EmailFacebookKontakt
Lajme

Mesha e së Dielës në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë imzot Joani në praninë e shumë besimtarëve

09/11/2025

Nën një atmosferë të veçantë, festive dhe shpirtërore këtë të diel në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u kremtua Liturgjia e së dielës nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë imzot Joanit i cili shoqërohej nga klerikë të Kryepiskopatës. Ceremonia liturgjike mblodhi një numër të madh besimtarësh, duke dëshmuar gjallërinë dhe përkushtimin e komunitetit orthodhoks në jetën shpirtërore të Kishës sonë.
Në predikimin e tij, Kryepiskopi Joan ndaloi në leximin ungjillor të ditës, duke sjellë një reflektim të thellë mbi dy mrekullitë e Zotit Jisu Krisht: shërimin e gruas me rrjedhje gjaku dhe ngjalljen e bijës së Jairit. Ai theksoi dimensionin e besimit të patundur, durimit dhe shpresës së krishterë që buron nga këto episode ungjillore, duke i ftuar besimtarët të forcojnë lidhjen e tyre personale me Zotin përmes lutjes, pjesëmarrjes në liturgji dhe dashurisë ndaj të afërmit.
“Besimi është forca që shëron shpirtin dhe ngjall jetën brenda nesh. Kur njeriu afrohet me besim te Krishti, çdo plagë shërohet, çdo errësirë ndriçohet,” – u shpreh ndër të tjera Kryepiskopi Joan në fjalën e tij baritore.
Në fund të Meshës Hyjnore u bë edhe njoftimi zyrtar se duke filluar nga data 15 nëntor, e deri në Krishtlindje, në kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë do të zhvillohen 40 ditë Liturgji Hyjnore të përditshme, si pjesë e përgatitjeve shpirtërore për festën e Lindjes së Krishtit. Ky njoftim u mirëprit me përulësi dhe gëzim nga të pranishmit, si një mundësi për t’u përfshirë më thellë në jetën e përditshme kishtare gjatë periudhës së Kreshmëve të Krishtlindjes.
Si në çdo të diel, Kisha mirëpret prindërit, fëmijët dhe të rinjtë, duke i ftuar ata të marrin pjesë në aktivitetet shpirtërore që organizohen çdo të diel pas Liturgjisë Hyjnore nga Departamenti i Edukimit Orthodhoks i Kryepiskopatës së Hirshme.
Këto veprimtari synojnë forcimin e vlerave të besimit, bashkësisë dhe identitetit shpirtëror tek fëmijët, prindërit dhe tek brezat e rinj.
Data: 9.11.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse