EmailFacebookKontakt
Lajme

Krishtlindja: Theologji e dashurisë dhe dashuri e theologjisë! Himnografët për Festën e Krishtlindjes

10/12/2025

Krishtlindja: Theologji e dashurisë dhe dashuri e theologjisë!
Himnografët për Krishtlindjen
Betlehem! Vendi ku lindi Krishti. “Betlehem, përgatitu”! Kështu fillon idhiomeli i vigjiljeve, që është poezi e Sofronit, patriarkut të Jerusalemit. “Betlehem, përgatitu”! Je vendi më i përshtatshëm ku mund të vijë Krishti. Emri Betlehem do të thotë: Vendi i bukëve. Të shumta ishin furret dhe e mirë buka e asaj kohe në Betlehem. Gratë mbrunin bukë dhe brumin e tyre e çonin të mbështjellë me një pëlhurë të pastër në ndonjë furrë të Betlehemit për ta pjekur. Kundërmonte erë të mirë gjithë Betlehemi nga pjekja e bukëve. Por atë natë, o Betlehem, erdhi një grua e çuditshme, e cila të solli brumin e saj. Është mbështjellë në mrekulli dhe me pëlhurë
të pastër nga virgjëria e saj. Brenda Virgjëreshës Mari përgatitet buka e jetës. Atë natë, o Betlehem, nga vendi yt, nga vendi i Bukëve, doli Buka e ëmbël, “me anë të së cilës ushqehen shpirtrat që kanë etje për Perëndinë”. Shpella, e cila pranon mrekullinë e pashprehshme, kundërmon në mënyrë të veçantë dhe si furrë qiellore: “Betlehem përgatitu, le të stoliset grazhdi. Shpella le të presë, erdhi e vërteta, hija shkoi dhe Perëndia u shfaq prej Virgjëreshës te njerëzit duke marrë formën tonë dhe për ta hyjnizuar, prandaj Adami me Evën përsëritet duke thirrur: u duk mbi dhe mirëdashja për të shpëtuar gjindjen tonë”. (Idhiomeli i Krishtlindjes).
“Betlehem, përgatitu”! Tek ty do të shfaqet mrekullia e madhe; mrekullia që Perëndia u bë njeri, por edhe mrekullia që njeriu të bëhet Perëndi. Imagjinoni argjendarin të kërkojë pak dhé nga dikush duke thënë: “Më jep dhé, të ta kthej flori”. Diçka të tillë, dhe pakrahasimisht me të rëndësishme, bëri Perëndia. Mori trup nga Virgjëresha dhe e shenjtëroi atë. Prandaj thotë himnografi: “Tani parathënia profetike nxitohet të përmbushet. Ajo thotë mistikërisht: dhe ti Betlehem dheu i Judës nuk je më i vogël. Se prej teje do të dalë krijetar i kombeve i lindur prej vajzës Virgjëreshë, Krishti Perëndia ynë, i cili do të kullosë popullin e tij, Izraelin e ri; le t’I japim të gjithë madhëri”. Me mishërimin Perëndia bëhet njeri, me qëllim që njeriu të bëhet Perëndi. Mbreti bëhet shërbëtor, që të bëhet njeriu i skllavëruar trashgimtar i Parajsës. Perëndia i përsosur bëhet njeri i përsosur. Mishërimi mbetet mister. Nuk e nxë logjika dhe nuk mund ta konceptojë që Fjala e pafundme e Perëndisë, Perëndia i panxënshëm, u nxu brenda Virgjëreshës. Për të dy ikonat që në esencë është Krishti si Perëndinjeri, flet idhiomeli i mbrëmësores së Krishtlindjes, poezia e Gjermanoit, patrikut të Konstandinopojës: “Ejani të ngazëllohemi më Zotin duke treguar këtë mister. Muri i gardhit ra, shpata e flaktë iku dhe keruvimet sjellin drurin e jetës. Dhe unë marr pjesë në dëfrimin e Parajsës, prej së cilës u dëbova më parë nga mosbindja, se kora e pandryshuar e Atit, karakter i amshimit të tij merr fytyrë robi, i lindur prej nëne të pamartuar, pa pësuar ndryshim. Se mbeti siç ishte duke qenë Perëndi nga njeridashja. Atij le t’i thërresim: O Perëndi që linde prej Virgjëreshës, mëshirona”. (Idhiomeli e Mbrëmësores). Para ngjarjes së dashurisë së pafundme të Perëndisë, si mund njeriu të mbetet apatik? Zemra e tij rreh
nga mallëngjimi dhe ngazëllimi hyjnor. Buzët e tij përmbledhin në dy fjalë lavdërimin e misterit: JA KRISHT LIND! Me këto fillon shën Grigor Theologu predikimin e tij në ditën e Theofanisë”: “Ja Krishti lind, lavdërojeni; ja Krishti i qiellit vjen, dilni priteni. Ja Krishti mbi dhenë, ngrihuni. Zotin pra, e lavdëroni lart e mbi dhé, dhe me ngazëllime përhimnojeni me mall popuj dhe me lavdi". Shumica e himneve tona të njohura janë përkthim i teksteve të etërve. Shën Kozma Melodiozi, vëllai i shën Joan Damaskinoit, poet i zbritësoreve të Krishtlindjes, e mori citimin e shën Grigor Theologut si irmos të odës së parë: “Ja Krishti… (Irmos i
zbritësoreve të Krishtlindjes). JA KRISHT LIND! Mjaftojnë dy fjalë, “Krishti” dhe “lind”, që të mbushin me ngazëllim zemrën e besimtarit. Krisht! Një fjalë me kuptim të dyfishtë: prek dhe mbush qiellin dhe tokën. Brenda fjalës “Krisht” fshihet Perëndia, Biri i Perëndisë, që mori vajosjen, porosinë, pëlqimin hyjnor. Krisht = ndër njerëzit mirëdashje. Krisht=Perëndia mbi tokë; Krisht=Perëndia u bë njeri; Krisht=Perëndia qerasi njeriun me dashurinë, gëzimin dhe me jetën më të ëmbël. “Pini nga vera që ju kam qerasur” (Fja. Urt. 9.5). Në dasmën e Kanës në fund ofruan “verën më të mirë” (Joan 2.10). Gjithashtu për në fund ruajti Perëndia verën më të mirë të dashurisë së Tij, e cila është Krishti. Mbushuni me dashurinë e Tij. Jeta zakonisht është e hidhur. Vetëm kur vepron hiri i Krishtit, hidhërimi shndërrohet në gëzim. Loti bëhet ngazëllim hyjnor. “Dhe me ngazëllime, përhimnojeni me mall popuj dhe me lavdi”.
Oda IX e kanoneve i dedikohet gjithmonë Virgjëreshës. Sidomos në odën VIII të zbritësoreve, himnohet Virgjëresha si misteri i Misterit. Lindja e Krishtit është fronëzim pa shfronëzim. Shumë mbretër, sundimtarë botërorë a fetarë, fronëzohen me madhështi dhe lavdi botërore. Por pas çdo fronëzimi pason patjetër shfronëzimi. Dhe nëse nuk i shfronëzojnë kryengritjet e zakonshme dhe ndryshimet e situatave, sigurisht që vjen vdekja që i shfuqizon të gjithë. Por vetëm njëri nuk do të shfronësohet kurrë: Krishti! Si fron të Tij të parë mbi tokë, zgjodhi Virgjëreshën Mari.
2
Krishti i panxënë si Perëndi, u nxu brenda barkut të Virgjëreshës, brenda shpellës së Betlehemit. Nxë vazhdimisht brenda Potirit të Shenjtë. Ai që ka fronin e Tij në qiejt, u fronëzua brenda asaj, që është më e pastër dhe më e qashtër se Qeruvimet. “O shpirt madhështoje Marinë e nderuar dhe të lavdëruar mbi forcat engjëllore” (Irmos IX i zbritësoreve). Himnografi, shën Kozma Melodiozi, është i frymëzuar që nga fillimi i predikimit të shën Joan Gojartit “Në Lindjen e Shpëtimtarit”: “Mister të çuditshëm shikoj dhe s’e marr dot vesh” (E.P.E.35,462). Shën Athanasi i Madh e shikon shpellën si tempull qiellor ku kryhet misteri i madh: “Shën Maria simbolizon kishën, grazhdi theroren, Josifi si prift i enorisë. Magët si klerikë. Barinjtë si dhjakë. Engëjt si priftërinj. Krishti si kryeprift.
Froni, Virgjëresha”. Çfarë ofroi Ai? Çfarë I ofruan Atij? Çfarë I ofrojmë ne? Himnografi pyet: Çfarë të të ofrojmë, o Krisht? Ti ofrove gjënë më të lartë. Zbrite nga qielli. Krishti zbriti nga qielli. E gjeti njeriun të dërrmuar nga mëkati dhe e tërhoqi nga vdekja dhe e ripërtëriti. Pra, ç’të të ofrojmë, o Krisht, “që u bëre njeri për ne”? – thotë himnografi i shenjtë: “Ç’të të ofrojmë, o Krisht, që u duke mbi dhé si njeri për ne. Secila nga krijesat e bëra prej teje të sjell përhirim. Engjëjt himnin, qiejtë yllin, magët dhuratat, barinjtë çudinë, dheu shpellën, shkretëtira grazhdin dhe ne nënën Virgjëreshë, o Perëndi, që je para jetëve, mëshirona” (Idhiomeli i Mbrëmësores).
Ngjarja e Krishtlindjes është burim gëzimi. Ftohen toka dhe qielli në panairin e madh të gëzimit qiellor: “Dëfreni, o të drejtë, ngazëllohuni, o qiej; kërceni o male se lindi Krishti. Virgjëresha rri si keruvimet dhe mban në pëqi të saj Fjalën Perëndi që u mishërua. Barinjtë lavdërojnë atë që lindi. Magët i shpien dhurata Zotit, engjëjt duke përhimnuar, thonë: O Zot i pakuptueshëm, lavdi më ty”. (Lavdërim i Krishtlindjes). Por, nuk mund të ngazëllohen ata që nuk kanë dashuri në zemër, që nuk kanë shpresë, që nuk besojnë në Misterin e Mishërimit. Në Betlehem mbretëronte errësirë jashtë shpellës, por brenda saj ndriçonte drita hyjnore. Në kohën tonë ndodh e kundërta. Nga jashtë ka plot drita për Krishtlindje, shumë drita ka nëpër bredha e rrugë. Por brenda ka errësirë, ka zemra pa dritën e besimit, pa ndriçimin e shpresës, pa llambadhën e dashurisë. Zemra pa dhembshuri. Zemra të ashpra, që nuk dëshirojnë t’i përkasin Mbretërisë së Perëndisë. Është koha të rreshtohemi në shtetin e Krishtit. Të jetojmë praninë e Krishtit. Erdhi Ai, Perëndia i madh, dhe u fut në librat e jetës, në procedurën e regjistrimit, që të regjistrohemi në librat e qiellit. Për regjistrimin tonë në Mbretërinë e Krishtit flet himnografi i shenjtë: “Kur erdhi koha e ndodhjes sate mbi dhé, dheu u bë i pari shkrim për botën. Atëherë deshe të shkruajnë emrat e njerëzve që besojnë në Lindjen Tënde, prandaj doli ky dekret prej Qesarit se
u përsërit panisëria e mbretërisë sate t’amëshuar, prandaj dhe ne po të blatojmë përmbi vërgjinë monetare, pasuri theologjie orthodhokse, ty Perëndisë dhe Shpëtimtarit të shpirtrave tanë”. (Lavdi e lavdërimeve të
festës).
Theologji e dashurisë dhe dashuri e theologjisë! Kjo është pikërisht Krishtlindja.
Kush vallë i feston më bukur ato? Sigurisht ai që shpenzon më shumë për dashurinë sesa për kotësinë. Ai, që sipas “zbrasjes” së Krishtit, boshatis portofolin e tij duke ofruan dashuri. Ai që bëhet i varfër me dëshirë. Krishti i Krishtlindjes është Krishti i varfër, që pasuron njerëzit. “Se, ndonëse ishte i pasur, u bë i varfër për ne, që të bëhemi ne të pasur me anë të varfërisë së tij” (II Kor. 8.9). Amin.
Përktheu: Rozeta Baba
MEDIA NGJALLJA, 10:12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse