EmailFacebookKontakt
Lajme

Shërbesa e Mbrëmësores në Kishën e Shën Mëhillit në Berat

07/11/2025

U zhvillua sot në mbrëmje në vigjilje të Festës së Kryeengjëjve Mihail, Gabriel dhe Fuqive Patrup Shërbesa e Mbrëmësores në kishën e Shën Mëhillit në Berat nën drejtimin e Hirësisë së Tij Mitropolitit të Beratit Hirësi Asti. Gjithashtu u zhvillua edhe Shërbesa e Bekimit të Pesë Bukëve. 
Në këto shërbesa morën pjesë besimtarët e qytetit të Beratit. 
KISHA E "SHËN MËHILLIT" 
NË BERAT, SHEK. XVI
Kisha e "Shën Mëhillit" gjendet në anën jugore të mureve të kalasë së Beratit. Në anën veriore kisha i është ngjitur shkëmbit. Kisha është e tipit me kryq të brendashkruar me kupolë mbi tambur. Narteksi është i shtruar me pllaka guri. Naosi është i vogël në formë kryqi. Altari përbëhet nga apsida si dhe dy nike në anën veriore. Në apsidë gjendet një dritare. Muret e kishës janë ndërtuar me teksikën e kluasonazhit. Kisha mendohet të jetë ndërtuar para vitit 1417, sepse në këtë vit Berati u pushtua nga turqit. Nëpër muret e kishës ruhen ende gjurmë të pikturave murale që kanë qenë të pikturuara anë to. Kisha e "Shën Mëhillit" është shpallur monument kulture në vitin 1948.
Kisha e "Shën Mëhillit" kremton dy herë në vit, më 8 nëntor në të kremten e Kryeengjëjve Mikael dhe Gabriel si dhe më 10 korrik në të kremten e Nikodhimit të Beratit. Në këtë kishë para vitit 1967 gjendeshin lipsanet e shën Nikodhimit të Beratit. Në vitin 1762 lipsanet e shenjtit u vendosën në kishën e "Shën Marisë" në Mangalem. Në kohën e pushtimit fashist italian kisha e "Shën Marisë" u prish, sepse u zgjerua rruga, prandaj lipsanet e shenjtit i shpunë në kishën e "Shën Mëhillit". Pas prishjes së kishave në vitin 1967 lipsani u shpërbë. Eshtrat i morën besimtarët me shpresë se do tu sillnin fat, ndërsa kokën e shenjtit e mori psalti Lili Thimi Koçi dhe e fshehu ne murin e shtëpisë së tij për ta ruajtur nga ndonjë grabitje ose përdhosje e mundshme. Koka e shenjtit ruhet në një kuti prej argjendi, e cila peshon 755 gram. Kutia e argjendtë u gdhend nga argjendarët beratas. Sot kutia që mban kokën e shenjtit gjendet në Mitropolinë e Hirshme të Beratit.
Data: 7.11.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse