EmailFacebookKontakt
Lajme

Kisha e “shën kollit” – krutje e sipërme, lushnje, viti 1804

06/12/2025

Kisha e "Shën Kollit" gjendet në Krutjen e Sipërme të rrethit të Lushnjës dhe është ndërtuar në vitin 1804. Naosi është i tipit bazilikal trenefësh me përmasa 18×9 metra. Kisha përbëhet nga naosi dhe hajatet që e rrethojnë nga të tri anët. Naosi ndriçohet nga dritare të mëdha, të cilat janë hapur në pjesën e sipërme të mureve verior dhe jugor. Kambaneria e kishës është ndërtuar në vitin 1924 dhe gjendet në pjesën perëndimore të kishës. Apsida është ndërtuar nga blloqe të mëdhenj gurësh të latuar. Kisha e "Shën Kollit" në Krutjen e Sipërme është pikturuar më 17 shkurt të vitit 1811 nga Nikollë Çetiri. Mbi portën jugore brenda kishës gjendet mbishkrimi: “U pikturua ky tempull në vitin shpëtimtar 1811 dhe u përfundua në muajin shkurt 17, me dorën e Nikollë Çetirit, në kohën e të gjithhirëshmit, mitropolit të Beratit, zotit, zotit, Joasaf, nga katundi Bubullimë në kohën kur ishin famulltarë priftërinjtë Athanas i Markut, në kohën e kujdestarisë së Vasilit dhe Manit dhe të subashëve Haxhi Dako dhe të (pleqëve) prezent Zekë Çilit, Nas Kuqit, Gjergjit, Ndon Martirit, Meços, Naum Barhiut, Rist Kurtit, Naum Gjikës, Kostandin Saulit, Kostë Gjinarakut, Gjik Prendit, Mark Gjilit, Todo Muços, Stas Lekos dhe Gjergjit të Papajt dhe në vazhdim të tjerëve, burrave dhe grave, të cilët i kujtoftë, zoti ynë Jezu Krisht në Mbretëri të qiejve për shpenzimet dhe kontributin dhe përpjekjet me anë të ndërmjetësimeve të shën Kollit. Amin, amin, amin”. 
Ikonostasi i kishës është me gdhendje dhe i lyer me ar. Nën kryqin e ikonostasit është gdhendur viti 1821 që sipas Theofan Popës mendohet të jetë viti i gdhendjes së ikonostasit. Ikonat janë punuar nga Naum Çetiri në vitin 1821. Mbi ikonën e madhe të Shën Mërisë në ikonostas gjendet mbishkrimi: 182α (=1821) Ιστοριυη η παρουσα εικων δια (δα)πανης δε του Γεωργιου, Ναουμ, Νικολα, Δημητριου, Αναστασιου, ιω(αννου), Αλεξιου Τζαμπαλακι και των τεκνων, δια χειρος εμου Ναουμ Τζετηλη. “1821. U pikturua kjo ikonë me shpenzimet e Gjergjit, Naumit, Nikollës, Dhimitrit, Anastasit, Janit, Aleks Çabalaqit dhe të bijve, me dorën time të Naum Çetirit”. Në ikonën e madhe të Joan Pagëzorit gjendet mbishkrimi: Ιστορηθη η παρουσα εικων δια δαπανης του Θωμα Ντωνη και ιου αυτου / Γεωργιου δια χυρος Ναουμ Τζετιλι 1836. “U pikturua kjo ikonë me shpenzimet e Thoma Donit dhe birit të tij Gjergjit. Me dorën e Naum Çetirit 1836”. Mbi ikonën e kryeengjëjve në ikonostas gjendet mbishkrimi: Ιστορηθη η παρουσα εικων δια συνδρομες και δαπανης του Μαρτυρ Τζοκου και υου αυτου Γεωργιου και της αιωνια τους η μνημη 1824. “U pikturua kjo ikonë me kontributin dhe shpenzimet e Martir Çokut dhe të birit të tij Gjergjit dhe të shoqëruesve. I përjetshëm kujtimi i tyre-1824”. Ikona e Shën Illiut në ikonostas është pikturuar në vitin 1824: Ετος 1824. Ιστορηθη η παρουσα εικων δια δαπανης του Ναουμ Αβρααμ Κουκυ και των τεκνων ευτου ων Τρυφον και Γεωργιου. “Viti 1824. U pikturua kjo ikonë me shpenzimet e Nas Avram Kuqit dhe të bijve të tij, që janë Trifoni dhe Gjergji”. 
Kisha e "Shën Kollit" në Krutjen e Sipërme të rrethit të Lushnjës në vitin 1963 është shpallur monument kulture. Gjatë punës studimore në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidentojmë këto ikona të vogla. Kisha ka përmasa të mëdha dhe u shërben tri fshatrave të Myzeqesë: Krutje e Sipërme, Fier i Ri dhe Kadiaj. Një enori relativisht e madhe me rreth 900 familje të krishtera. Pranë kishës gjenden varrezat e fshatit.
AUTORI: ANDREA LLUKANI
Media Ngjallja, 6 Dhjetor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse