EmailFacebookKontakt
Lajme

Si e njoha Kryepiskopin Joan – shkëputur nga Intervista e Media Ngjallja me z. Viktor Martini

19/11/2025

Media Ngjallja para disa ditësh realizoi një intervistë me z.Viktor Martini i cili na foli për njohjen e tij me Kryepiskopin Joan kur ai në atë kohë punonte si kujdestar në Spitalin Psikiatrik në Tiranë.
Në këtë intervistë z. Viktor flet për njohjen e tij të hershme me Kryepiskopin e Kishës sonë imzot Joanin dhe është takuar me të për herë të parë kur ai shkoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës atje ku punonte Kryepiskopi.
Viktori është ish-i dënuar politik dhe ka vuajtuar dënimin në burgun e Burrelit ku ai aty ka njohur dhe ka takuar edhe imzot Visarionin. 
Edhe 3 vëllezërit e tij kryen burg politik. 
Ai është i biri i Zef Martinit i cili ndërroi jetë në burgun e Burrelit.
Viktori rrëfen se e gjithë familja e tij ka vuajtur 104 vite burg.
Që në fillim të vitit 1990 Viktori dhe bashkëshortja e tij znj. Liza jetojnë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai është autor i librit "Unë Dëshmoj" ku në këtë libër ai përmend edhe njohjen e tij me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Joanin.
E njoha kur hirësia e tij ishte kujdestar në pavionin e psikiatrisë. Më tërhoqi vëmendjen me qëndrimin i tij. Kur të gjithë administrata që shërbente brenda pavionit përlyheshin diku duke marrë arat e të sëmurëve, diku në ushqimet, diku te lekët; të gjithë hanin në mensë. Hirësia e tij, (Joan) Pelushi, ishte kujdestar i këtyre njerëzve të psikiatrisë. E pata rastin ta njihja në oborr, ku dilnim për pushim. Qëndroja pranë tij në oborr. Një ditë më pyeti: “Cila është gjëja më e çmuar në këtë jetë, Viktor”? I numërova të gjitha me radhë. Në fund ai më tha: “Jo, asnjëra”. Atëherë i thashë ma thoni ju. Ai më tha: “Gjëja më e shtrenjjë në këtë botë është gjumi i njeriut të pastër”. Kjo fjalë më tingëlloi në tru, hyri brenda thellë në shpirt, sepse me të vërtetë gjumi i njeriut të pastër është gjëja më e shtrenjtë në botë. 
Pas shumë vitesh e takova hirësinë e tij në Boston. Studionte teologji, për t’u bërë prift. Kemi pasur disa takime. Një ndër takimet që e ruaj në kujtesë është dreka që hëngrëm bashkë me dom Simon Jubanin, hirësinë e tij, Pelushin dhe me të ndjerin, dritë pastë, atë Liolini. Unë isha brenda bisedës së tyre, po nuk kisha njohuri teologjike si ata. Diskutimi ishte i përzemërt mes dom Simonit dhe atë Pelushit. Në fund, kur u ndamë, më thotë dom Simoni: Shumë shumë i përgatitur – Viktor.  
Pra, një njeri i kultuar nga ana fetare si dom Simoni e kuptoi rëndësinë e tij dhe botën e tij shpirtërore dhe intelektuale. Madhështinë e këtij njeriu duhet ta njohin shqiptarët. Jo vetëm si orthodhoks, por si njeri madhështor që në shpirt dëshiron të rrënjosë moralin te shqiptarët, i cili na ka humbur për 47 vjet. 
Këtë verë pata një takim me hirësinë e tij. Biseduam, madje realizuam edhe një dokumentar të vogël, hirësia e tij dhe i çmenduri, që isha unë. Është e pamjaftueshme të flas vetëm pak minuta, sepse mund rri me orë të tëra për të paraqitur njeriun për të cilin shqiptarët kanë nevojë. Ai nuk është vetëm një klerik, por është edhe atdhetar, që mbjell paqe dhe vëllazëri midis shqiptarëve. 
Vizita e tij te Papa ka shumë domethënie. Ajo tregon gërshetim betimesh për vëllazërimin dhe nevojën që kemi për këtë njeri kaq të madh. 
Çdo punë ka një shpërblim. Edhe puna ime sot, për këtë intervistë, kërkon një shpërblim. 
I drejtohem atë (Joan) Pelushit me këtë lutje. Hirësia juaj, ju lutem, më jepni mundësinë, që në verë, në maj, kur të vij, të kryeni një meshë në Kishën Orthodhokse në Shkodër. Kjo është një kërkesë dhe atë (Joan) Pelushi do të ma realizojë, se e dua dhe e çmoj dhe dua ta vlerësojnë edhe shqiptarët, se ju betohem asnjë gërmë nuk është e tepërt për të folur për madhështinë e tij. Shqiptarët kanë nevojë për të. Ai është jashtë politikës, sepse politika na ngatërron. Besimi në Zot na bashkon! 
Të jemi besimtarë të mirë, të largojmë mëkatet siç na mëson atë (Joan) Pelushi dhe fetarët e tjerë. Kam shumë për të thënë, por koha nuk na lejon. U uroj të gjithë besimtarëve shqiptarë të kenë paqe dhe vëllazëri. Dhe për të pasur paqe e vëllazëri, shembullin mund ta marrin tek atë (Joan) Pelushi. 
Kam theksuar në librin tim ku e njoha atë (Joan) Pelushin dhe ndër të tjera kam thënë: Ky ka për të qenë kryepeshkop i Shqipnisë. Pra, kjo thuhet në librin tim, në ’99 -tën. 
Uroj që hirësia e tij, Anastas, atje në parajsë ku është, t’i lutet Zotit për jetëgjatësinë e atë (Joan) Pelushit, sepse për jetëgjatësinë e tij kanë nevojë shqiptarët, për njeriun që mbjell moralin me urtësinë e tij. Ky është urimi im i fundit.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse