KISHA E "SHËN MËRISË",
CERCKË, KOLONJË, SHEK. XI.
Kisha e "Shën Mërisë" gjendet në fshatin Cerckë të Kolonjës. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe mjedisi i altarit. Kisha është një paraklis me përmasa 6.55×5.26 metra. Naosi i kishës mbulohet me çati dyujëse. Muratura është me gurë të papërpunuar të lidhur me llaç gëlqereje. Muret e kishës janë të zbukuruara me tulla dhe gurë të vendosur në formë kurrizpeshku, pjerrtas dhe vertikalisht. Kisha mendohet të jetë ndërtuar në shek. XI[1].
Muret e brendshme të kishë janë të stolisura me piktura murale prej një piktori anonim. Në apsidën e murit lindor gjendet skena e "Shestjes", e cila është e dëmtuar. Në apsidë gjendet "Platitera" e tipit oranta. Nën të gjendet brezi i hierarkëve, prej të cilëve dallojmë Shën Vasilin dhe Shën Grigor Teologun. Në niken e prothesit gjendet Shën Stefani, kurse përmbi të paraqitet një hierark pa nënshkrim që mund të jetë Joan Përdëllimtari. Në anën jugore të apsidës gjendet Roman Melodiozi. Nëpër tri faqet e tjera të mureve të kishës gjenden tri breza me piktura murale. Në brezin e sipërm jepen skena e festave të mëdha, brezi i mesit është me medalione shenjtorësh e martirësh, ndërsa brezi i fundit me shenjtorë dhe martirë me paraqitje më këmbë.
Duke u nisur nga kunga kemi skenën e "Lindjes së Krishtit", prej së cilës kanë mbetur vetëm fragmente. Në vijim është skena e "Ipapandisë" me përmasa 1.66×1.22 metra. Pas saj vjen skena "Ngjallja e Llazarit" me përmasa 2×1.30 metra. Në faqen e murit perëndimor është një skenë e dëmtuar dhe menjëherë pas saj vjen skena e "Fjetjes së Hyjlindëses". Në vijim gjendet skena e "Kryqëzimit të Krishtit" e kështu me radhë. Në faqen e murit verior gjendet skena e "Shpërfytyrimit", ndërsa po në faqen e murit verior në kungë gjendet skena e "Ngjalljes së Krishtit".
Brezi i dytë përmban paraqitjen e shenjtorëve në medalione me përmasa 0.45×0.47 metra. Duke filluar nga muri jugor paraqiten: Profeti Abakum, Shën Nikita dhe dy shenjtorë të paidentifikuar. Në faqen e murit perëndimor paraqiten: Shën Vikenti, Shën Minai si dhe gjashtë shenjtorë të tjerë të paidentifikuar. Në faqen e murit verior janë: Shën Artemi, Solomoni dhe dy piktura të paidentifikuara. Në faqen e murit lindor paraqitet Apostull Pjetri.
Në brezin e fundit shenjtorët paraqiten më këmbë. Duke filluar nga muri jugor kemi: Shën Kolli, Athanasi i Aleksandrisë, Shën Gjergji dhe Shën Dhimitri. Në murin perëndimor gjenden Simeon Stiliti dhe Shën Mëhilli me përmasa 1.72×1.40 metra. Mbi portën perëndimore paraqitet një mbishkrim dhe menjëherë pas tij vjen Shën Kostandini dhe Elena me përmasa 1.58×1.40 metra. Në faqen e murit verior gjendet skena ku paraqiten Teodor Tironi dhe Teodor Staratilati me përmasa 1.58×1.11 metra. Pranë nikes së prothesit gjendet skena "Vizioni i Pjetrit të Aleksandrisë".
Brezat me skena ndahen prej një brezi të ngushtë horizontal të stolisur me motivin e palmetave, ndërsa nën brezin e fundit kemi një brez dekorativ rreth 60 centimetra, në të cilin janë pikturuar shqiponja dykrenare dhe me motivin e zemrave të stilizuara. Në pikturat murale të kishës së "Shën Mërisë" në Cerckë ikonografi nuk ka respektuar rendin kronologjik të skenave. Ikonostasi i kishës ka qenë prej druri të gdhendur, por nuk është ruajtur. I kanë shpëtuar kohës vetëm dy ikona të mëdha të ikonostasit edhe ato të dëmtuara[2]. Kisha e "Shën Mërisë" në fshatin Cerckë të Kolonjës më 1970 është shpallur monument kulture[3].
[1] -Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave në Shqipëri, Uegen, Tiranë 2004, faqe 149-150.
[2]-Theofan Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 2006, faqe 135-138.
[3]-Mbrojtja e monumenteve, Botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë, 1974, faqe 35; Trashëgimia Kulturore akte ligjore dhe nënligjore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Tiranë, 2003, faqe 58.
MEDIA NGJALLJA 10.12.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse