetuesi-kataloguesi-mbrojtesi-dhe-studiuesi-i-trashegimise-kishtare-te-shqiperise/
15-Th. Popa, Gllavenica e lashtë dhe Ballshi i Mallakastrës, Studime historike, 2, Tiranë 1964, f. 22; Th. Popa, Shkolla e Korçës dhe tradita e saj në pikturën kishtare, Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, II, Tiranë 1969, f. 91-92
16-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 4
17-Andi Rëmbeci, Theofan Popa, një jetë kushtuar studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, Punëtorë të shquar të Albanologjisë, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”- Akademia e Studimeve Albanologjike, Dhjetor 2019, f. 193
18-Po aty, f. 193-194
19-Andrea Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, Botimet “Trifon Xhagjika”, Tiranë 2019, f. 16
20-A. Rëmbeci, Theofan Popa, një jetë kushtuar studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, Punëtorë të shquar të Albanologjisë, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”- Akademia e Studimeve Albanologjike, Dhjetor 2019, f. 194; A. Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për muzeologjinë shqiptare, Dritëhije, 1, Tiranë 2018, f. 78
21-A. Llukani, Ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, Botimet “Trifon Xhagjika”, Tiranë 2019, f. 30; Kodikët e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë 2003, f. 87-206; Th. Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri (shek. VI-XV), ASH të Shqipërisë-IH-DPA, Tiranë 2006
22-Theofan Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri (shek. VI-XV, ASh të Shqipërisë-IH-DPA, Tiranë 2006
23-Arkivi i Ministrisë të Punëve të Brendshme, Dosje Formulare, 2/B, nr. 3328; AIDSSH, Dosja nr. 3328
24-Po aty, f. 123-125
25-Andrea Llukani, Dosja e Teologut Theofan Popa, Global Chalenge, IV, 2, Akademia Diplomatike Shqiptare, Tiranë 2017, f. 96-97
26-Pirro Thomo, Konseguent deri në fund në bindjet e tij, Ngjallja, prill 2002, f. 3
27-Dhimtër Beduli, Theofan Popa teolog dhe studiues i denjë i kishës dhe i kombit, Ngjallja, janar 1995, f. 6-8
28-https://akad.gov.al/nderohet-ne-akademi-theofan-popa-shpetuesi-kataloguesi-mbrojtesi-dhe-studiuesi-i-trashegimise-kishtare-te-shqiperise/
Media Ngjallja
Data: 22.11.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse