EmailFacebookKontakt
Lajme

Mensa “Shërbesa e Dashurisë” në Korçë “Do të shkoj të ha së bashku me Zotin”

03/12/2025

Mensa “Shërbesa e Dashurisë” në Korçë
“Do të shkoj të ha së bashku me Zotin”
“Isha i huaj dhe më pritët, isha i sëmurë dhe u kujdesët për mua, isha në burg dhe më
vizituat, isha i uritur dhe më dhatë për të ngrënë”. Me këto fjalë Krishti identifikon
veten e tij, pra me të munduarit, të harruarit, të huajt dhe të varfërit. Fjalë që, më
shumë se të tilla, janë një thirrje për të na kujtuar se Krishti më shumë se me këdo e
identifikoi veten me njerzit vunerabël, me ata njerëz që jetojnë rreth nesh çdo ditë, por
që ne nuk i shohim, ose i nuk duam t’i shohim, sepse i përçojmë, duke përçmuar kështu
vetë Zotin. Të ndihmosh të varfrit është si t’i japësh hua Zotit – thotë shën Joan
Gojarti. Brenda çdo njeriu fshihet vetë Krishti, sepse të gjithë jemi ikonë e Perëndisë.
Veprat tona të dashurisë sado të vogla qofshin, më shumë së cilindo, na ndihmojnë ne
të bëhemi njerëz të plotë dhe të vërtetë dhe të mund të dallojmë Krishtin tek çdo njeri
kushdo qoftë ai.
Në po këtë frymë në qytetin e Korçës funkionon edhe mensa “Shërbesa e Dashurisë”,
e cila ofron ushqim për 120 persona dhe u dërgon ushqim në shtëpi personave të
pamundur. Hapja e kësaj mense është vepra e parë që realizoi Imzot Joani pasi u
fronëzua si Mitropolit në vitin 1998, duke u kujdesur me dashuri të veçantë për
njerëzit në nevojë.
“Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë dhe ju të doni njëri-tjetrin” dhe “Prej
kësaj do t’ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-
tjetrin” (Jn:13:34-35) janë mësime të Zotit, sikundër edhe vetë jeta e tij të cilat na
tregojnë se e vetmja zgjidhje për gjithçka, është DASHURIA ndaj njëri-tjetrit. Kriteri
bazë i kësaj mense është që të shikojë tek çdo njeri një bir të Perëndisë, të krijuar prej
Tij dhe sipas imazhit të Tij, duke ofruar jo vetëm ushqim, por edhe dashuri dhe dinjitet
njerëzor.
“Kjo mensë ka qenë prioritet, sepse është shërbesë për njerëzit në nevojë dhe
ajo çfarë u ofrojmë ka të bëjë me Besimin tonë dhe është pjesë e shërbesës sonë; është
diçka që e ofrojmë me dashuri dhe dinjitet. Bamirësia është pjesë e besimit të krishterë
dhe fondet për ushqimin jepen si nga vetë Mitropoliti, besimtarët dhe dhurues të
ndryshëm” – shprehet atë Vangjeli.
Kontributet që besimtarët e Korçës ofrojnë për këtë mensë, si solidaritet për të
mbajtur barrën e njëri-tjetrit, mundësojnë që ajo të mbahet vetë. Shërbimi vullnetar i
ofruar nga besimtarë të qytetit, njëra prej të cilave shërben që prej vitit 1998 kur u hap
mensa, realizojnë ofrimin e shërbimit të saj. Çdo përvjetor të fronëzimit të tij si
Mitropolit, si edhe çdo Krishtlindje dhe Pashkë, imzot Joani e ka festuar me personat
që frekuentonin këtë mensë, duke theksuar që detyra jonë është shërbimi, prandaj u
shërbejmë shërbëtorëve të Perëndisë. Ai e bëri traditë ta shtronte vetë drekën së
bashku me klerikë dhe personelin e Mitropolisë dhe të drekonte e bisedonte me
personat që frekuentonin mensën, duke bërë praktikë thënien e Shën Joan Gojartit i
cili kur shkonte të hante me të varfërit thoshte se do të shkoj të ha së bashku me
Zotin. Personat që frekuentonin mensën e falenderonin nga zemra duke i shkruar edhe
letra në të cilat theksonin mirënjohjen e tyre të pafund që mensa ofron çdo ditë të
javës, madje edhe ushqim me vete. Vetë Imzot Joani thekson gjithmonë vlerën që ka
kontributi i të gjithëve, si një veprim i pastër që buron nga dashuria, në ndihmesë të
vëllait në nevojë, i cili përfaqëson vetë Krishtin. Sipas Besimit tonë, te çdo njeri duhet
të shohim Krishtin dhe kjo na bën që t’i çmojmë, t’i vlerësojmë dhe t’i duam të gjithë
njerëzit njësoj.
Çdo Krishtlindje, nën kujdesin e tij, që me fillimin e kreshmës u bëhej thirrje
besimtarëve të ishin më solidarë dhe të dhuronin për njerëzit që janë në nevojë. Në çdo
predikim të kësaj periudhe, imzot Joani përsëriste se Perëndia na ka dhënë dhuratën
më të madhe, që është Zoti Krisht i bërë njeri për të gjithë ne, dhe ne të krishterët nga
ajo që kemi, duhet të japim për të gjithë ata që janë në nevojë. Kështu, veç vakteve të
shtruara në mensë përgatiteshin mbi 80 pako për njerëzit në nevojë, të cilat
shpërndaheshin nga grupi i grave. Përveç ushqimit, ai kujdesej që njerëzit në nevojë të
merrnin edhe përkujdesje shëndetësore. Në fjalën e tij për mediat lokale, Imzot Joani,
tashmë Kryepiskopi i Shqipërisë është shprehur se jemi përpjekur të jemi pranë
njerëzve në nevojë si një shenjë solidariteti dhe përkujdesi për këto shtresa. Ai
falenderon të gjithë ata që kanë ndihmuar për ta bërë të mundur këtë shërbim, sepse
janë treguar bujarë. Një shoqëri e shëndetshme ka nevojë për të gjitha pjesët e saj, nuk
mund të qëndrojmë indiferentë ndaj njerëzve në nevojë, por duhet të qëndrojmë krahas
tyre me gjithçka që kemi. Prandaj të gjithë ne besimtarët orthodhokse duhet të
shprehim besimin, dashurinë tonë duke bërë ç’është e mundur për të ndihmuar këtë
vepër të pëlqyer nga Zoti. Të gjithë së bashku të ndihmojmë që fëmijët, prindërit, të
moshuarit, në nevojë të kenë mundësi të paktën të ushqehen. Një i krishter orthodhoks
pa vepra dashurie nuk mund të quhet besimtar. Kemi detyrë të gjithë para Perëndisë që
na ofron kaq shumë, të japim diçka për të ndihmuar ata që nuk munden dot as të
ushqehen as të vishen, as të festojnë; ata të cilët kanë nevojë që të harrojnë hidhërimin
e tyre të madh për shkak të varfërisë ekstreme. 
Le të shërbejnë këto shembuj si nxitje për të gjithë për të qenë më bujarë me
nevojtarët, sepse do të jemi ne që do të shijojmë frutet e bujarisë dhe dhemshurisë
sonë. Një gjë është e sigurt se ne nuk e mundim dot Zotin në bujari, të gjitha do të na
kthehen për një njëqind. Le të përpiqemi të mbajmë barrët e njëri – tjetrit, për të qenë
një komunitet i gjallë. “Veshjet që qëndrojnë në garderobën tënde dhe që ti nuk i vesh,
janë ato që iu a ke vjedhur të varfërve” – thotë shën Vasili i Madh.
Përpjekja për të ndihmuar dhe mbështetur nevojtarët është përpjekje për të
ndihmuar veten dhe për t’u bërë njerëz të plotë, është shkëndijë shprese në një botë
materialiste dhe individualiste.
Urojmë që vitet në vazhdim me ndihmën e Perëndisë të kenë më pak njerëz në
vështirësi, por dhe nëse do të shtohen ne do të jemi këtu së bashku, që të ofrojmë për
ata sa kemi mundësi duke shprehur kështu dashurinë e krishterë, siç na e tregoi me
vepra Krishti, Perëndia ynë.
Korrespodenti i “Ngjallja”

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse