EmailFacebookKontakt
Lajme

Kisha “shën spiridhoni” në lagjen goricë të beratit, viti 1864

11/12/2025

KISHA "SHËN SPIRIDHONI"
NË LAGJEN GORICË TË BERATIT, VITI 1864
Kisha "Shën Spiridhoni" gjendet në lagjen Goricë të Beratit. Kisha është e tipit bazilikë trenefëshe dhe mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1864. Hyrja për në kishë bëhet nga narteksi. Në qemerin e harkuar të derës hyrëse është shkruar: †ΤΟΝ ΕΡΧΟΜΕΝΟΝ ΜΠΡΟΣ ΜΕΟΤΜΗΕ ΑΛΛΘ ΕΞΩ†. “ †Kushdo që vjen këtu, unë do ta pranoj me shumë dashuri†”.
Ikonostasi është prej druri me gdhendje. Në të janë vendosur ikonat sipas radhës. Në mbulesën prej argjendi të ikonës së madhe të Shën Spiridhonit është shkruar: Αυτη οικων αγινε κοινη συνδρομη το ασιμ(ι και) τα δεδουλευτικα γρ. 300 αφιερο(σεν) η κυρια Αγνη η συζηγος κυρ Φιλι(π)που εκ συνικυρα Γγοριτσα εκ πολεος Βερατιου επι της αργιερατε(ι)ας κυριου Ανθιμος Αλεξουδη εκ Μαδιτων της Θρακις απι τροπευοντος του Κυρ Ναουμ Α. Ατζο. Εκ χειρος Γαβριηλ Χρυσοχοου Δ. Μπουτα. Ετος 1887 ιουνιου 28. +ιποκινισι παπ(α) γιοργι βαρελι χοριο Κωμποτ(ι) ενταυθα. Ιερ Αρτης. “Kjo ikonë u bë me kontribut të përbashkët me blerjen e argjendit, kurse punën grosh 300 e ka dhuruar zonja Agni, e shoqja e zotit Filip nga Lagja Goricë, në qytetin e Beratit, në kohën e peshkopimit të zotit Anthim Aleksudhit, nga Matidhi i Thrakisë, në kohën e kujdestarisë së zotit Naum Ajço. Prej dorës së argjendarit, Gabriel Dh. Buda viti 1883, qershor 28. Me nxitjen e papa Gjergj Varelit, nga katundi Kompot këtu. Er. Arta”. Aktualisht ikona e Shën Spiridhonit është në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me numër inventari 5900. Në pjesën verilindore të kishës gjenden disa afreske të dëmtuar. Kambaneria është e punuar prej guri dhe gjendet në anën veriore të kishës. Mbi kapakët e Ungjillit është shkruar: Στεργίου Γόγου Μαγαρόβα 1874. “Stergji Gogë Magarova 1874”. Në një diskos të madh me figurën e Shën Spiridhonit në reliev në mesin e kishës gjendet mbishkrimi: Στεργίου Γόγου 1875. “Stergji Gogo 1875”.
Në pjesën e sipërme të kishës së Shën Spiridhonit gjendej një kishëzë e Shën Anastas Persianit. Sipas goricarit Xhovan Kajana kisha datonte në shek. XVII, por në gjysmën e dytë të shek. XIX kishte mbetur vetëm një shesh i vogël ku luanin fëmijët. Prej kësaj kishe në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ruhet ikona e Shën Anastas Persianit. Në pjesën qendrore të ikonës paraqitet Shën Anastas Persiani, me veshje klerikale. Në dorën e majtë mban një ravdhi, ndërsa në dorën e djathtë ka një kryq. Në ikonë është shkruar: Ο Αγιος οσιομαρτυς Αναστασιος του Περσης. "Martiri oshënar Shën Anastas Persiani". Në pjesën e sipërme dhe të poshtme të ikonës paraqiten katër skena nga jeta e shenjtit.
MEDIA NGJALLJA, 11.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse