"Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit,
i Cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë". (Fjalët e Urta 19:17)
Me bekimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së Tij, Imzot Nikollës, dhe me ndihmën e katekistëve, sipas porosisë së Zotit për të dashur dhe për të mbajtur barrat e njëri-tjetrit, grupet e katekizmit të Mitropolisë sonë u organizuan për të ndihmuar familje me nevoja ekonomike në fshatrat e tyre. Ndodh zakonisht që kur dëgjojmë që një njeri është në gjendje të mjerueshme, të zënë në rutinën tonë, qëndrojmë indiferent dhe nuk bëjmë hapa për ta ndihmuar sadopak, duke menduar që duhet të shikojmë vetëm brenda familjes sonë. Pikërisht për të mësuar që ne të krishterët orthodhoksë nuk mund të jemi indiferent ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj atij që nuk i përket enorisë sonë, ndërmorëm këtë nismë. Grupet e grave dhe fëmijëve të Verrisë, Pojanit, Agimit, Metaj, Libofshës u treguan edhe këtë herë të gatshëm për të ndihmuar disa familje të cilat nuk janë pjesë e grupit të katekizmit, por që janë në gjendje të mjerueshme ekonomike.
Sa gëzim të shohësh fëmijë, të rinj, gra dhe burra të cilët me aq mundësi sa kanë, pavarësisht se mund të jenë edhe ata vetë në vështirësi ekonomike, të sillnin diçka nga shtëpitë e tyre për këto familje. Pasanik i vërtetë është vetëm njeriu shpirtëror i cili edhe atë që ka e ndan me tjetrin, sepse ai mbledh thesare në qiell. Le të zbatojmë porositë e Zotit: "Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin". (Mattheu 6:19-20)
Bamirësia nuk na varfëron, përkundrazi na pasuron shpirtin dhe na mbush duart me vepra të mira përpara Perëndisë! Gjithashtu me këto grupe, përveç ndihmave ushqimore, zhvilluam disa vizita baritore në shtëpitë e të moshuarve të cilët edhe pse kanë të mira materiale kanë ngelur vetëm. Emigracioni i theksuar ka ndikuar shumë në këto zona dhe shtëpitë janë pothuajse vetëm me të moshuar. Bamirësi nuk do të thotë vetëm të falësh të mira materiale, por edhe të themi fjalë të mira, të japim këshilla shpirtërore, të jemi afër të vetmuarve dhe të vejave. Kjo vepër është e mirë përpara syve të Zotit.
Falënderojmë përzemërsisht dhe lutemi për të gjithë ata që u bën pjesë e kësaj nisme! Le të presim me gëzim Lindjen e Shpëtimtarit!
Ingrida Bida
MEDIA NGJALLJA, 16.12.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse