Kisha e "Shën Kollit" gjendet në fshatin Perondi të Beratit. Kisha është bazilikë trinefëshe dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe mjedisi i altarit. Muratura e kishës është e ndërtuar me tulla dhe gurë të lidhur me llaç të kuqërremtë dhe copa tullash të shtypura. Muret përfundojnë me një kornizë të dyfishtë tullash në formë dhëmbësharre. Apsida e kishës është pesëfaqëshe. Kisha e "Shën Kollit" mendohet të jetë ndërtuar në shek. XIII. Kunga ndahet nga naosi me anën e një ikonostasi druri të gdhendur në vitin 1785. Kjo datë është e gdhendur nën kryqin e madh të ikonostasit të kishës. Gjithashtu në xhamin e një dritareje të katit të dytë nga ana veriore e kishës është shkruar viti 1785.
Ikonostasi është prej dru arre dhe ka përmasa 10×4 metra. Pjesa fundore e ikonostasit formohet nga 12 kolona të mëdha, të cilat krijojnë 11 hapësira, prej të cilave 3 i zënë dyert, ndërsa 8 hapësira janë me ikonat e mëdha. Ikonat janë pikturuar në vitin 1786, nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi. Në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut Historik Kombëtar janë ekspozuar tre ikona: Shën Nikolla, me përmasat 105×64 cm dhe numër inventari 3694; Profeti Ilia me qerre, me përmasat 103×72 cm dhe numër inventari 3679; Mbledhja e Kryeengjëjve, me përmasat 105×67 cm dhe numër inventari 3667. Në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut Historik Kombëtar janë ekspozuar edhe dy ikona, të cilat i përkasin një ikonografi anonim: Deisis, me përmasat 82,5×58 cm dhe numër inventari 3687; Joan Pagëzori, me përmasat 106×74 cm dhe numër inventari 3675.
Në pjesën e sipërme të ikonostasit gjendet dy radhë me ikona të vogla. Disa prej ikonave të vogla janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Gjatë restaurimit që është bërë në vitin 1785 është riparuar muri verior i kishës, gjithashtu është vendosur tavani prej dërrase. Pas restaurimit të bërë në vitin 1970 nga Instituti i Monumenteve pasi u hoq tavani u zbulua përmbi apsidë skena "Vizioni i profetit Daniel". Gjithashtu në kishë gjenden edhe dy figura shenjtorësh, të cilët janë pikturuar mbi harqet e kambanerisë jashtë portës perëndimore. Në skenën "Vizioni i profetit Daniel" shquhen pesëmbëdhjetë frone, të cilat janë vendosur njëri pas tjetrit në formë gjysmërrethore. Dy fronet e mesit janë më të mëdha se të tjerët. I pari është froni i etimasisë mbi të cilin janë pikturuar kryqi, sfungjeri, shtiza dhe gozhdët që tregojnë pësimet e Krishtit. Në fronin tjetër paraqitet një plak i moçëm, i cili quhet "i vjetri i ditëve" dhe simbolizon Jezu Krishtin. Fronet e vendosura në gjysëmrrethi të krijojnë idenë e një mjedisi gjykate. Në sfondin shkëmbor që rrethohet prej froneve paraqitet profeti Daniel i shtrirë duke fjetur dhe një engjëll i kërrusur drejt tij. Prapa froneve paraqiten dymbëdhjete figura engjëjsh, secili me një skifter pranë. Përmbi dy fronet e mëdhenj të skenës gjendet e pikturuar një si enë me një rrobë të shpalosur mbi të. Në linja të përgjithshme kjo skenë përfytyron një vizion të profetit Daniel. Ikonofrafi këtë e lidh me gjyqin e fundit ku thuhet se dymbëdhjetë dishepujt do të rrinë mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit (Matheu 19, 28). Kisha e "Shën Kollit" në fshatin Perondi të Beratit është shpallur monument kulture në vitin 1963.
Media Ngjallja, 6 Dhjetor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse