EmailFacebookKontakt
Lajme

Liturgji Hyjnore Kryepriftërore në vendlindjen e Shën Gjerasim Himnografit

08/12/2025

Sot, më 7 dhjetor, të Dielën X Llukait dhe në të kremten e Shën Gjerasimit, Himnografit të Kishës së Madhe të Krishtit, Mikrajiananitit, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore në kishën e Shën Nikollës, në fshatin Dhrovjan.
Dhrovjani është edhe vendlindja e Shën Gjerasimit. Anastasios Grekas (emri i Shenjtorit përpara qethjes murgjërore), jetoi në Dhrovjan deri në moshën 9-vjeçare dhe më pas vendoset në Pire pranë të atit të tij, duke lënë pas nënën dhe vëllain e tij më të vogël. Që prej asaj kohe Shenjti nuk u rikthye më në vendlindjen e tij. Megjithatë sot, në ditën e kremtimit të kujtimit të tij, Shenjti erdhi përsëri në Dhrovjan. Mitropoliti Nathanail solli një pjesë të Lipsanit të Shenjtit, në mënyrë që besimtarët t’i faleshin dhe të merrnin bekimet e Shën Gjerasimit.
Në predikimin e tij, Mitropoliti ju referua jetës së Shën Gjerasimit, por edhe njohjes së tij me Shenjtin në Malin e Shenjtë. Shën Gjerasimi jetoi për rreth 70 vite në Malin e Shenjtë, në Qelinë e Shën Joan Pararendësit, në Skitin e Shën Anës së Vogël, dhe 13 vitet e fundit të jetës së tij shpesh herë takohej me Mitropolitin Nathanail, të cilin, si dhjakon e mori me vete në Jerusalem, kur Shenjti u nderua nga Patriarku i Jerusalemit për kontributin e tij në shkrimin e Shërbesave të Shenjta të Shenjtorëve të Palestinës.
Gjatë gjithë jetës së tij Shenjti shkroi mbi 2000 Shërbesa të Shenjta për Shenjtorët, të cilët nuk kishin Shërbesë. Shumë prej këtye Shenjtorëve i shfaqeshin Shenjtit dhe e falenderonin atë.
Pavarësisht se Shën Gjerasimi u largua në moshë të vogël prej fshatit të tij, ai kurrë nuk e harroi vendlindjen e tij. Gjithmonë e kujtonte atë me shumë dashuri dhe mall. Izolimi i Shqipërisë nga sistemi antifetar komunist dhe Fjetja e Shenjtit më Zotin më 7 dhjetor 1991 e ndaloi atë që të vizitonte vendlindjen e tij. Por me Hirin e Perëndisë, Anastasi i vogël, i cili u largua për një jetë më të mirë nga fshati i tij, sot, pas 115 vitesh u rikthye në Dhrovjan si një Shenjtor i madh i kohës sonë, si Shën Gjerasim Himnografi, nga Dhrovjani.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse