EmailFacebookKontakt
Lajme

Të duam Atdheun tonë, ta begatojmë dhe ta lulëzojmë! Joani, Kryepiskop i Shqipërisë në intervistën e Media Ngjallja

26/11/2025

Cili është mësimi i Kishës Orthodhoske për Atdhedashurinë? 
Raporti ndërmjet Kishës dhe Kombit është një raport i komplikuar, por shpeshherë në mënyrë artificiale janë vënë sikur janë në kundërvënie. Pa dyshim, Kisha na mëson t'i duam të gjithë, na mëson që ta duam vendin tonë, atje ku jemi lindur dhe rritur. Kjo dashuri është pjesë e një dashurie të madhe që është për të gjithë njerëzit. Të gjithë njerëzit kanë një dashuri për familjen, për prindërit dhe, padyshim, do të kenë një dashuri për atdheun, sepse është e pamundur të duash Perëndinë dhe të mos duash vendin ku ke lindur dhe je rritur. 
Shpeshherë shumë njerëz vendosin një pikëpamje sikur këto dy gjëra i kundërvihen njëra-tjetrës. Të duash Kishën dhe të duash Zotin, padyshim që do ta duash edhe atdheun. Kjo nuk është që të duash njërën dhe të mos duash tjetrën. Për shembull, të duash atdheun dhe të mos duash Zotin, apo anasjelltas. Ky raport është shumë i rëndësishëm, sepse nëse nuk do të kemi dashuri në shpirt për vendin tonë, kjo është një ofezë karshi Zotit. Kisha nuk e mohon etninë. Pa dyshim që Kisha është universale dhe e kapërcen atë; Kisha beson në vëllazërimin e gjithë popujve të botës; Kisha është katholike, që i përfshin të gjithë, është e përgjithshme. Por raporti ndërmjet të përgjithshmes dhe të veçantës nuk është një kundërvënie e njërës kundër tjetrës, por është një harmoni njërës me tjetrën. Duke dashur Zotin dhe duke i dashur të gjithë këto të tjerat, padyshim që do të duam akoma më shumë dhe ato që kemi rrotull. Dashuria nuk është diçka abstrakte: të duam njerëz dhe gjithë botën në përgjithësi, por të duam njerëzit që i takojmë çdo ditë, njerëzit që i shohim çdo ditë. Të duash vendin tënd është pjesë e kësaj gjëje, ndaj Kisha nuk e mohon etninë. Mohimi i etnisë, të paktën në këndvështrimin tim, është mohim i Zotit. Një njeri që mohon atdheun e tij, mohon kombin e tij, ka mohuar dhe Zotin. Prandaj Kisha na mëson që ta duam vendin tonë. Të duash vendin do të thotë që përpiqesh me gjithë shpirt që ai vend të përparojë, të begatojë dhe të jetojë në paqe e harmoni. Është detyrim i çdo të krishteri që ta dojë vendin e tij. Përderisa kemi lindur këtu, Zoti na ka caktuar kujdestarë të këtij vendi dhe kemi përgjegjësi përpara Perëndisë për mbarëvajtjen e tij, sepse “i Zotit është dheu dhe gjithçka që është në të" – thotë Psalmisti. Gjë që do të thotë se këtë pjesë të dheut, që na ka caktuar neve që kemi lindur këtu, e kemi detyrim për ta dashur, e kemi detyrim për ta begatuar dhe kemi detyrim që ky vend të përparojë dhe të ndriçojë. Kjo është atdhedashuria e vërtetë. Njerëzit duhet ta duan vendin e tyre, sepse nëse nuk do të duan vendin e tyre, padyshim që nuk do të duan as Perëndinë. Si thotë Shën Joani në letrat e tij (1Jn.4:20) se ai njeri që thotë dua Perëndinë dhe urren vëllanë e tij, është gënjeshtar; sepse si do të duash Perëndinë që nuk e ke parë asnjëherë dhe nuk do vëllain tënd që e shikon çdo ditë?! Ne këtu çdo ditë shikojmë bashkatdhetarët tanë, vëllezërit tanë dhe nëse nuk i duam ata, padyshim që nuk duam as Zotin. Prandaj dhe Kisha e nxit atdhedashurinë, si pjesë të rëndësishme të jetës fetare.
Fortlumturi, në kohën e sotme, shumë njerëz shfaqen si nacionalistë dhe shpeshherë e identifikojnë veten si atdhedashës dhe patriotë. Cili është dallimi midis patriotit dhe nacionalistit? 
Kjo është një temë pak më e komplikuar, por varet dhe se çfarë kuptojnë njerëzit me fjalën patriot dhe çfarë kuptojnë më fjalën nacionalist. Në kuptimin e përgjithshëm, pak a shumë mund të thuhet në këtë formë: patriot është ai që e do vendin e tij dhe përqendrohet pikërisht në dashurinë për vendin dhe lulëzimin e atij vendi, ndërsa nacionalist e ka marë kuptimin si kundërvënie ndaj kombeve të tjera, qofshin kombe fqinjë apo kombe më larg. Lartësimi i kombit tënd dhe shtypja e përbuzja e kombeve të tjera mund të bëhet diçka e rrezikshme, sepse, nëse do të ndizet urrejtja në shpirt, po ata njerëz që ndoshta mendojnë se po urrejnë vetëm ata të tjerët, po ata urrejnë edhe njerëzit e kombit të tyre. Nazistët ishin nacionalistë. Madje partia e tyre quhej nacional-socialiste. Pa dyshim që ata kishin urrejtje për shumë kombe të tjera, por ajo urrejtje u shfaq në kombin e tyre dhe miliona gjermanë u persekutuan dhe u vranë, u torturuan nga të gjithë, sepse në zemrën e njeriut nuk mund të ndodhë njëkohësisht edhe dashuria dhe urrejtja. 
Nëse kemi dashuri për vendin tonë, padyshim që nuk është nevoja të urrejmë të tjerët. Ai që e do vendin e tij e lulëzon atë. Urrejtja për të tjerët do të fillojë dhe të përhapet dhe në vendin tënd dhe ndaj njerëzve të tjerë. Nacionalizmi mbështetet në një egoizëm. Dikush thotë: Gjermania mbi të gjitha, dikush thotë i pari vendi ynë dhe forma të ndryshme si këto, por kjo mbështetet vetëm në egoizëm. Atdhedashuria e vërtetë nuk përjashton nga dashuria të gjithë njerëzimin. Patrioti përpiqet ta vlerësojë vendin e tij, ta ndihmojë të zhvillohet e të begatojë. Nacionalisti – varet nga termat, sepse në shqip nuk e jep të plotë këtë gjë, në shqip shpeshherë fjala "nacionalizëm" ka pasur kuptimin e një patriotizmi. Nacionalistët e Rilindjes nuk ishin nacionalistë vetëm për t'u kundërvënë vetëm të tjerëve, por ishin patriotë dhe ndoshta termi më i mirë për ta është të quhen patriotë, njerëz që e donin vendin e tyre dhe nuk u kursyen për asgjë; shpenzuan pasuritë dhe gjithçka që kishin, qoftë materiale dhe qoftë shpirtërore, për t’i dhënë pavarësi vendit dhe për ta lulëzuar atë. Sot, detyra jonë është pikërisht për të vazhduar në këtë linjë: Ta duam vendin tonë! Nëse ne e lulëzojmë vendin tonë, padyshim që e kemi kryer detyrën para Zotit, para kombit dhe para atdheut.
Fortlumturi, në 28 nëntor, pas Liturgjisë Hyjnore, Ju do të kryesoni Shërbesën e Dhoksologjisë së Flamurit, një shërbesë që zhvillohet në të gjitha kishat tona orthodhokse. Cili është kuptimi i Shërbesës së Dhoksologjisë së Flamurit që kryhet në Ditën e Flamurit, në ditën e Pavarësisë? 
Në të gjitha Kishat Orthodhokse të botës ka një ditë në të cilën ata bëjnë Dhoksologji, dhe nga fjala ju e dini që Dhoksologji do të thotë lavdërim i Perëndisë. Qëllimi që bëhet është së pari një mirënjohje ndaj Perëndisë, pasi Perëndia na ka dhënë një vend shumë të bukur, një vend që ka gjithçka; ka male, ka fusha, pyje, lumenj e kodra, dete dhe liqene, pra, ka gjithçka. Për këtë duhet të jemi mirënjohës dhe ta falënderojmë Perëndinë. Por nuk mjafton vetëm me kaq. Në kuptimin Orthodhoks, siç e përmenda dhe pak më parë që i Zotit është dheu, edhe ne jemi kujdestarë të një pjese të dheut. Gjë që do të thotë se një atdhetar i vërtetë është ai njeri që përpiqet ta lulëzojë këtë vend; dhe ta lulëzosh një vend, fillimisht duhet ta duash, të duash njerëzit dhe padyshim që duhet të duash Zotin. Ju tregoj shpeshherë njerëzve një episod nga Ungjilli dhe e ritregoj vazhdimisht, sepse është shumë i rëndësishëm. Përpara se Zoti t’i jepte Shën Pjetrit një detyrë shumë të rëndësishme që të kulloste grigjën e Tij, të kujdesej për delet e tij, si metaforë për grigjën e krishterë dhe për grigjën e gjithë njerëzve, i bën një pyetje tri herë dhe i thotë: "Simon, biri i Jonait, a më do mua më shumë sesa këta të tjerët?" Dhe pasi Pjetri i përgjigjet: "Po, o Zot, të dua". Atëherë i thotë: "Kulloti delet e mia". 
Gjë që do të thotë se, që t'i duash njerëzit, duhet të duash Zotin dhe të duash Zotin do të thotë të duash të gjitha vlerat që vijnë nga mësimi i Zotit.  
Sot përballemi me diçka: njerëzit i kanë braktisur vlerat, ato vlera tradicionale që kanë qenë ndër shekuj, që kanë formuar qytetërime dhe i kanë mbajtur njerëzit, njerëz. Duke përmbysur këto vlera, dashuria në shpirt pakësohet, sepse nëse nuk do të duam Zotin, padyshim do të kemi vështirësi për t'i dashur njerëzit e tjerë. As familjen nuk e begaton, nëse nuk i do njerëzit. Shpeshherë, për fatin tonë të keq, njerëz që kanë përgjegjësi për vendin, nuk e kanë këtë dashuri dhe më e rrezikshmja është kur kjo maskohet me parrulla nacionaliste. Ai njeri që nuk do njerëzit e tij, nuk mund të jetë atdhetar dhe patriot! Një njeri që nuk do vendin e tij, që nuk përpiqet me gjithë shpirt ta begatojë, si mund të jetë patriot?! Ajo nuk mund të mbulohet me retorika, duke sharë njerëzit e tjerë dhe kombet e tjera. Prandaj, në këto ditë i kujtojmë besimtarëve këto dy gjëra:
E para, të jemi mirënjohës ndaj Perëndisë dhe e dyta, ta duam vendin si një përgjegjësi ndaj Zotit. Nëse do të jemi kujdestarë të mirë, padyshim do të bëjmë diçka; por që të përpiqesh për të bërë diçka, duhet të duash dikë. Një njeri që do Zotin, do t’i dojë dhe njerëzit. Është e pamundur të duash Zotin dhe të mos duash atdheun tënd dhe vendin ku ti jeton, ku je lindur dhe je rritur, ku kanë jetuar prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit. Është e pamundur ajo gjë! Një njeri që e do Zotin me gjithë shpirt, do t'i dojë dhe ata. Kjo Dhoksologji shërben dhe si një pjesë e edukimit atdhetar që njerëzit ta duan vendin e tyre dhe të ndiejnë përgjegjësi për të, sepse dashuria e vërtetë nuk është thjesht ndjenjë, por dashuria e vërtetë shoqërohet me vepra. Një prind për fëmijën nuk mjaftohet vetëm thjesht duke thënë "e dua fëmijën", por përpiqet ta ndihmojë, bën vepra. Veprat janë ato që flasin. Nëse veprat tona nuk tregojnë atdhedashurinë, ajo mund të jetë një hipokrizi. Prandaj është shumë e rëndësishme për ne që ta duam vendin tonë, si pjesë e dashurisë së përgjithshme të dashurisë së Perëndisë. 
Fortlumturi, a mund të na jepni një mesazh të shkurtër për ditën e Pavarësisë 28 Nëntor? 
Do doja t'ju uroja të gjithëve gëzuar këtë ditë, të falënderojmë Perëndinë dhe të përpiqemi për vendin tonë me gjithçka që mundemi, sepse duke u përpjekur për vendin tonë, padyshim që më tepër ndihmojmë dhe veten tonë. Një njeri që përpiqet të ndërtojë edhe në familje një ambient të ngrohtë dhe për atë vetë është shumë mirë. Në një vend ku nuk ka paqe, ku nuk ka harmoni, ku ka sherre, grindje dhe zili e sharje, nuk mund të ketë qetësi dhe nuk mund të jetë një vend që ti mund të jetosh qetësisht. Duke e lulëzuar vendin tonë dhe duke e bërë një vend të paqtë, një vend me begati, padyshim që do të jetë mirë për gjithsecilin nga ne. Në këtë ditë të veçantë për vendin tonë, ju uroj të gjithëve gëzuar dhe për shumë vjet! 
Media Ngjallja, Nëntor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse