Me rastin e festimit të Tre Hierarkëve në 30 janar, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u zhvillua një takim shpirtëror me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Imzot Joanit, takim i cili ishte i mbushur me reflektim dhe frymëzim, kushtuar jetës dhe shembullit të Tre Hierarkëve të Shën Vasilit të Madh, Shën Joan Gojartit dhe Shën Grigor Teologut. Klerikë, të rinj nga Zyra e Rinisë dhe prindër bashkë me fëmijët e tyre u mblodhën së bashku për të dëgjuar, për të mësuar dhe për të prekur më nga afër thesarin shpirtëror që këta shenjtorë i kanë lënë Kishës dhe botës.
Me fjalën e tij atërore dhe përvojën e pasur, Ikonomi i Madh i Kishës sonë, Atë Harallamb Gjoka, na udhëhoqi me dashuri në këtë udhëtim shpirtëror, duke na ftuar të shohim jetën e Tre Hierarkëve si një thirrje të gjallë për përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri të vërtetë brenda familjes dhe komunitetit.
Takimi u kthye në një moment të veçantë bashkimi dhe shprese për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët i falënderojmë për pjesëmarrjen e tyre.
Takimi tjetër do të zhvillohet në enorinë e “Ungjillëzimit të Hyjlindëses”; për më shumë detaje do t’ju njoftojmë në javët në vazhdim.


Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse