Mbledhja e parë Hieratike me Mitropolitin e ri të Korçës, Hirësinë e Tij z.Anastas, zhvillohet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”
Më 8 dhjetor 2025, në ambientet e Katedrales së mrekullueshme “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, u mbajt mbledhja e parë hieratike me Mitropolitin e ri të Korçës, Hirësinë e Tij z. Anastas.
Mbledhja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, duke reflektuar marrëdhënien themelore të unitetit në Krishtin që lidh hierarkun me klerin e tij. Qysh në këtë takim të parë zyrtar, Hirësia e Tij Anastas theksoi se shërbesa e tij do të mbështetet në bashkëpunim të ndërsjellë, dialog të hapur dhe mbështetje të vazhdueshme për çdo prift që shërben nën omoforin e tij.
Gjatë mbledhjes, secili prej klerikëve paraqiti një panoramë të zonës që mbulon, duke evidentuar gjendjen e komuniteteve, dinamika shpirtërore, veprimtaritë pastorale dhe sfidat konkrete me të cilat përballen enoritë. Këtu u hapën tema që prekin jetën e përditshme të besimtarëve: nevojat sociale, edukimi fetar, ruajtja e traditave, si edhe angazhimi i të rinjve në jetën kishtare.
Mitropoliti Anastas dëgjoi me vëmendje të veçantë secilin prej tyre, duke shprehur gatishmërinë për të qenë pranë çdo enorie dhe për të punuar së bashku në forcimin e pranisë së Kishës në qytetet dhe në fshatrat e Metropolisë.
Takimi shërbeu edhe për të artikuluar disa prej qëllimeve themelore të shërbesës së tij në këtë periudhë të re, mes të cilave:
Forcimi i unitetit kishtar dhe i bashkëpunimit ndërklerik,
Thellimi i jetës shpirtërore dhe liturgjike
Rritja e veprimtarisë sociale dhe ndihmës komunitare
Nxitja e edukimit të të rinjve dhe përfshirjes së tyre në Kishë
Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë së pasur ortodhokse të Korçës.
Mitropoliti Anastas nënvizoi se misioni i Kishës është mision i shërbimit, i përkushtimit dhe i dashurisë së pakushtëzuar, duke theksuar se “çdo prift është bashkëpunëtor në vreshtin e Zotit, dhe çdo besimtar është pjesë e pandarë e kësaj familjeje shpirtërore.”
Mbledhja e parë hieratike me Mitropolitin Anastas u konsiderua një hap i rëndësishëm për të vendosur themelet e një bashkëpunimi të ngushtë dhe frytdhënës midis udhëheqjes së re të Metropolisë dhe klerit të Korçës. Atmosfera e sinqertë, pritshmëritë e larta dhe dëshira për shërbesë të përbashkët krijuan një ndjenjë shprese se kjo periudhë do të sjellë gjallëri dhe forcim të mëtejshëm të jetës kishtare në një prej qendrave më të rëndësishme ortodhokse të vendit
Ky takim u mbyll me lutje të përbashkët duke i kërkuar Zotit që t’i japë hir e forcë Mitropolitit të ri dhe gjithë klerit të Metropolisë së Korçës në misionin e tyre baritor.
MEDIA NGJALLJA, DHJETOR 2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse