EmailFacebookKontakt
Lajme

“Kush jam unë? Festojmë Shenjtorët” – Aktivitet i zyrës së fëmijëve pranë Kryepiskopatës së hirshme

01/11/2025

“Perëndia u bë njeri, që njeriu të hyjnizohet” – ka thënë shën Athanasi i madh. Ajo që Perëndia është nga natyra ne thirremi të bëhemi përmes hirit të Tij. Kjo ishte ajo që ndodhi me shenjtorët e ndryshëm për gjatë gjithë kohërave. Ata me jetën dhe shembullin e tyre u bënë heronjtë dhe modelet tona për të na nxitur e frymëzuar ne, që ashtu si ata, edhe ne, të bëhemi përmes hirit të Perëndisë të ngjashëm me Krijuesin tonë. Letra e Hebrenjve na thotë se jemi rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh. Këta dëshmitarë janë shenjtorët, të gjithë ata që ecën me Zotin para nesh, shenjtorë që janë të njohur dhe ata që nuk janë bërë të njohur, të cilëve ne nuk u dimë as jetën dhe as emrat pasi jo të gjithë ata që u shenjtëruan i njohim dhe na u zbuluan, por i nderojmë dhe kërkojmë ndërmjetimet e tyre. Dashuria, besnikëria, përkushtimi i tyre ndaj Zotit është shembull për ne. Për këtë arsye u mblodhëm të kujtojmë disa prej tyre, të reflektojmë rreth shembullit të tyre në aktivitetin “Kush jam unë? Festojmë Shenjtorët”. Fëmijë, të rinj, e të rritur përgatitën poezi, apo prozë, tregim, apo këngë për një shenjtor të caktuar pa treguar se kush ishin. Në fund poezia, proza, tregimi apo kënga përfundonte me shprehjen: “Kush jam unë?” dhe të gjithë të pranishmit duhet të gjenin cili shenjtor ishte ai/ajo. Këta shenjtorë na kujtojnë se u krijuam për jetën dhe jo për vdekjen, u krijuam për të lavdëruar Perëndinë me jetët tona dhe për të jetuar me Zotin në amshim. 
Data: 1.11.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse