EmailFacebookKontakt
Lajme

Shërbimi i dashurisë – shtëpia që ndan çdo ditë mbi 350 racione për vëllezërit dhe motrat në nevojë që jetojnë në kryeqytet

05/11/2025

Ka mbi 20 vjet që kjo mensë u vjen në ndihmë me ushqim falas 300 personave; 120 prej të cilëve e konsumojnë ushqimin brenda mensës dhe 180 të tjerë e marrin në shtëpi; për 6 ditë në javë, nga e hëna në të shtunë. Në shkurt të vitit 2024 kësaj mense iu shtua dhe shërbimi ‘delivery’ që konsiston në shpërndarjen e ushqimit tek shtëpitë e njerëzve në nevojë. Kjo kategori përfshin të moshuarit e braktisur që nuk mund të lëvizin, tetraplegjikët, gratë dhe fëmijët me aftësi ndryshe si dhe të sëmurët.  
Të shumtë e të ndryshëm janë njerëzit që vijnë e konsumojnë ushqimin pranë kësaj mense, por gjithashtu të shumtë janë dhe ata që e marrin këtë ushqim dhe e konsumojnë më pas në shtëpitë e tyre. Urime dhe falënderime të ndryshme dëgjojmë nga goja e tyre, disa duke pëshpëritur e të tjerë me zë të lartë. Perëndia ju bekoftë që na mbani me bukë! Ju falënderojmë që na jepni gëzim! Mirë që ju kemi dhe ju! Dhe përgjigja e të gjithëve është: ‘Zotin falënderojmë për mundësinë dhe dëshirën që na jep për t’u bërë vegla në duart e Tij e ndihmuar keshtu njëri tjetrin’. Që ky gëzim të jetë i plotë e i vazhdueshëm, kërkon një staf njerëzish të cilët të shërbejnë me cilësi, korrektësi e dashuri. Herët në mëngjes vijnë gratë e kuzhinës, që në orën 5, për të gatuar gjellët dhe ushqimet në mënyrë që në orën 8 pa një cerek cdo gjë të jetë gati për tu shërbyer miqve tanë që trokasin që prej asaj ore, në derën e mensës ‘Shërbimi i Dashurisë’. Me të vërtetë është shërbim dashurie sepse pa u lodhur dhe pa u mërzitur asnjëherë shërben grupi i shpërndarësve të ushqimit duke mos u ankuar dhe fjalëpakë. Ata nuk ndikohen nga vuajtja e njerëzve të cilëve u shërbejnë, por me buzëqeshje dhe fjalë të ëmbla u japin kurajo së bashku me ushqimin e ngrohtë. E kështu ditët pasojnë njëra tjetrën. Ushqimi vazhdon të ofrohet me të njëjtin ritëm dhe intensitet tek të gjithë ata që e presin.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse