EmailFacebookKontakt
Lajme

Me gëzim dhe ngazëllim shpërndajmë lajmin e Lindjes së Krishtit!

18/12/2025

Me bekimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së Tij, Imzot Nikollës po kryhen Kolendra e vitit 2025, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit në zonat Libofshë, Seman, Pojan, Metaj, Verri, Sheqishte si dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në vigjiljen e Krishtlindjes.
Tashmë është rigjallëruar tradita e vjetër e Kishës së hershme edhe gjatë këtyre viteve në Mitropolinë tonë, që fëmijët në prag të Krishtlindjes dalin të përhapin lajmin e Lindjes së Krishtit. Fëmijët përgatiten gjatë takimeve të katekizmit dhe mësojnë këngët që do të këndojnë nëpërmjet të cilave përcillet gëzimi i madh i Ardhjes së Krishtit në tokë si njeri nga dashuria për ne. Nuk mund të përshkruhet gëzimi shpirtëror që ndiejnë fëmijët lajmsjellës, por edhe familjarët që presin me duar dhe zemra të mbushura plot. Hiri i Zotit vepron me tepri kur ndajmë me të tjerët se Fjala u Mishërua dhe bë Njeri për shpëtimin tonë. 
Me ikonën e Krishtlindjes dhe me grazhdin në duar, fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi duke kënduar këngë dhe himne për Zotin tonë Jisu Krisht. "Virgjëresha do të ngjizet e do të lindë një djalë që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne". (Mattheu 1:23-24)
Për realizmin e kolendrave në të gjitha zonat e Mitropolisë punon grupi i katekistëve (mësuesit e edukimit të krishterë) të cilët me përkushtim të madh dhe dëshirë të zjarrtë përcjellin te fëmijët rëndësinë që kanë kolendrat në përhapjen e Lajmit të Mirë! Krishti vjen, gëzohu botë!
Ingrida Bida
Media Ngjallja, 18.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse